Leo Mesi: Përjetësisht te Barcelona

Leo Mesi: Përjetësisht te Barcelona

Argjentinasi: Dua ta vazhdoj gjithë karrierën te Barça dhe jo të përfundoj si Ronaldinjo

Pasi e pa Ronaldinjon të humbiste statusin e “heroit” në Barcelonë dhe të shitej te Milani, Lionel Mesi, ka deklaruar se shpreson që vlera e tij për katalanasit të mos bjerë kurrë. Argjentinasi ka shprehur dëshirën e tij për të luajtur në Barcelonë gjatë gjithë karrierës së tij, por pranoi se duhet të jetë gjithmonë në lartësinë e duhur, sepse me kalimin e viteve gjërat mund të ndryshojnë, ashtu si ndodhi me “Dinjon”.

Braziliani ishte mik me Leon, i cili synon që kjo histori të mos përsëritet. “Unë dua ta vazhdoj të gjithë karrierën time te Barcelona, - tha 21-vjeçari, dhe e di mirë që për të bërë diçka të tillë, duhet të jem gjithmonë në nivele të larta. Vetëm në këtë mënyrë klubi nuk do të më shesë si bëri me Ronaldinjon.

Ai ka qenë një futbollist jashtëzakonisht i rëndësishëm që i dha gjithçka kësaj skuadre, por gjithçka filloi të shkonte ters për të. Kur unë erdha te skuadra e parë isha shumë i ri dhe kjo ka qenë skuadra e vetme për mua. Dua të qëndroj përjetësisht te Barcelona dhe drejtuesit të mos thonë asnjëherë: nuk kemi nevojë për ty. Nga ana tjetër jam i vetëdijshëm se gjithçka mund të ndodhë. Shikoni se çfarë ndodhi me Dinjon.

Ai nuk ishte i lumtur gjatë gjithë vitit të fundit, sepse e ndiente që në Barcelonë nuk e donim më”. Ndërkohë, Mesi sqaron se paga më e lartë në një klub tjetër nuk do të jetë asnjëherë arsye për “divorcin” e tij me Barcelonën. “Interi, Çelsi dhe Reali mund të ofrojnë paràtë e gjithë botës, por ata e dinë mirë si e mendoj unë, - tha Mesi.

  • Këtë duhet ta mësojnë të gjithë. Unë kam ardhur këtu në moshën 13-vjeçare dhe klubi më ka dhënë gjithçka, mua dhe familjes time. Jam shumë i lumtur dhe ndihem borxhli ndaj Barcelonës. Kam të gjitha ato që kërkoj dhe paràtë nuk mund të më bëjnë të ndryshoj mendje”.