Letër nga i vdekuri: Isha me ju Ramazanin e kaluar

A e di se Ramazanin do ta përjetojnë vitin e ardhshëm vetëm të gjallët e ti mund të mos jesh prej tyre?
Prandaj bëj vepra të mira, pendohu tek Allahu, qaj për mëkatet tua, shfrytëzoje këtë muaj, i cili mund të jetë i fundit për ty.

A e di se nën tokë ka njerëz që qajnë dhe vajtojnë, jo për shkak të ndarjes nga fëmijët dhe pasuria e tyre, por për shkak të humbjes së shumë Ramazaneve?
Nuk kanë depozituar vepra të mira, prandaj falëndero Allahu që të la të jetosh e nuk të bëri të vdesësh.

A e di se në spitale ka shumë të sëmurë, të cilët janë të privuar nga agjërimi dhe falja e namazit?
Lotët e tyre rrjedhin nga vajtimi për shkak të mospranisë së tyre me vëllezërit e tyre në këtë muaj. Falëndero Allahun, i Cili të dha shëndet, ndërsa të tjerët i ka sprovuar me sëmundje.

A e di se agjërimi i Ramazanit pranohet vetëm prej atyre që falin namaz?
Ki kujdes nga humbja e fesë tënde me neglizhencën tënde ndaj namazit, për shkak të gjumit apo kalimit nga koha e tij.

A e di se kujt i agjëron stomaku dhe nuk i agjëron syri, veshi dhe gjuha nga të ndaluarat, ai ka përfituar nga agjërimi vetëm urinë dhe etjen?

A e di se shejtanët nga lloji i njerëzve nuk prangosen në Ramazan?
Ata janë më të rrezikshëm për fenë tënde sesa shejtanët nga lloji i xhinëve. Prandaj ki kujdes prej tyre.

A e di se nata e Ramazanit është e barabartë me ditën për sa i përket shenjtërisë? Mos u bë prej atyre të cilët agjërojnë ditën nga e lejuara, kurse gjatë natës hanë harame.

A e di se dallimi ndërmjet agjërimit tonë dhe agjërimit të çifutëve dhe të krishterëve është ngrënia e syfyrit?
Kundërshtoji ata dhe pasoje të dashurin tënd, i cili thotë: “Hani syfyr, se në të ka bereqet.” Shënon Buhariu dhe Muslimi.

A e di se dhjetë netët e fundit të Ramazanit janë më të vlefshme se ato të mëparshmet?
Ki kujdes nga plogështia dhe molisja me ardhjen e këtyre netëve.

A e di se ta kërkosh Natën e Kadrit dhe të falësh namaz në të me besim dhe duke llogaritur në shpërblimin e Allahut, veprat e tua do të ngrihen sikur të kishe punuar tetëdhjetë vite?
Mos e humb këtë mundësi duke shëtitur nëpër tregje dhe duke humbur kohën në atë që nuk sjell dobi.

A e di se itikafi është i vlefshëm qoftë edhe një pjesë të natës apo të ditës me qëllim afrimi ndaj Allahut?
Mos e privo veten nga kënaqësia e veçimit me Allahun në ndonjë prej shtëpive të Tij.
Ushtroje veten me itikaf, qoftë edhe një pjesë te ditës ose të natës.

A e di se shikimi i serialeve përmes ekraneve televizive, dëgjimi i muzikës në Ramazan konsiderohet përdhosje e shenjtërisë së këtij muaji?
Ki frikë Allahun dhe të mos bëjnë amoralitet syri dhe veshi yt!

A e di se nëse nuk i braktis fjalët e këqija (gënjeshtrën, shpifjen, përgojimin, sharjen, mallkimin), Allahu nuk ka nevojë që të lësh ushqimin dhe pijen tënde, ashtu siç thuhet në hadithin autentik.

A e di se kush nuk e përfundon leximin e Kuranit në këtë muaj brenda dhjetë ditësh ndoshta llogaritet prej atyre që e kanë braktisur atë?
Si të mos jetë kështu kur ky është muaji në të cilin zbriti Kurani.
Shfrytëzoji ditët dhe netët e këtij muaji për leximin e fjalës së Allahut të Lartësuar.

A e di se muaji i Ramazanit është mundësi e artë për duhanxhinjtë që ta braktisin atë dhe ta zëvendësojnë me misvak?

A e di se umreja në Ramazan e ka shpërblimin sikur të kryesh haxhin me të dashurin tënd, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të?
Shfrytëzoje këtë mundësi.

A e di se i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, ka thënë amin në lutjen e Xhibrilit për atë që e ka arritur Ramazanin, ka përfunduar ai dhe nuk i janë falur mëkatet?
Ai do të futet në zjarr.

A e di se gjumi i natës ndihmon për shfrytëzimin e ditës me vepra të mira? Shfrytëzoje atë brenda një pjesë të natës dhe ki kujdes nga pagjumësia në gjëra të kota.

A e di se Allahu i Lartësuar i jep agjëruesit shpërblimin e shumëfishuar për atë që i jep ushqim agjëruesit qoftë edhe me një gotë ujë? Prandaj i privuar llogaritet ai që është privuar nga kjo mirësi e madhe me këtë vepër të lehtë.

A e di se i lumturi në festën e Bajramit nuk është ai i cili vesh rroba të reja, mirëpo kush do të lirohet dhe do të shpëtojë nga dënimi.
Sa prej të varfërve, të ngratëve në ditën e Bajramit i mirëpresin melekët në rrugët duke i përgëzuar me lehtësim dhe shpërblim dhe se Allahu është Bujar Fisnik
Varfëria dhe nevojat e tyre nuk i dëmtuan fare, ndërsa shumë të tjerë të pasur janë të larguar nga mëshira e Allahut.

E lusim Allahun e Lartësuar të na mundësojë ta përfundojmë Ramazanin duke qenë Allahu i kënaqur me ne!

A nuk ju kujtohem?

Apo aq shpejt të gjallët i harrojnë të vdekurit e tyre?
A nuk ju kujtohet dita kur isha me ju në Ramazanin e kaluar? Isha në radhët e falësve duke bërë ruku e sexhde.
Isha me falësit në namazin e teravisë, me agjëruesit, me ata që e përmendnin Allahun, me ara që jepnin dhe e shpenzonin pasurinë e tyre në rrugën e Allahut.

Nuk e dija se qe Ramazani i fundit që po agjëroja në jetën time.
Nuk e dija se qe Ramazani i fundit që po përjetoja në jetën time.
Sikur ta dija, do t’i shtoja mirësitë, begatitë dhe vlerat e këtij muaji, do t’i shtoja adhurimet (ibadetet) me të cilat i afrohemi Allahut të Lartësuar dhe do të shtoja lëmoshën (sadakanë) dhe veprat e mira.
Sikur ta dija se qe Ramazani i fundit në jetën time, do të më shihnit shumë të kujdesshëm që të mos më ikte namazi me xhemat në xhami e ai i teravisë si dhe do të lexoja Kuran më shumë seç kam lexuar në Ramazanin e kaluar.
Do të më shihnit të kujdesshëm në zbatimin e urdhrave të Allahut, larg mëkateve dhe të ligave. Por…

Ndoshta ju kujtohem kur po përshëndetesha me ju pas namazit të Bajramit.
Sikur të dija se qe Bajrami i fundit në jetën time, do t’ju përqafoja fort.
Ndaj, të dashurit e mi, më përkujtoni në lutjet tuaja, ngase unë kam nevojë për to.
Luteni Allahun që të mëshiroj dhe të më falë mua dhe të gjithë të vdekurit muslimanë, ngase jemi ndarë nga bota ku veprohet dhe nuk jepet llogari, për në botën ku jepet llogari e s’ka veprim.

Shfrytëzoni çdo minutë, madje çdo sekondë të jetës suaj, sepse janë të shtrenjta dhe shumë të vlefshme.
Vlerën e tyre e di vetëm ai që i ka humbur.
Përgatituni për botën tjetër, e furnizimi më i mirë është devotshmëria ndaj Allahut të Lartësuar.
Merrni mësim dhe përfitoni nga ata që kanë vdekur.
Dijeni se dynjaja është vendkalim për në botën tjetër dhe se xheneti është i shtrenjtë.

Përfytyroni, vëllezër të nderuar, se ky është Ramazani i fundit në jetën tuaj. Punoni çdo punë me të cilën Allahu është i kënaqur në muajin e Ramazanit dhe vazhdojini me përqendrim ato pas Ramazanit, që gjendja e juaj ps vdekjes të mos jetë si e atyre për të cilët flet Allahu në Kuran: “E kur ndonjërit prej tyre i vjen vdekja, ai thotë: “O Zoti im, më kthe, që të bëj vepra të mira e të kompensoj atë që lëshova!” Kurrsesi, (kthim nuk ka) e kjo është vetëm fjalë që e thotë ai, e ata kanë para tyre një perde (distancë periodike) deri në ditën kur ringjallen.” (Muminun, 99-100)