Lorik Cana ndahet nga Zana Krasniqi dhe lidhet me një modele braziliane

Nuk ka kaluar edhe aq kohë që kur shkruajtëm, për një lidhje tepër të bukur të dy personazheve shumë të njohur, atë mes Zana Krasniqit dhe Lorik Canës, të dy shumë të dashur për publikun shqiptar, ajo një mis e ai një futbollist i shquar. Tashmë dihet që Cana luan për ekipe të ndryshme futbolli jashtë vendit dhe njëherit edhe Zana hyri në top 10- shen e femrave më të bukura në “Miss Univers” ku edhe përfaqësoi shtetin më të ri të botës, republikën e Kosovës. Kjo lidhje e cila pati veëmendjen e mediave, duket se ka marrë fund pasi çifti nuk duket më në shoqërinë e njëri tjetrit.

Edhe pse përflitej se publikimi i miqësisë së tyre si histori dashurie, ishte thjesht një mënyrë për të rënë në sy, një përfitim popullariteti për të dy, ne nuk arrinim ta besonim pasi dy të rinjtë ngjanin kaq bukur në shoqërinë e njëri tjetrit. Në fakt një farë atraksioni mes tyre duhej të kishte lindur pasi Zana udhëtonte shpesh drejt Francës ku jeton Loriku, ndërkohë që edhe vetë Loriku udhëtonte shpesh drejt Amerikës ku jeton Zana, pasi dihet se ajo atje ka fituar mjaft kontrata pune pas pjesëmarrjes në “Miss Universe”. Ëndrra e vajzës së bukur nga Prishtina për të qenë një emër i njohur në industrinë e modës, po bëhej realitet.

Këtë miqësi të tyre dukej se diti ta shfrytëzonte shumë mirë fotografi i njohur shqiptar me banim në Amerikë, Fadil Berisha, i cili realizoi një set të mrekullueshëm fotografish me dy të rinjtë që janë jo vetëm të bukur por edhe të famshëm. Thuhet se natën e Vitit të Ri, Zana e ka pritur së bashku me Lorikun në Paris të Francës. Por e gjithë kjo histori e cila lindi për imazh ose edhe për ndjenjë, tashmë ka marrë fund duke shkaktuar edhe trishtimin e disa fansave të cilët e pëlqenin këtë histori dhe e inkurajonin atë.

Sipas lajmeve më të fundit thuhet se Loriku nuk ka pritur gjatë, por menjëherë pasi i ka dhënë fund lidhjes me Zana Krasniqin, është parë i shoqëruar nga një modele braziliane me emrin Alisia. Mbase Lorikun e joshin më shumë vajzat e huaja pasi shumicën e lidhjeve, bukuroshi shqiptar i ka pasur me të huaja. Kohët e fundit Zana Krasniqi ka qenë e ftuar në programin “Game Over” dhe kur e kanë pyetur për jetën private ajo është përgjigjur: “Të dashur kam por nuk jam e lidhur”.