KQZ shpall sot rezultatin per Tiranen

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të publikojë sot rezultatin e zgjedhjeve në Tiranë, pas rinumërimit të kutive të 11 njësive. Mbledhja e KQZ është vendosur të zhvillohet pasditen e sotme në orën 18:00.

Administrata ka hartuar tashmë aktin, që përfshin në vetvete gjithë mbledhjen e votave të rinumëruara pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor, në datë 13 qershor dhe shtimin e tyre në tabelën e rezultatit të përgjithshëm për kryetar bashkie.
Por, sipas përfaqësuesit të PD-së në KQZ, Niazi Kosovrasti, “të gjithë e dimë se kryetari i Bashkisë së Tiranës është zoti Basha. Shifrat janë fiksuar tek numri 95. Besoj se kjo shkon përtej një dhjetëditëshi”. “Duke pasur parasysh ato që dëgjojmë dhe kjo është në të drejtën e PS-së, që pritet një ankimim i ri mbas këtij vendimi të KQZ-së. Duke llogaritur kohën sa të dalë ky vendim, sa të bëhet ankimimi, besoj që brenda 10 ditëve gjithçka do të jetë e mbyllur”, - deklaroi Kosovrasti.

Në zbatim të vendimit të Kolegjit Zgjedhor, KQZ përgjatë 5 ditëve hapi 1793 kuti, që i përkisnin 368 qendrave të votimit në 11 KZAZ-të e kryeqytetit. Pas verifikimit të votave të kontestuara rezultoi që kandidati demokrat, Lulzim Basha, kryeson me 95 vota para rivalit të tij socialist, Edi Rama. Të dhënat e mbledhura nga numërimi i votave të kontestuara përpunohen nga Drejtoria e Teknologjisë dhe Informacionit në KQZ dhe pasqyrohen më pas në projektaktin, që pritet të miratohet sot nga Komisioni. Zëdhënësi i KQZ theksoi se procesi i numërimit të votave të hedhura gabim në kutitë e 11 njësive bashkiake të Tiranës ka qënë transparent dhe i sigurt. Përfaqësuesit ligjor të PS-së e cilësuan Procesin “qesharak, të deformuar dhe me parregullsi” .

(burimi BalkanWeb)