Librat e rinj

Bosët e rinj

Vincenzo Ceruso, Pietro Comito, Bruno de Stefano

Shqipëroi: Xhimi Lazri

Botues: Bota Shqiptare, 420 faqe

Si kanë ndryshuar mafia, ndrangeta dhe kamorra në vitet e fundit, pas arrestimeve të rëndësishme të krerëve të tyre? A ekzistojnë ende bosët apo mafia është copëzuar në njëmijë realitete lokale që kontrollojnë vetëm pjesë të vogla të territorit? Apo ndoshta është bërë globale dhe tentakulat e saj shtrihen edhe përtej Italisë? Cilët janë sot liderët e klaneve? Të formuar në shkollën e vjetër të burrave të fjalës, ata jo vetëm përqafojnë rregullat e lashta të shoqërisë mafioze, por mendojnë për horizonte më të gjera, nga mafia deri tek jakat e bardha. Me gjithë goditjet shkatërruese nga shteti, me arrestimet e shumta (nga Riina deri tek Provencano, nga “Sandokani” deri tek krerët sanluçotë), krimit të organizuar, në fakt, nuk duket se i ka ardhur fundi. Duke lëvizur biznesin e tyre larg qendrës së vëmendjes, kumbarët modernë kanë krijuar një qark të shkurtër, ndoshta edhe më të rrezikshëm të masakrave të përgjakshme në rrugë: një krim i ri më pak i dukshëm, por edhe më kërcënues, në të cilin financa e lartë, politika dhe krimi shkrihen në një ndërthurje të pazgjidhshme fatale.
Misteri i Hagadasë së Sarajevës

Geraldine Brooks

Shqipëroi: Adrian Belo

Botues: Bota Shqiptare, 472 faqe

Viti 1996. Kur Hana, një australiane e re, mirëmbajtëse e pasionuar dorëshkrimesh të vjetra, mëson se kërkohet t’i besohet asaj Hagadaja me emër e Sarajevës, ndien se bëhet fjalë për shansin e jetës së saj. Deri aty pat qenë ndier më mirë në shoqërinë e librave se të bashkëkohësve të saj. Merr udhën, pra, drejt dorëshkrimit të rrallë hebre, i shfaqur sërishmi në Ballkanin gërmadhë. Nga një shenjë e vockël në tjetrën, Hana do të ndriçojë pak nga pak të fshehtat e njerëzve që kanë mbajtur në duart e tyre dorëshkrimin e shenjtë. Nga ithtarja e re e Kabbalës, që e shpëton librin nga Inkuizicioni spanjoll, e gjer tek intelektuali mysliman që e merr në gji nën hundën e nazistëve, por duke kaluar më herët nëpër duart e censorit venedikas që nuk e dërgon në turrën e druve, kjo është odiseja e paepur e Hagadasë, e cila i prin Hanës nga zhgënjime në zbulime, nga rindërtime rrethanash në dashuri të rishtë, në gjurmët e vetë historisë së saj.
E fshehta e muxhahedinit gjerman

Boualem Sansal

Shqipëroi: Nonda Varfi

Botues: Bota Shqiptare,

Vëllezërit Shiler, Rashel dhe Malrih, janë mjaft të ndryshëm. Kanë lindur në një fshat të vogël në Algjeri nga një baba gjerman dhe nënë algjeriane, por janë rritur nga një xhaxha i moshuar në një nga getot e Francës. Ngjashmëritë marrin fund me kaq. Rasheli është një emigrant model, i bindur ndaj ligjit. Malrihi është e kundërtae t?. Por kur fondamentalistët islamikë u vrasin prindërit në Algjeri, fatet e dy vëllezërve shndërrohen plotësisht. Rasheli zbulon të vërtetën tronditëse në lidhje me familjen dhe gati shtypet nga pesha e mëkateve të babait të t?, një ish-oficer SS. Pas vetëvrasjes së Rashelit, Malrihit i duhet të përballet i vetëm me të vërtetën e tmerrshme.
Humbja e sigurisë

Morris Kline

Shqipëroi: Aleko Minga

Botues: IDK, 386 faqe,

Libri sjell një informacion të begatë për të formuar një ide të qartë për sfondin historik të shumë arritjeve matematike. Lexuesve u zbulohet një aspekt jo aq i njohur i matematikës në momentet e ngjizjeve të mëdha të teorive të saj, kur ajo bart gjurmët e një krijimi njerëzor, të një “aventure” të vërtetë intelektuale me “lajthitjet” dhe pasiguritë e saj befasuese logjike, në të cilat megjithatë, ka një shkëndijim hyjnor . Në mënyrë të veçantë problemi i madh i bazimit të matematikës dhe sidomos kriza e lidhur me të janë paraqitur me nerv e kompetencë, me tërë dramaticitetin e përplasjeve të zgjidhjeve të propozuara. Autori me mjete të kursyera jep edhe idetë dhe interpretimet më të rëndësishme filozofike të lidhura me njohjen matematike, që është një ndër objektet më interesante të studimeve epistemologjike.