Meta: Nuk ecim përpara duke shkelur Kushtetutën

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ilir Meta, ka deklaruar se dialogu mes pozitës dhe opozitës nën drejtimin e presidentit Bamir Topi, mund të funksionojë vetëm nëse kërkesat nuk janë antikushtetuese.
Kreu i LSI-së ka shprehur keqardhje për qëndrimin e PS-së, duke e cilësuar si “jo të sinqertë ndaj rezolutës të KiE-së”. Ai fajësoi Edi Ramën si përgjegjësin kryesor të krizës politike në vend.

Duke folur për vendimin e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me marrëveshjen për kufirin detar me Greqinë, ai theksoi se është një “vendim që nuk diskutohet”.

“Por nuk mund të hesht kur elemente ekstremiste në shoqërinë shqiptare përpiqen të helmojnë marrëdhëniet mes dy vendeve dhe dy popujve vazhdimisht me qëndrime nga më të ndryshmeve që nuk i shërbejnë askujt përveç kthimit mbrapa… Shqipëria do të ecë në rrugën e stabilitetit. Shqipëria nuk mund të eci përpara duke shkelur Kushtetutën”, shtoi Meta.

BURIMI:TCH