Omar Al-Khayyam

Omar Al-Khayyam(1044 - 1123 C.E.)

Omar Al-Khajami ishte nje matematikan dhe astronom i shquar. Ai ishte gjithashtu i njohur si poet, filozof dhe fizikant. Ne librin “Historia e Filozofise perendimore”, Bertrand Rusell veren qe Omar Kajami ishte i vetmi njeri qe ai njihte i cili ishte poet dhe matematikan ne te njejten kohe. Ne vitin 1079 C.E. Omar Khajami rregulloi Kalendarin Diellor. Kontributi i tij ne Algjeber u vleresua ne gjithe Europen. Ne Perendim ai njihet per permbledhjen poetike me titullin “Rubaiyat” (Strofat) e cila u perkthye nga Edward Fitzgerald ne 1859. Emri i tij i plote ishte Ghijath al-Din Abul Fateh Omar Ibn Ibrahim al-Kajam.

Omar Kajami lindi ne vitin 1044 ne Nishapur, kryeqyteti i Khurasanit (ne Iran). Ai njihet si Persian. Megjithate nje nga mendimet eshte qe paraardhesit e tij ( nga fiset arabet te quajtura Khajami ) emigruan dhe u vendosen ne Persi. Omar Kajami u edukua ne Nishapur. Pervec kesaj ai udhetoi edhe ne shume institucione me reputacion ne fushen e diturise perfshire ketu ate te Bukhara, Balkh, Samarkand dhe Isfahan. Pjesen me te madhe te jetes se tij ai e kaloi ne Nishapur ( Azia Qendrore ). Omar Al-Kajami ishte bashkekohes i Nizam al-Mulk Tusit. Ai vdiq ne vitin 1123 e.r. ne Nishapur.

Kajami dha nje kontribut te madh ne Matematike dhe vecanerisht ne Algjeber. Libri i tij rreth Algjebres, me titullin “Makalat fi al-Xhabr wa al-Mukabila” mundesoi zhvillim te madh ne kete fushe. Ai cilesoi shume ekuacione algjebrike bazuar ne nderlikimin e tyre dhe njohu 13 forma te ndryshme te ekuacioneve kubike. Omar Khajami zhvilloi nje menyre gjeometrike ne zgjidhjen e ekuacioneve, e cila perfshiu nje perzgjedhje gjeniale te koneve te rregullta. Ai zgjidhi ekuacione kubike duke kryqesuar nje parabole me nje rreth. Omar Kajami ishte i pari qe zhvilloi teoremen e binomit dhe percaktoi koeficientet binominale. Ai zhvilloi shtrirjen binominale per rastin kur eksponenti eshte nje integral pozitiv. Omar Khayyam ne librin e tij te Algjebres i referohet nje libri tjeter qe njihet si Trekendeshi i Paskalit. Ky liber nuk gjendet me ne kohet e sotme. Ai e zgjeroi punen e Euklidit duke dhene perfundime te reja te raporteve dhe duke perfshire ketu edhe shumezimin e raporteve. Ai ndihmoi ne teorine e vijave paralele.

Omar Al-Kajami eshte i famshem per nje tjeter veper te tij e cila e ndihmoi gjate kohes kur ai po punonte per Sulltanin Selxhuk, Malikshah Xhelaludini. Atij i kerkuan te zhvillonte nje Kalendar Diellor te perpikte i cili do te perdorej per mbledhjen e te ardhurave shteterore and qellime te tjera administrative. Per te plotesuar kete detyre, Omar Kajami nisi detyren e tij ne observatorin e ri ne Ray ne vitin 1074 e.r. Kalendari i tij i quajtur “Al-Tarikh-al-Xhelali” (Rruga e Xhelalit) eshte superior ne krahasim me kalendarin Gregorian dhe eshte i perpikte brenda nje dite ne 3770 vite. Ai percaktoi qe gjatesia e vitit perbehej nga 365.24219858156 dite. Kjo tregon qe ai e njihte rendesine e perpikmerise duke dhene rezultatin ne 11 thyesa dhjetore. Gjatesia e vitit ne kohet tona njihet 365.242190 dite. Kjo shifer krahasuar me ate dhene prej Omer Kajamit ndryshon vetem tek shifra e gjashte e thyeses dhjetore.

Kajami ndihmoi gjithashtu edhe ne fusha te tjera shkencore. Ai zhvilloi nje metode per percaktimin sa me preciz te peshes specifike. Ai shkruajti dy libra rreth metafizikes, “Risala Dar Wujud” dhe “Nauruz Namah”. Si poet, Kajami njihet per “Strofat” e tij. Temat e tij perfshijne mistike komplekse dhe mendime filozofike.

Dhjete libra dhe tridhjete monografe te Omer Kajamit kane mbijetuar. Keto perfshijne kater libra rreth matematikes, nje rreth algjebres, nje rreth gjeometrise, tre rreth fizikes dhe tre libra rreth metafizikes. Kajami dha ndihmese te madhe ne zhvillimin e matematikes dhe gjeometrise analitike e cila ishte me perfitim te madh per Europen disa shekuj me vone.

Midis veprave te mbijuetuara(ndoshta jo te plota) te Kayyamit jane edhe Rrrubaijatet e tij te bukura dhe me fame, te cilat jane perkthyer ne shume gjuhe te botes midis tyre edhe ne gjuhen tone.
Jane te shqiperuara fillimisht nga Fan Stilian Noli, dhe mendohet se nuk ka shfrytezuar origjinalin e tyre por i ka shqiperuar nga te tjera gjuhe.
Ndersa i dyti qe u mor me shqiperimin e ketyre Rrubaijateve(poezi katrore, nga Arabishtja )eshte Hafiz Ali Korca.
Shpresoj qe te sjell pjese prej te dy shqiperuesve.
Me poshte po postoj dicka nga shqiperimet e Nolit.

INDRITI zeriyt.com/omar-alkhayyam-t10892.0.html

Eshte shkrim i vjeter por qe ja vlen te lexohet (y)

1
Natën kur flija, më tha shpirti: “Pi!
Në gjumë dhe në Varr s’ka lumturi.
Ngreju! Sa rron, zbras Kupa dhe puth çupa;
se ke shekuj që të flesh në qetësi”.

2

Në ëndërr, kur Agimi zbardhëllonte,
Një zë që nga Taverna po gjëmonte:
“Cohuni, djema, e Verë sillnani,
Se Fati na e tha lëngun sonte”.

3

Dhe posa në tavernë këndoi gjeli,
Besnikët jashtë thirrën “Portat çelni!
E shkurter është Jeta, ja, u mplakmë
Dhe mbetmë si kofini pas së vjeli”.

4

A di përse këndesi po këndon
Dhe menatë nga gjumi po të zgjon?
Që shkoi një ditë po të lajmëron,
Dhe ti, çkujdesur, fle dhe ëndërron.

5

U gdhi! Me verë zëmrën e zbardhëlloj
Përdhe çdo Fe të Natës e dërmoj:
Në Djall dërgoj Parajsën e përpjetë,
Gërshetin me lahutën lavdëroj.

6

Kur Diellin me zjarr kurorëzuar,
E pret me gas Natyra faqeshkruar,
Shoqen me mall po shoh në gjumë shtruar
Dhe foshnjën buzëqeshur më të zgjuar.

7

Ja, Kup’ e Qiellit skuqet prej Agimit,
Bilbili nisi këngën e dëfrimit
Me trëndafilin: Eja, Faqepjeshkë,
Natyra qesh; nem Qelqin e Rubinit.

8

Zgjo-hu! Mëngjezi me shigjet’ e grisi
Perden e Natës, Yjt’ i arratisi,
Dhe Dielli gjahtar me rreze kapi
Cdo majë mali, pallati e lisi.

9

O Engjëll faqedritë, ja u gdhi,
Shtjer Verë dhe këndo me ëmbëlsi!
Xhamshidi e Khosroj qysh lulëzuan,
Qysh dimërojnë sot në Varrverri.

10

Ja, Mars’i ri dëshirat na valon,
Cdo shpirt i mënçur në Gërmadhë shkon
Ku dor’ e Moisiut zbardh nga degët
Dhe frym’ e Krishtit tokën gjelbëron.

11

Mbi lulet po pikojnë vesë retë,
Dhe me një zë qiellor Bilbili shkretë:
Ah, Verë! Verë! Trëndafilit
I lyp t’i skuqë faqëzën e zbehtë.

12

Bilbili nëpër kopshtet në Pranverë
Sheh Lilin Kup’ e Trëndafilin Verë
Dhe thotë: “Puthuni e pihuni!
S’e gjeni këtë ditë tjatër herë”.

13

Shiko luadhe, lule, bukuri,
Lumenj kristali, kronj e brohori:
Nga dimri Ferr pranvera Qiell na ndriti,
Gëzo mi Dhe Parajsën me Huri.

14

Desh Trëndafili e thotë: “Lulëzoj
Dhe botës bukurinë po ia shtoj:
Pastaj e hap kuletën e mëndafshtë
Dhe përmbi kopsht thesarin po e shtroj”.

15

"Jam, thotë, lulja e Josefit t’ri
T’Egiptes, xhevahir, zëmërflori:
Ja edhe rrob’ e kuqe gjak, e çjerur
Prej vllezërve dhe gruas Petefri.

16

Tufani kopshtin kur ma çkatërron
Dhe Rrot’ e Fatit shpresat m’i dërmon,
Pështillem si burbuq’ i Trëndafilit,
Po zemra gjak përbrenda më pikon.

17

U dogja dhe u përvëlova: Verë!
Nga vrer’i lotëve u shova: Verë!
Në Qelq rubin, e Dashur, dhe Luten
Dhe nga ky zjarr shpëtova: Verë!

18

Me Ver’ e Vajza, me Lahut e Valle,
Me Fyell e me Këngë po s’u çmalle,
Jeta s’vlen hiç: Se pa këto nuk është
Veç pemë helmi, pus e tym vërdalle.

19

Nga njëra dorë Trëndafil e Grua,
Nga dora tjatër patsha Rrush e krua:
“Zotit - po thoni - i ardhtë keq për mua!”
Po as m’a fal pendimin, as ia dua.

20

Një Engjëll më tërhiqte në Xhami,
Një Djall po më zvarrniste në Dolli;
Po Ver’ e kuqe e fitoi davanë:
Gërshet këtej - edhe andej Hardhi.

21

Në prehërin e Hurisë kur gëzohesh
Veten humbet, e veten gjen, bekohesh:
Kur pi kungatën shpirtrëmbenjëse,
Përsipër Jetës, Vdekjes lartësohesh.

22

Te Shpell’ e Verës kemi hedhur mendjen,
Dehemi, puthim për të mbledhur mendjen:
C’pyet? Gjykim e tru na kanë rrjedhur,
Se Vajzat na e kanë vjedhur mendjen.

23

“Pse s’pi më pak?” më thonë njerëzia,
“Për ç’arësye s’ka kufi Dollia?”
Një: Faq’e Vajzës; dy: Rubin’i Verës,
Ja shkaqe si kristal nga qartësia.

24

Drit’ e Kungatës vlen çdo mbretëri
N’Evropë dhe n’Afrikë dhe n’Azi:
Rënkim’i Vajzës mallëngjen më rëndë
Se çdo shamat’ e turmës në Xhami.

25

Fito një Zemër, puthe dhe rrëmbeje,
Dhe adhuroje si Altar prej Feje:
Një qind Qabera s’vlejnë sa një Zemër;
Zemër kërko, Haxhi, jo Gur Qabeje.

26

Si mjer’ ay që Dashuri s’ka ndjerë
Dhe zemra s’i ka ndritur në prënverë:
Pa Ver’ e Dashuri çdo dit’ e shkuar
Prej meje s’nëmërohet asnjëherë.

27

S’ka hir apo shëmtim në Dashuri,
Për Ferr e për Parajsë s’ka mërzi,
As për pallate a kasolle a shpella
As për mëndafsh a rrecka a stoli.

28

Kjo zemr’ e marr’ e mbytur në mjerime
Pa prerë vuan e lëshon rënkime:
Kur më dha Zoti Verë Dashurie,
Ma mbushi kupën gjak prej zemrës sime.

29

E prisja! Si rrufeja më tronditi!
E Dashura më shkoi, më neveriti:
S’e çmoja kur e kisha… Ah, çma priti!
Në Ferrin nga Parajsa më vërviti.

30

Rënkoj e psherëtij, se s’të kam pranë,
M’u çuar zëmra, vojtjet mënt s’më lanë,
Askujt s’ia qaj dot hallin, djall’ o punë:
Vrermjalt’ e flagëves’ e qiellhapsanë!

31

Nga hidhërim’i ndarjes jam përpirë,
Sa e sa herë zemra m’është grirë:
Ty natën të kujtoj e psherëtij,
Nga malli digjem, si qiriri kam shkrirë.

32

Kur s’dhëmp e s’shëmp nuk është Dashuri,
Pa Ferr s’gjen dot Parajsë dhe Huri:
Kur zjarr’ e ke në gji, me nat’ e ditë
Sot ndrit me gas e nesër ndes më zi.

33

Te rrug’ e Trëndafilit plot me gjëmba
Pikova gjak, u çora dhe u shëmba:
Pa qindra plag’ e çpojtje s’qepeht krehri
Në flokët e së Dashurës me dhëmba.

34

Zemrën me sy e dashura ma ndes,
Zemraqiri me flakën rron e vdes:
Te flak’ e bukur zemraflutur turret,
Kurban e tëra digjet pa kujdes.

35

Me syrin bukuri e dritë çpall,
Në zemrën Dashuri e zjarr më kall:
Ti s’më vë re aspak ose më tall,
Kur unë pshërtij për ty me mall.

36

Zefire, fryre, syri im të pa,
Nga gjoksi zemra m’iku dhe më la
Dhe dyke fluturuar pas të ra:
Banesën sot në gjoksin tënt e ka.

37

Selvia që më bëri skllav e mbret
Tani më nisi prapë muhabet;
Më qesh me buz’ e sy, se shpirti i thotë:
“Bëje të mirën dhe e hith në det”.

38

E dashura shkëlqeu, më vërboi,
Zemra më fliste gjuha më pushoi:
Kush pa me sy torturë kësisoj?
Nga etja u dogja, u shova mun te kroj.

39

Kush në Gërmadhen të ka prurë, kush?
Kush ta ka çfaqur natën mirë, kush?
Kush të ka fryrë të më ndezësh furrë
Nga Dashuria të sëmurë, kush?

40

Në këtë Dhe pa prehje, pa pushim,
Jam lodhur me kërkim e udhëtim:
Të bukur Qiparis si ti s’kam parë,
S’të kapërcen as hëna në shkëlqim.

41

O ti mbi Dhe m’e zgjedhura Selvi,
M’e shtrenjtë je se shpirt dhe syt’ e mi:
Gjë më të çmuar se sa jeta s’ka;
Një qind herë më e çmuar më je ti!

42

Si në mëngjes burbuqi i vesuar
Me rrezet buzëqesh i ngushëlluar,
Më ndrit me gas fytyra e përlotur
Kur zemrën ti ma ngroh me syt’ e shkruar.

43

Ti, që me faqe Rrushin e kapërcen,
Dhe që me zë Bilbilin e gënjen,
Një sy i luan Mbretit t’Babilonës
Dhe mbretëresh’ e kulla ia rrëmben.

44

Për ty bëj be të hedh në det dhe nderin;
Në shkelça fjalën, shkelmin nem dhe vrerin:
Në mos mjaftoftë jeta ime e zezë,
Laj borxhin në të Funtmin Gjyq me Ferrin.

45

Sa kohë munt, e Dashur, ngushëllomë,
Nga barr’ e vrerit zemrën lehtësomë;
Se bukuria jote s’rron për jetë;
Shpejt! Nesër zbresim që të dy në Llomë.

46

Me buzët gjak, Sirenë, dehm’ e mpimë,
Me dhëmbët e me thonjtë çirm’ e grimë:
Me krah’ e me gërshetë mbytm’ e shtrimë,
Me syt’ e tu të zjarrtë tretm’ e shkrimë!

47

Me Bukë sa për shpirt, me Hën’ e Zanë,
Me Ver’ e Harp’ e Vjersha dhe ty pranë
Në Pjergull të Gërmadhës jam m’i lumtur
Se në pallat a fron një qint Sulltanë.

48

“Sa bukur të jesh Mbret!” disa mendojnë;
“Sa ëmbël në Parajsë!” ca besojnë:
Ah, merr trumpetat e ler kusurin,
Daullet, pompat lark le të gjëmojnë.

49

Në botë kotësira mos lakmo
Të mirat e të ligat ia harro:
Kthjelloje zemrën si ky Qiell i kaltër,
Si Yll më ndrit, si Diell perëndo.

50

Shpirti për ku m’u bë prej Perëndie?
Për Qiell a Ferr? S’e di, po veresie
S’lë gas të saktë, Ver’ e Vajz’ e Këngë,
Për profka, ëndrra, prralla shenjtërie.

51

Se save që për Dhenë bëjnë rragë
Dhe save që për Qiell hedhin flagë,
Nga Kull’ e Natës Korbi u bërtet:
“Të çmëndur! S’ka as lart as poshtë çpagë!”

52

Me vajzën në prënver’ e në lëndinë
Me Këngën, me Lahutën, me Dollinë
Dëfrej: le të më shajnë; s’më ha malli!
Këtu e gjej Parajsën, Perëndinë.

53

Me Ver’ e Valle, me Huri - në pastë,
Te vija në lëndin’ u shtri - në pastë,
Dhe humbi fare Ferr’i zi - në pastë,
Dhe ja, Parajsa na u gdhi - në pastë.

54

Një kupë Verë, mor Saki - ta puth!
Vajzën e bukur si selvi - ta puth!
Atë gërshet si lak të zi ku kapet
I urti plak e djal’i ri - ta puth!

55

Nem kupën dhe këndo një melodi,
Me Engjëj dhe Bilbilë simfoni:
Se Vera qesh, këndon, kur rrjeth nga shishja
Dhe s’duhet pirë veç me brohori.

56

Me gjithë Trëndafijt’ Irami u shua,
Qelqi magjik Xhamshid u çduk në prrua,
Po prapë Vreshta Rrush rubin na nxjerr
Dhe kopshti lulëzon ku rrjeth një krua.

57

Shih, mijëra burbuqe lulëzojnë
Dhe erët mijëra përdhe rrëzojnë;
Dhe ditët që na sjellin Trëndafilin
Xhamshid e Kaj-Kobad na i çkallmojnë.

58

Po eni me Khajamin dhe ia shtroni
Dhe Kaj-Kobad e Kas-Khosro harroni:
Rustemi le t’ju ftojë në kushtrim
E Taji në zijafet, mos i dëgjoni.

59

Eja, mbush Kupën e në zjarr gëzimi
Vërvit çdo vrer e helm të zi pendimi:
Se Shkab’ e Kohës Jetën na shkurton,
Dhe shih se sa shpejton nga fluturimi.

60

E Dashur, mbushma Kupën që kthjellon
Të sotmen nga vreri q’ikën, tmerr q’afron:
Po nesër? nesër ndofta fryra, humba
Në shqotën ku e djeshmja fluturon.

61

Na fryri dita, mor Saki: sill Verë!
Jetën s’e shohim përsëri: sill Verë!
Bota një her’ u mbyt në kataklizmë,
Ashtu u mbytshim me Dolli: sill Verë!

62

U bëra prapë djal’ i ri: sill Verë!
Kërcej me flag’ e lumturi: sill Verë!
S’ka gjë, në qoftë e hidhur, mor Saki,
Si jeta ime në Persi: sill Verë!

63

Sakinjtë derdhin Ver’ e vala rrushi,
Në zemra shuajn’ afsh’ e avull prushi:
Lavdi, o Zot, se dhe këtë ballsam
Që na shëroi e me shëndet na mbushi.

64

Si merimanga vallë pse ta tjerim
Perin e Jetës, kur pastaj e çtjerim?
C’do të fitojmë kur aspak s’e dimë
Frymën që marrim jasht’ a do ta nxjerrim?

65

Në Nishapur ose në Babilon,
Me Kupën që tharton e ëmbëlson,
Fletët e Jetës një nga një na bien
Dhe lëngu i saj pa reshtur na pikon.

66

Ah, mbushini Kupat! Zemra na thërret,
Se Koha nëpër këmbë po na shket:
E djeshmja vdiq, e nesërmja s’na gjen;
C’mërziti kur e sotmja ka lezet?

67

Ditën e shkuar fare e harro
Dhe për të nesërmen mos u mendo:
Gëzo një çast të lumtur, faqebardhë,
Dhe Jetën n’erë mos e çkatërro.

68

Për nesër mos u verdh sa pa e parë,
Të sotmen e gëzo, mor djal’ i mbarë:
Shpejt ikim nga ky Han e hasim shokët
Që shkuan shtatë mijë vjet më parë.

69

Me Buzët trëndafilen shtatselvi
Këndo e nat’ e ditë zbras Dolli:
Se nesër Vdekja fryn, te çthurr si lule
Dhe fletët t’i përmbledh në Dhe të zi.

70

Të shkuarat mos i kujto me lot
Dhe për të pritmet mos u loth më kot:
Sa kohë në luadhin je, kullot;
Nga drapr’ i Vdekjes nukë shpëton dot

71

Buza që puth e Vera që po pi
Vërtet mbarojnë dhe ato si hi:
Po sot të paktën je një hi i gjallë,
Gëzohu sa s’kalon në Hiç të zi.

72

Sa kohë po vazhdon kjo Jet’ e ngratë
Për qafe kape Qiparisn’ e gjatë.
Se nesër Mëmë-Dheu do t’të kapë
Dhe posa të pushtoi s’të lëshon prapë.

73

Sa nga të dashurit mbi këtë bar
Që m’emëruan për trashëgimtar
I zbraznë Kupat rrotull nja dy herë
Dhe heshtn’ e zbritnë një nga një në varr.

74

Më shkuan shokët! Vdekja pa mëshirë
M’i shtrydhi një nga një si Rrush në Tirë:
Festuam, pim’ e biseduam bashkë,
Pastaj u shtrin’ e thanë: “Lamtumirë!”

75

Dhe ne, që sot dëfrejmë në lëndinë,
Ku pleqtë na bekuan me Dollinë,
Dhe ne në shtrat të dheut do të zbresim
Dhe do ta zbrazim vendin për risinë.

76

Si lot pikon nga Qiell’i mvrojtur shiu
Sis’ i jep lules si një çilimiu;
Nga varri bukën ia mëkon njeriu:
Bga pluhr’i tij kjo lul’e bukur mbiu.

77

M’i kuqi Trëndafil i çdo behari
Nga toka mbin që piu gjak Qesari:
Në gji të kopshtit manushaqja shket
Prej faqes Vajzës me ulli nga Varri.

78

Dhe kjo lëndin’ e njomë që po çel
Bregun e lumit ku tani po ngel,
Ah, pshtetu leht’ e but’ e mos e shkel,
Se s’di nga cila buz’ e bukur del.

79

Ah, Trëndafili me prënverën shkon
Vjeshta risisë fletët ia rrëzon:
Bilbili, që në degët i këndon,
Ikën - e kush e di ku fluturon?

80

Ah, pini dhe Khajamit shtjerini!
Profetët le të flasin, lerini!
Një gjë ësht’ e vërtetë: Lulja vdes,
Si lulëzon, - dhe profkat prejini!

81

Cdo shpresë që në flakë na përfshin
Shuhet e bëhet hi; a shkrepëtin
Mbi kum të shkretëtirës si dëbora
Një or’ a dy - dhe menjëherë shkrin.

82

Në Dhe, o shpirt, të mirat si për Mbret
Dhe gazet e dëfrimet plot lezet
S’të janë veç si ves’ e lulevet,
Që ndrit menatë dhe pastaj humbet.

83

Edhe ay që mbleth e shin flori
Edhe ay q’e heth, e derth si shi,
Kur vdesin nukë bëhen ar e mjaltë:
Po kalben, myken nënë Dhe të zi.

84

Te ky Karvan - Saraj faqekëmbyer,
Që netët edhe ditë ka për dyer,
Sulltanë pas Sulltanëve u shtruan
Sa ish’ e thën’ - e iknë të pakthyer.

85

Ja, sot gas paske dhe shëndet: pastaj?
Ja, mot të patshim si simvjet: pastaj?
Ja, qofsh i lumtur një qint vjet: pastaj?
Ja, për çudi, dy qint si mbret: pastaj?

86

Dhe tre qint vjet të rrosh e plot me dritë,
Këtejza do të shkosh me lot një ditë,
Qofsh Mbret i lart’ a lipës i ngratë
Në trap do të mbarosh pa mot i mpitë.

87

S’banojnë veç luanë dhe zhapi
Në sallat ku Xhamshidi u shtri, u pi:
Bahrami, që me lak onagre kapte,
U lak, u kap në llom’ e pellgpusi.

88

Kështjella gjer në Qiell një herë ndriti
Dhe Mbretër e Qesarë brënda priti:
Përmbi gërmadha tani qyqja qan:
“Ku vajti, ah! ku? ku, ku zbriti?”

89

Nga mur’i Tusit Korbi po vë re
Kafkën e Kaj-Kavusit tej përdhe
Dhe kujës ia kërcet: Kaj, Kral i Ngratë,
Daullet dhe trumbetat ku m’i ke?

90

C’fitova nga të gjith’ andrallat? Hiç!
Dhe nga mundimet e vërdallat? Hiç!
Sa para bën se sot jam Yll e Dritë
Kur shuhem nesër, shkoj me prrallat? Hiç!

91

Aristotel ndriçofsh, ngrysesh e hump!
Qesar çdo fron zaptofsh, përmbysesh, hump!
Qelqin Xhamshid kungofsh, thyhesh e hump!
Bahmar u lavdërofsh, mbytesh e hump!

92

Ah, Rrot’ e Qiellit vrasëse, mizore,
Sa shtyp e shtrydh në Tirën shekullore:
Ah, Dhe i zi, në gji sa xhevahire,
Përpin, e sa dafina prej kurore!

93

Ah, Zot, që botën me një urdhër themelove,
Sa e sa zemra copëtove e shove:
C’burbuqe buzëkuqe, flokëzeza,
Pa lulëzuar në qivur m’i shtrove!

94

O Racë Njerëzore e verbuar,
O Hiç, mbi Er’ e Pluhër e ndërtuar,
O Hiç, e korkolitur mbi Avushën,
Përball’ e pas prej Hiçit e rrethuar!

95

Apo mos e harruat Historinë
Që Botës i dha Dritën, Diturinë,
Se Zoti me ca Llom’ e Baltovinë
Sipas fytyrës s’Tij gatoi Njerinë?

96

Krijesa zbardhëlloi, Parajsa leu,
E para krijatyrë del nga Dheu:
Po pak qëndroj! Një drapër Vdekja këreu,
Adamn’ e shkret’ e korri, e rrëmbeu.

97

Si en’ e bën me mend e thellësi,
Kuror’ i thur me nder e me lavdi:
Pastaj Poçari Kryeveprën kap
Dhe e dërmon përtokë, e bën hi.

98

Pse pra mërziti për mjerimn’ e zinë?
Kështu e bëri Zoti Njerëzinë:
Krijesa llome, mbrujtur vrer e helm,
Vajtojnë pak e çduken në Greminë.

99

Njeri, Margaritari i Krijesës,
Q’u shove nga tortyrat e Jetesës,
Pi Kupën e harrimit e të prehjes,
Ckulu nga pellgu i frikës dhe i shpresës.

100

Përulu Fatit tiranik e vrer,
Pi Verë, mos përfill Parajs’ e Ferr:
Linde nga Pluhuri, në Pluhur kthehesh,
Sa je mbi Pluhër, lagu, mos u ter.

101

Ah, kap e kap çdo gas e çdo dëfrim
Në Pluhër sa pa zbritur për pushim,
Pluhër në Pluhër, nënë Pluhurin shtrirë,
Pa Ver’ e Këng’ e Grua - pa mbarim!

102

Pi, pi sa kohë ligjëron Bilbili,
Puth, puth sa ësht’ i çelur Trëndafili,
Dhe Kupën plot shafran pa drithm’ e zbras
Kur të ta japë natën Xhebraili.

103

Një çast nga Pus’i Jetës të ngjërojmë
Dhe para se të vdesim ta gëzojmë:
Se Yjt’ u shuan dhe Karvani u gdhi
N’Agimn’ e Hiçit! - Oh, le të nxitojmë!

104

Pra, si Zambaku që me sy përpjetë
Pret vesën gojëhapur lart nga retë,
Ashtu dhe ti, se nesër u përmbyse
Si Kupë bosh me kokën tatëpjetë.

105

Kur të gjesh Verë, pije pa mejtuar,
Kur të gjesh Vajzë, puthe pa pushuar,
Se as për mjekrën tënde as për timen
S’kujdeset Zot’i Math i lavdëruar.

106

Rrot’ e çkujdesur po vërtit Dynjanë,
Shenjtorët nuk ja shqitnë dot Davanë:
Kij mendjen, nesër vdes, merr ëndrra fund,
Të piu varri, krimbat do t’të hanë.

Lëviz, Khajam, se Kup’ e Vdekjes vjen,
Se Fati nënë Rrotë të mbërthen:
Pi Lënk, puth Lule! Lart në Qiell s’i gjen!
Se Feja me Parajsën të gënjen.

Mos u mërzit me punë Perëndie,
As me andrralla e profka Njerëzije:
Mbyti të gjitha në duman të Verës
Dhe loj me Trëndafij e Rrush Hardhie!

Munxosi Qiejt’ e shurdhër që shkelmuan
Cdo lutje që të mjerët u drejtuan
Dhe kap Dollin’ e përqafo Selvinë:
Kush na u kthye nga ata që shkuan?

Gjer kur, gjer kur do të përpiqemi,
Me Fe e sherr Sheri të piqemi?
Më mirë lagemi me Lënk prej Rrushi
Se sa me vrer për hiç të ligemi?

Me mjekrën çdo Tavernë ta kam fshirë,
Parajsës i kam thënë: “Lamtumirë!
E bukur je, po nukë bën për mua!”
Kërkomëni në Vreshtë dhe në Tirë.

Për Ligjë kam për ditë të dëfrej,
Për Besë kam çdo Fe ta kapërcej;
Kur mora nuse Jetën, s’deshi pajë;
Më tha: “Gas pafsh, atë pagesë vlej”.

E dini, o miq, se në kasollen time
Dasmë të re kam bërë me dëfrime:
Tri her’ e ndava Fen’ e Arësyen
Dhe mora nuse Rrushkën Serafine.

Për Qënien dhe Mosqënien jam munduar
E Qiell e Dhe kam matur e peshuar:
Po që të gjitha i hodha n’erë! S’jam
I thellë veç në Verën e Kulluar.

Kur isha i ri, kujtoja se e gjeta
Pallatin ku shkëlqente e Vërteta:
Tani q’u mplaka di që s’dija gjë
E që s’di hiç nga Bota dhe nga Jeta.

Kur isha i ri, me zell, me mall po milja
Doktorë me Shenjtor’ e trobolitja
Të thella argumente: po përherë
I marrë hyja dhe m’i marrë dilja.

Me ta të Lartën Urtësi e mbolla,
Me dorën tim’e rrita, e pështolla,
Dhe kjo ish tërë pema që m’u fal:
“Si ujë zbrita, dhe si erë dolla!”

Në Botë, dhe pa ditur as përse
As nga, po rrjedh pa dashur si rrëke,
Dhe jashtë saj si er’ e shkretëtirës,
Pa ditur ku, po fryj te Nat’ e Re.

Si zok nga pylli sterr’ u arratisa,
Për një fole në ferr’ e driz’ u grisa:
Po prinjës që di Udhën gjëkunt s’gjeta,
Nga dera q’u vërsula jashtë krisa.

Me Ujë hiçi Balta m’u gatua,
Zemra me zjarr e vrer m’u përvëlua:
Fryja në Botë si një flak’ e marrë
Dhe shkrumbi im në tym u çkatërrua.

C’fitoi me ardhjen time Gjithësia?
Me ikjen a m’i prishet Bukuria?
Përse me kaqë lot po vijm’ e ikim?
Pyes më kot, - s’përgjigjet Përëndia.

Kur shoh një faqelule bukuri
Syengjëll, erëmyshk, e shtatselvi,
Pyes: Pse, Zot, këtë Huri e çove
Në këtë fushë plot me lot e zi?

Si flagë digjemi: Ku shuhemi?
Si tym vërtitemi: Ku turremi?
Si fishkemi e shtrydhemi, kufoma
Në Llomë kllitemi: Ku mbruhemi?

Të kthjellët lindim dhe të mvrojtur vdesim,
Me gas ia nisim dhe me vaj ia presim:
Me lot e zjarr e vrer të përvëluar
Në tym shpirt japim e në Varr po zbresim.

Këtu që nga padashur po kërcasim
Dhe që këtej pa dashur ku po shkasim?
Kupë mbi Kupë Verë sillnani
Këtë mallkim ta mbytim e ta vrasim.

Në Botë s’ndisja, po s’më ke pyetur!
Në varr s’kërcisja, po s’më ke pyetur!
Zot, më zvarrisni me pahir, se s’lintja
As rroja as vdisja, po s’më ke pyetur!

Në Vijën që përshkruaj në Jetim
S’gjej Pikënisje, s’gjej Pikëmbarim:
Nga arthmë s’pamë dhe ku vemi s’dimë,
Hic krejt, Hic mezi, Hici përfundim.

Një Qark, si un’ e ti, po përvijojmë,
Që jemi lark e s’piqemi vajtojmë:
Po në një Pikë po e mbyllim Qarkun
Dhe puthemi në Varr, në hiç pushojmë.

Nga qëndr’ e Dheut në Qiell të Shtat’ u ngjita
Në fronin e Saturnit u avita
Dhe shumë lithma e kolla zgjidha udhës
Po Fatin e Njeriut nuk e shqita.

Një derë ka që Celësin s’ia gjejmë
Dhe ka një vel, me sy s’e kapërcejmë:
Pak muhabet këtu, jo ti, jo unë,
Pastaj dhe un’ e ti në tym kërcejmë.

S’përgjigjet Dheu as Deti që mban zi
Me vala t’errëta për Perëndi,
As Dit’ as Nat’ as Hën’ as Yjt’ as Qielli,
S’përgjigjemi e heshtim un’ e ti.

Dhe Qiellit rrotullonjës i thërrita
Dhe e pyeta: “Cila është Drita
Për djemt’ e tu të humbur në errësirë?”
“Një mendje e verbër!” tha një zë nga prita.

Ahere Poçen po rrëmbej si burrë
Dhe Zjarr e Shenjt’ e gjej në këtë furrë;
Ajo më pëshpëriti buzabuzës:
“Pi, puth, se posa vdiqe, s’ngrihesh kurrë!”

Dhe Poçja e skalisur dhe e larë
Ka rrojtur e ka bërë qef me barrë:
Dhe buz’ e saj e ftohtë dhe e njomë
Sa puthje mund të japë dhe të marrë!

Kjo Poçe, si dhe unë, qe njeri
Q’u doq për një Gërshet e një Selvi:
Kjo dorëz ishte krah; e përqafonte
Vajzën e rrallë plot me Dashuri.

Një ditë, më të ngrysur në pazar
Një poçe po artonte një Poçar;
Dhe poçja gjuhëmpirë murmuriti:
“Ngadalë, vlla, e mos mer aqë zjarr!”

Punonte në dyqan të tij Poçari,
Një Poçe po artonte nga pazari:
Lëfyti ish një kok’ e një Qezari
Dhe dorëza nga dor’ e një lipsari!

Dëndroje dorën, mor Poçar mizor,
Që garbe bën me trupin njerëzor:
Shiko, Khosroit me çark ia shtype zemrën,
Dhe gishtin Feridunit mbretëror.

Njëndizaj në qoshen jam penguar
Dhe ah! e theva Poçen e bekuar;
Më tha: “Si je, kam qenë; dhe si jam,
Ashtu dhe ti je nesër i dërmuar”.

Dhe mos kujto se Jeta rregullon
Hesapin tënt e timin dhe mbaron;
Flluska si ne ka Dete dhe miriade,
Saki-Vigani derdh e s’nëmëron.

Kur un’ e ti të prehemi të mekur
Do të vazhdojë Bota e pavdekur,
Që ardhjen ton’ e ikjen i përfill
Si val’ e detit rërën e përpjekur.

Pas nesh kjo Botë tutje shkon një soj,
Dhe ty dhe mua na harron një soj:
S’e vuri re që diç mungon, kur s’ishim,
Kur vdesim, s’ndrron e s’ngel, vazhdon një soj.

Mi Dhe e nënë Dhe gjum’ i paprerë,
Mi Dhe e nënë Dhe trupa të nderë;
Ah, Hiç kudo, e shkretëtir’ e Hiçit!
Si hije vijm’ e shkojmë në Skëterrë.

Dhe kur më kot mbi Tokën e pakapur
Apo mbi Qiell, mbi derën e pahapur,
Sheh sot kur ti je ti, po nesër ç’bën
Kur s’je më ti, po hi në Hiç përhapur?

Do t’ikim doemos! Përse pra rrojmë
Dhe shpirtin me dëshira kot mundojmë?
Mbi Dhe pa punë kur na arratisi
Në Qiell shpëtim prej Tij si të shpresojmë?

Cudi, asnjë i vdekur s’dha një shenjë,
Asnjë s’u kthye Udhën të rrëfenjë
Për Ferrin, për Parajsën a për Hiçin,
Po vet’ u dashka cilido t’a gjenjë!

I varfëri nga mendja po beson
Që Shpirti krejt nga Trupi po ndryshon:
Po Vera e përgënjeshtron e para,
Se Shpirt e Trup në Dehje i bashkon.

Kur Shpirti muntka veten ta çlirojë
Nga Trupi dhe në Qiell të fluturojë,
Nuk është trup e turp që Baltovina
Ta ndyj’ e ta burgos’ e ta verbojë?

Si në një çergë ku pushon një grimë
Sulltani i drejtuar në Greminë:
Sulltani ngrihet, ikën, tenda çthurret
E thurret përsëri për më të rinë.

Shpirt, i dënuar gjak për të pështyrë,
Për të duruar kot e kot tortyrë,
Në këtë Trup të ndyrë pse ke hyrë
Kur prapë jashtë paske për të fryrë?

Dërgova Shpirtin lart në Qiell mbi retë
Dhe n’Errësirën posht’ e tatëpjetë:
M’u kthye pasi e zbuloi Mysterin;
Më tha kështu: “Parajs e Ferr jam vetë”.

Diell. vizion dëshire të mbaruar,
Ferr, hij’e zez’ e Shpirtit përvëluar,
E hedhur n’Errësirën nga po dalim
Dhe ku po zbresim për të perënduar!

Kjo botë: Endrr’ e shkurtër që shikojmë;
Ky lumë; Gjyrm’ e lotit që lëshojmë;
Ferri: Shkëndij’ e zjarrit që kalojmë;
Parajsa: çast’i prehjes që gëzojmë.

Shenjtorët dhe Doktorët, që bërtitnë
Më kot për të dy Botët, u vërvitnë
Në Pluhur: fjalët ua mori era,
Me Baltën e me Llomën u nemitnë.

Zbulimet, që Profetët na zbërthyen
Dhe për këto mbi Kryqe u mbërthyen,
S’janë veç ëndërra që na rrëfyen
Pas gjumit - dhe pastaj në gjum’ u kthyen.

Arrinë gjer në kulm të Diturisë,
I ndrinë si pishtarë Njerëzisë:
Po n’Errësirën Udhë s’çanë dot,
U mbytnë nëpër gropa t’arratisë.

Mysterin sa e sa më kot po tarrë
Gjer sot asnjë përgjigje s’kanë marrë;
C’gojë memece, Evë, puthe vallë
Që na ke bërë shurdhër e të marrë?

Një Vel Mysteri kemi për kufi,
Ta çpojë syri ynë s’ka fuqi:
Në gjoks të Dheut jemi si në burg;
Ajme! Sa e gjat’ e hidhur histori!

Nga Qielli e Vërteta nukë zbret,
Me Dij’e Shkencë Udha nuk iu gjet:
Se Udhë s’ka, se s’na e kap dot truri
Dhe syri ynë gjurmën e humbet.

C’e shtyri këtë Qiell të rrotullojë
Dhe ç’dorë më në fund do ta dërrmojë
S’gjendet në Botë kurrë kut ta masë,
S’gjendet asnjë kandar që ta peshojë.

Natyra ësht’ e mbetet një çudi,
Enigmat nuk ia zgjidh dot asnjeri:
Askush s’del dot nga qarku i forcës s’tij,
Dhe mbetet mjeshtri plak çirak i ri.

Darkove tërë Tokën? S’është hiç!
Gërmove tërë Botën? S’është hiç!
Thellove dokrra Feje, kokrra Shkënce,
Ia çmove Fatit Rrotën? S’është hiç!

Në Hapësirën Dheu: koqe lumi!
Dija dhe Shkënca jonë: fjalë lumi!
Njeriu, kafshët, lulet: flluska brumi!
Jeta dhe lufta jonë: ëndrra gjumi!

Kjo Botë me shkëlqime s’është hiç!
Ky Qiell me Serafime s’është hiç!
Ky fron i Jetës plot me ëndërrime
Na varret mbi një qime, s’është hiç!

Nga Rrot e Fat e Zot s’kuptova hiç
Dhe veç dyshimeve s’fitova hiç:
Për Dijen shtatëdhjetë vjet luftova,
Më kot i humba, nuk zbulova hiç!

Të paskan parë ca të shenjtëruar
Kur unë me qiri të kam kërkuar:
Bëj ç’mund, po je dhe mbetesh i mbuluar:
S’të gjej gjëkunt: më ndje, Zot i Bekuar!

Ah, këtë copë rrojtje mos e nxi
Rrotull Mysterit - shpejt, mor djal’ i ri:
Një qime ndan Gënjeshtrën nga e Vërteta -
Dhe përmi ç’gjë, të lutem, varesh ti?

Një qime ndan Gënjeshtrën nga e Vërteta
Dhe Celës një Elif të vetëm gjeta:
Gjeje dhe ti, si un’ i verbëri -
Dhe ndofta shkojmë drejt te Vetë Jeta.

Rrjeth tinës në çdo dell, në çdo krijesë,
Dhe shkel si hidrargjir nga çdo kërkesë:
Cdo formë merr; të gjitha format shuhen,
Ay s’po vdes - S’ka funt e s’ka mbaresë!

Posa e devinojm’ e na shpëton
Prapa kurtinës ku dramatizon
Të vjetrën lodër të përjetëshme,
Që vet’ e vepëron, Vet’ e shikon.

Gazmorët që me Kupën po festojnë,
Shenjtorët që Xhamive vigjëllojnë
Në Det humbasin pa liman, pa funt;
Një rron e s’fle, të tjerët flen’ e shkojnë.

Me mall e tërë bota e kërkon,
As kamës as i varfër s’e zbulon:
Bërtet, po vesh’i shurdhër s’e dëgjon,
Shndrit, po syr’i verbër s’e shikon.

Dan pika: “Ah! Sa lark nga Deti jam!”
Dhe Det’i jetës qesh: "Më kot po qan;
Se tok të gjithë jemi Perëndia;
Një qime vetëm, Koha, po, na ndan.

Parad’ e zbrazët, ëndërr është Bota,
Dhe s’gjëndet nga e qysh i kthehet Rrota:
Me Dehje dhe me Gas i zbukurohen
Illuzionet, gjepurat e kota.

Nga vallë lint kjo Fantazmagori?
S’tregohet dot, e vetëm kaqë di:
Ngrihet si re nga Det’i Gjithësisë,
Kthehet si shi në Detin pa kufi.

Se lart e posht’ e rreth sa po shikojmë,
Të gjitha një fener magjik formojnë
Me Diellin si një qiri në mest
Dhe ne përqark fantazma vijm’ e shkojmë.

Jemi një lodër shah me net’ e dit’
Ku Fati njerëzit si gur’ i qit:
Andejkëtej i lot, i vret’ i ther -
Dhe një nga një t’i hodhi në kutit.

Dhe topthi as për po as jo s’pyet,
Po fluturon për ku Lodrari e nget:
Ay q’e heth në lëm’ e di përse -
Ay e si - Ay e di vërtet.

E Madhja Dorë shkruan me shkëndijë,
Dhe fletën kthej: dhe asnjë fjal’ e vijë
Nuk ësht’ e mundur kurrë që të shihet
Me lotë a me lutje a me dijë.

Doktorët, fillosofët le të flasin, -
Nga thonjt’ e Fatit nukë do të shkasin;
S’jemi veç hallka në Zinxhir e s’mundim
As t’ikim as ta thyejm as ta ngasim.

Dhe ky çetur përmbys, ky Qiell i vrarë
Ku të burgosur rrojm’ e vdesim zvarrë:
Mos i kërkoni ndihm’ e sypërpjetë,
Se rop si ju vërtit, mor të marrë!

Njeriu i funtm’ u mbrujt nga Balt’ e Parë,
Të korrët sot del nga e Para Farë:
Mëngjez’i parë i krijesës shkroi
E funtmja ditë ç’gjë ka për të parë.

Qëkurse Gjithësia u krijua
Dhe Qielli me gjith’ Yj kur u gatua,
Një kopsht për Trupn’ e Shpirtin m’u caktua,
Ashtu sikundër u predestinua.

Cdo dell m’u tor prej Zotit me Hardhi;
Ah! le të llomotit ay Sufi:
Un’ e kam gjetur Celësin për Derën
Ku leh ay me buj’ e patërdi!

C’m’u dirse e ç’m’u thave si skeleti
Për Pus Mysteri e Labyrinth Kësmeti!
Në dorën tënde s’mbeti plan i Votës;
Allahu, kur e vëri, s’na pyeti.

C’kërkon të gjesh nga rrodhi Bota?
Gëzo të sotmen, let belat’ e kota:
C’më qahesh? Zaret s’munt t’i loç
Veç se ashtu si t’i ka hedhur Rrota.

Kur vete mirë, lavdi pastë Zoti!
Kur vete keq, më kot po derdhet loti:
S’pyetesh as për gaz as për vajtim;
Durim! - Kështu i Urti tha qëmoti.

Ka vetëm për të marrët lumturi,
Për t’Urtët s’ka veç vrer e qesëndi,
Pi Verën pra, e cila të maron
Me motrat Lumturi e Cmenduri.

Shigjetat m’i pusho, o Fat, aman!
Për plagët e miplagët nem derman!
Posa të marrë mbron, Baba, tamam,
Jam fjesht Yt bir, i urt’ i mënçur s’jam.

Dinaku Fat po buzëqesh, kij mendjen!
Se befas me kamçik ta ngjesh, kij mendjen!
Helm si sheqer të kllet në gojë shpesh,
Mos e gëlltit, të vret rrebesh, kij mendjen!

Jetesa rregullisht pas Urtësisë
Si ësht’ e mundur kurrë Njerëzisë:
Se Zoti Fat me një kamçik në dorë
Na prin nëpër hendeket t’arratisë.

Muzikën Qiellit nuk ia kam dëgjuar,
Buzën e qeshur nuk ia kam shikuar:
Pa marrë frym’ i lumtur për një çast
N’Avushën prapë më ka qethulluar.

Me vrer për ditë Fati po na des,
S’jep gas që s’na e vjeth me interes:
Ta dinte i palinduri s’na lintte,
I linduri më mirë bën kur vdes.

Pa prerë më ndjek këmba-këmbës nëma
Me lot vjen dita dhe pa prehje mbrëma:
Ta dinte ç’flamur helmi kish në bark,
S’më nxirte në mejdan askurrë mëma.

Dritën ma nxive, Zot, zemrën ma theve,
Gazin ma çore, shpresën ma rrëmbeve,
Ujën që pi ma bëre vrer dhe erën
Që respiroj në zjarr ma ktheve.

Khajam, që Tendën e Mësimit rrite,
Në Furrën e Greminës ja ku zbrite;
Ta pret gërshër’ e Vdekjes pen’ e Jetës,
Nga thonjt’ e Fatit me tërbim u shqite.

U çqepa e u rropa, Zot, shëromë!
Nga Rrot’ e Kryq u ngopa, Zot, shpëtomë!
Një her’ e mir’ e tok, jo copra-copra,
Si top me vrap te gropa sot shkelmomë!

O Zot, më mirë shuaj nga tefteri
Shpirtin e një të ziu e të mjeri
Sa sa ta rritësh pikë-pikë prruan
Ku rrjedhin njerëzit si vala vreri.

Sikur të merrte Engjëll’i bekuar
Librën, që Fat’i shkretë më ka shkruar,
Për ta rishkruar, për ta mirësuar
Ose më mirë fare për ta shuar!

Të gjendej ah! Luadhi i Mëshirës,
Ku t’arratisurit e Shkretëtirës
Të preheshin, dhe qindra vjet pastaj
Të ngjalleshin, si lulet, pas dëshirës.
Raportoje E identifikuar
Ngeja eshte e zene me pune.
delfina krasniqi

201

Të mirat Botës son’ ia studiova.
Kudo pa vënt, pa hie ia zbulova:
Lavdi me Ty, o Zot! Të paktën unë
Nga çdo e mirë tutje u shkelmova.

203

Ah! Vera shkon në derë të myftinjve
Dhe Kryevegla n’arkë t’axhaminjve:
E Bukura e Dheut flë në shtrat
T’eunukëve, në djep të çiliminjve!

204

Mos qaj, or mik, mos u mërzit më kot,
Se Rrotën Botës nuk ia ndreqim dot:
Po rri mënjan’ i qet’ e bëj sehir
Shakatë që na bën i Madhi Zot.

205

Profetët le të lehin hu mi hu
Për Providenc’ e Perëndi me tru:
Eni, me Poçen shtrojani këtu,
Dhe losni me Atë që lot me ju.

206

U dashka që ta lë ballsamn’ e Verës
Nga frik’ e zez’ e vrerit të Skëterrës,
Ah, për shërbetn’ e Qiellit që do t’pi
Kur të më thahen koskat prapa ferrës!

207

Kurani thotë, Qielli ka Huri
Të bukura dhe Verë me gosti:
Posa pra ësht’ ashtu, o Perëndi,
Stërvitem që këtu e që tani!

208

Në qoftë se Parajsa jote s’qas
Veçse ata që lodhen me namas
Dhe s’duan Ver’ e Vajza, pa dyshim
Asnjë njeri s’të hyn në atë kafaz.

209

Parajsa paska Vajza syshkëndija,
Me Ver’ e mjaltë, lum’ e kronj e vija;
Saki, më sill një Kupë shpejt! Më mirë
Në dorë njëja sot se nesër mija.

210

Ay që ka në zemër Urtësi
S’lë asnjë çast t’i shkojë pa dobi;
Po adhuron një Dashuri qiellore,
Dhe Kupën kap me Ver’ e zbras Dolli.

211

Të Madhit Muhamet i çon selam
Dhe e pyet Imami Omar Khajam:
"O Pejgamber, më thuaj, mor aman,
Pse dhallën bën hallall, Verën haram?

212

Përgjigjet Muhameti me selam:
“S’më more vesh, Imam Omar Khajam!
Dhalla hallall për lolot, mor aman,
Verën për t’Urtët nuk e bëj haram!”

213

Kur pi, disa besnikë plot me Shpresë,
Më thonë: “Vera ësht’ armik i Fesë”,
O burrani, pra, Kupat mbushini
T’ia pimë gjakun qenit të pabesë!

214

Posa e bëri Zoti në fillim,
Hardhinë pse m’a thurrni me ndalim?
Thomëni, kur s’e njihni për besim,
Kush e ka vën’ atje këtë mallkim?

215

O vlla i mjerë, mos u mbyt në zi,
Se vijës s’Vreshtës bëji Dashuri;
Nga nën’ e ëmbël rrodhi bij’ e keqe,
Po Bija ka më tepër bukuri.

216

Vera, vërtet, më doli e pabesë,
Se më largoi prej Zotit e prej Fesë,
Po fajn’ e ka Sakiu: S’ia diti vlerën;
Kur t’ia mësojë, nukë do t’ma shesë.

217

Dëfrimet që kam dashur më verbuan,
Në sy të Botës krejt më turpëruan;
Ma mbytnë nderin në një Qelq të lik
Dhe namin për një metelik ma shuan.

218

Dhe shpesh kam bërë be që të pendohem;
Po a jam esëll vallë kur betohem?
Se, posa shoh Hardhi e Trëndafil,
Pendohem për pendimin që zotohem.

219

Pjaniku nukë shpëton dot nga Vera.
Faqia iu nxi, ia mori namin era:
Saki, më sill ca Verë! Cip’ e çjerrur
Më s’qepet dot as zbardhet dot Skëterra.

220

Pa Verë, këtë Jetë nuk e rroj dot,
Pa kupë barrën, vrerin s’ia duroj dot;
Jam mirë vetëm n’atë çast kur shokët
“Dhe njëzë!” thon’ - e unë s’mëkatoj dot.

221

Kur s’pi, jam krejt i fishkur dhe i tharë,
Kur dehem, mbytem, bëhem pus i vrarë;
Kërkoj pra mezin, Jetën çakërqef:
As that’ as qull, po lagur leht’ e larë.

222

Me poçen nënë sqetull, me Kuran në bres,
Kur drejt, kur shtrëmbër, kur për djall bares;
Ajme! S’kam Din e s’kam Iman e s’jam
As i Krishter’ as Mysliman as Putperes.

223

As Kisha as Xhamia nuk më nxe,
Allahu më gatoi s;di me ç’hile;
Si grua pa lezet, Dervish pa Fe,
Në Qiell pa shpresë, dhe pa shtek mbi Dhe.

224

Besnikëve në Kisha dhe Xhamia
U çthurret zemr’ e shpirt më çqetësira;
Po sa Sekretin e natyrës studiuan
S’i trëmp dot Qiell e Ferr me kotësira

225

Shpesh shpirti sulet nga kafazi t’ikë,
Nga Lloma në Liri, pa frikë;
Po thik’ e Sheriatit ia pret krahët
Dhe e çalon, e ngrin, e mpin si pikë.

226

Xhami e Kish’ e Tempull: robëri!
Këmban’ e Minare: një patërdi!
Dervish e Prift e Hoxh’ e Kryq e Hënë:
Pengime që të gjitha për Liri.

227

Në Labyrinth të Besëve kërkova,
Me Porosi e Dogma u qarkova;
Po u gënjeva; s’gjeta lule fare
Dhe vetëm driza t’egëra zbulova.

228

Fe kundër Fesh pa funt luftojnë,
Rrobat e çjerra gjithënjë arrnojnë;
I hodha që të gjitha tej e tutje,
Se Perëndinë s’e përfaqësojnë.

229

“Allahu ësht’ i math!” çirren, këlthasin,
Nga gjëm’ e tyre tunden e kërcasin
Për ditë pesë herë Minaretë:
Ay s’dëgjon. Vajtimet kot buçasin.

230

Disa bërtasin Dogma dhe Besime,
Të tjerë çfryjnë dokrra dhe mohime:
Po kuajve u zbulohet e Vërteta?
Askujt! S’qas pran’ as mu’ as ty kjo Trime.

231

Si, qysh! Nga Hiçi i vdekur të na marrë
E të na japë Shpirt e të na varë
Zgjedhë mbi zverk për gazin e ndaluar
Me zjarr e Ferr pa fund për çdo të shkarë?

232

Si, qysh! Nga krijatyra të kërkojë
Flori për Baltën e të na gjykojë
Për borxhe që s’ia detyrojm’ aspak
E që s’ia lajmë dot! - O Djell, o Shkronjë!

233

Nga tmerr’i Perëndis’ e me pahir
Padrejtësinë nuk e quaj Hir;
Sepse kur s’thom të Drejtën me çekan
S’qas dot në buzë Qelqin Xhevahir.

234

Adamin nga Parajsa pse, o Zot,
E dbove kur na je mëshirë plot?
Për mëkatarët është Hiri Hir;
S’ke Hir kur na e jep me djers’ e lot.

235

Mëshirë! Mbytem në mëkat, në llomë,
Shpirti m’u err, o Perëndi, ndriçomë;
Jo si çpërblim për vepra që s’bëj dot,
Po darovisht Parajsë, Hir dhuromë.

236

Ti hiqma Udhën, ti shpëtim rrëfemë
Ti çilma Derën, Zot, dhe përdëllemë:
Ata që flasin n’emrin tënt gënjejnë;
Nga thonjt’ e tyre, Perëndi, zbërthemë!

237

Vetëm fajtorët, ne, kemi besim
Që mirësia jote s’ka mbarim;
Me një pendim, kush nuk e bën të keqen
Dhe kush e bën s’të ka asnjë ndryshim.

238

Embël gjykon në Qiell Mëshir’ e gjërë,
Po s’më pëlqen kjo Drejtësi me vërë;
E mira e pabërë s’ësht’ e bërë
E keq’ e bërë nuk ësht’ e pabërë.

239

Që ke Mëshirë në Kuran e pashë
Dhe kurrë një mëkat pa bërë s’lashë:
Më thua se më ndih në të këqia;
“Më keq se un’ a ka?” o Zot, të thashë.

240

Të mirat një nga një m’i nëmëro,
Të ligat togje-togje m’i spastro:
Ashtu më bëre dhe ashtu të dolla,
Mëshirë pra dhe Drejtësi trego

241

Khajami vark’ e fajdeve e shtoi
Dhe egjërën nga shpirti s’e qëroi:
Po s’dëshpërohet sa për Hir Qiellor,
Se Njënë kurrë Dy s’e nëmëroi.

242

Kundër së keqes shpirti më lëfton,
Me turp e vrer mëkatet m’i kujton:
Kam shpresë se m’i fal Mëshira jote,
Po prapë turpi mbetet e s’pushon.

243

Mëshirë lyp për shpirtin e burgosur
Mëshirë lyp për gjoksin e brengosur:
Fal dorën që Gërshetet përkëdhel
Fal buzën që puth Qelqin e Xhindosur.

244

A mundin farisjanët zemërngrirë
Për ty të bisedojn’ e për Mëshirë?
Na ndjek në Ferr me zjarr, o Zot, na thënke!
Gjetkë m’i shit ato! Të njoh më mirë!

245

Derën e Shpresës e kam mbyllur vetë,
S’dua të shoh njeri e rroj i shkretë:
Një Ndihmës vetëm kam, Ay e di,
Ay e di ç’kam vojtur nga kjo Jetë.

246

Me bindjen Mbretërin’ un’ a ta rrit?
Me fajet Madhështin’ a ta çukit?
Mos më punit, po falm’ - o Zot - se the
Q’i fal mëkatet shpejt - von’ i punit.

247

Me gryk’ e zemër’ - o Zot - kur më krijove
Dhe Ver’ e Vajza ballazi më shtrove,
E dije pa dyshim që do t’u sulem:
S’kam faj! Kam bër’ ashtu si e caktove!

248

Fytyrën Vajzës ia stolis me gas,
Me Lule, Hën’ e Diell ma përqas.
Pastaj më porosit të mos e ngas!
Tamam: përmbys Dollin’ e mos e zbras!

249

Me baltë më gatove: ç’faj të kam?
Me lesh e li m’arnove: ç’faj të kam?
Mbi ballë dhe të Mirën dhe të Ligën,
Me urtësi m’i shkrove: ç’faj të kam?

250

Me Llomë, dhe me Pluhër kur na kreve
Të Mirën dhe të Ligën na përzjeve:
S’fëjejmë dot pa dijën tënd’e lejen;
Qysh nesër pra na ndjek në Ferr të Feve?

251

Kur t’erren Tok’ e Qiell nga Kijameti
Dhe të përmbyset Bota nga tërmeti,
E kap për rrobe Zotin e i thom:
“S’të kemi faj! S’na dbon dot nga Xheneti!”

252

Vullnet përveç Vullnetit t’tij s’të ka,
Për vepërim Ay liri s’më la,
Si deshi Vetë, çdo gjë ësht’ e bëhet:
Kundër s’i vete dot, - a bën shaka.

253

Më la të verbër e më vuri ****
Në Labyrinth të Jetës në çdo çap:
Më shtyn të bie brenda dhe pastaj
Si mëkatar e si rebel më kap!

254

Rebel t’u sulkam, pse s’më shtyp për dhe?
Në sterr’ u ngulkam, Dritë pse s’më dhe?
Parajsën si një rrogë kur e çkulkam,
Mëshirën, Mirësinë ku m’i ke?

255

O Ti, që me pusi dhe gracka thure
Greminën e përlotur ku na prure,
Që me predestinatën na mbërtheve,
Dënime për mëkate qysh na vure?

256

O Ti, që njerëzit me Balt’ i tore
Dhe me Parajsë Gjarpërin na nxore,
Për çdo mëkat që faqen po na nxin
Epna e merrna ndjesë njerëzore!

257

Më dhe të mjerit mua sqojtësirë
Të mjaftë sa të mbytem n’errësirë:
Po sikur t’ishe Vet - o Zot - njeri,
A do ta deshe këtë tru të mpirë?

258

Në nisje dorëhapur, buzëqeshur,
Me forc’ e me shkëlqim më pate ngjeshur:
Tani më çjerr e më përmbys përdhe!
Përse? C’të bëra që më le të çveshur?

259

Jetën këtej, Vdekjen andej më dhe,
E nesër do t’më shtypësh nënë Dhe:
Veprën e bukur, Zot, përse e prish?
Në qoft’ e keqe, fajin Vet’ e ke.

260

Për Vetëdije miriade vjet
Më le në Botë. Si ma jep, ma pret:
Kur dije q’e merr prapë, ç’ma dhurove?
Përse më ngjalle, kur pastaj më vret?

261

Zot, pse ma theve Poçen e skalisur?
Zot, pse ma thave Kopshtin e stolisur?
Tani më thuaj cili ësht’ i dehur:
Un’ apo Ti, që sillesh si i krisur?

262

Kush rroi mbi Tok’ e s’mëkatoj? Më thuaj!
Ay që s’mëkatoi a rroi? Më thuaj!
O Zot, kur keq për keq ma kthen një lloj,
Mos qënkemi të dy një soj? Më thuaj!

263

Më linde pas dëshirës fuqiplote
Më le të mbytem nëpër llom’ e lote;
Tani tregomë ç’është më e fortë:
Mëkati im, apo Mëshira jote?

264

O Zot, barrën e Jetës lehtësoma
Nga syt’ e turmës çdo kusur mbuloma:
Nem paqen sot dhe pas Mëshirës sate
Kësulën, kokën nesër rrotulloma.

265

Ti, që sekretet na i di të gjithëve,
Që në shtrëngic’ e zi na ndih të gjithëve,
Prit mbrojtjen dhe pendimin tim, o Perëndi,
Ti, që për hiç u fal Lavdi të gjithëve!

266

Vij në Xhami, po jo të të gënjej;
Kur jam atje dëfrim në zemër ndjej
Dhe iki shpresëplot; Vend më të mirë
Të lahem e të fle ku mund të gjej?

267

O Zot, nga vetja ime Ti shpëtomë!
Te lartësia jote Ti afromë!
Esëll, të Mirën e të Ligën njih:
Dua t’i mbyt e dehem! - Mëshiromë!

268

Khajam, me shpirt e zëmër plot mallkim,
Që digjesh në Skëterr’ e në Vajtim,
Prej teje Zoti a kërkoi drejtim?
Cili je ti, që po m’i jep mësim?

269

Kur Ramazani ish më të mbaruar
Dhe kur prisnim Hënën e gëzuar
Në Furrën e Poçarit isha shtruar
Prej Poçeve dhe Shtëmbave rrethuar.

270

Cudi! Si njerëz, mbledhur në pazar,
Ca poçe bisedonin plot me zjarr;
Dhe befas një prej syresh pa durim:
“Kush është Poçe, tha, e kush Poçar?”

271

Një tjatër tha: “Ah, punën e dëfteu
Qëkur Ustaj nga Balta na zbërtheu:
Pra, duke qenë një Krijesë Dheu,
Andej na mori dhe andej na ktheu!”

272

Një tjatër tha: “As foshnja pa gjykim
S’e thyen enën që i dha dëfrim:
Qysh pra Ay që na krijoi me mall
Po na dërmon, na çqyen me tërbim?”

273

Kësaj nuk iu përgjeq askush; po shtoi
Një poçe e shëmtuar dhe pa soj:
“Më tallin si të shtrëmbër; mos i dridhej
Ustajt të vëngër dora, kur m’artoi?”

274

Një tjatër tha: “Na trëmbin me kazan,
Me Ferr e furr; e Djall me katran,
Me Gjyqe, me vërdalla: jane profka!
Se Zoti ka Mëshir’ e ka derman!”

275

Një tjatër Poçe tha me psherëtim:
“Mua më latë fare në harrim;
Po lagmëni, vaditmëni me Verë,
Dhe ja, e mblodha veten pa vonim”.

276

Edhe kështu kur Poçet bisedonin,
Të gjitha Hënën prisnin e përgjonin;
Dhe thirrë pasandaj me brohori:
“Vjen një Saki!” dhe Verën lavdëronin.

277

O Zot, O Drit’ e Vetëm e Vërtetë,
Më lumtërofsh a më dënofsh përjetë,
Me Ty kungoj më mirë në Tavernë:
Se në Xhami s’të puth - e s’rri dot qetë.

278

E gjeti dhe e çpalli Shënt-Elliu
Burimn’ e Jetës q’ëndërroi njeriu
Dhe ma tregoi: tani s’i çkulem dot!
Ver’ e Pavdekësisë më përpiu!

279

Këtu paraja kallpe nukë shkon,
Se menjëherë fshesa e spastron;
Një Shenjt na thirri në Tavernë: “Pini!
S’ka Jetë tjatër! Vdekja na përgjon!”

280

Në Jetë si mi Detin udhëtojmë
Dhe shpejt a vonë mbytemi dhe shkojmë:
Po kemi Zotin midis nesh sa herë
Me Verën e bekuar po kungojmë.

281

S’do Trëndafili? - Gjëmbin prap’ e kemi;
Parajsa s’qas? - Në Ferr të lirë vemi:
Cfryn Minareja - Ja, gjëmon Këmbana,
N’Alltar Kungata pret në re prej kemi!

282

Më thoni që do t’digjem në Skëterrën,
Se adhurova Dashurin’ e Verën:
Aspak! Ju kini vetëm një Ndërmjetës,
Unë kam dy: Kungatën edhe Verën.

283

Një plak të shenjtë, t’urt’ e mjekërgjatë
Kam parë që vraponte që menatë;
I thashë: “Ku po shkon kështu, Uratë?”
Më tha: “N’Alltar për Mesh’ e për Kungatë”.

284

Shoqe të bukura, shokë të zgjedhur,
Me Këng’ e Valle në Gërmadhen mbledhur,
Kungojm’ e puthemi me Dashuri,
Përsipër Fes’ e Qiellit jemi hedhur.

285

Rreth Qelqit u afroni: merrni, pini!
Rrushkat me mall kujtoni: merrni, pini!
Se Vreshta tha: “Ky është Gjaku im,
Q’u derth për ju! Kungoni: merrni pini!”

286

Mystikërisht me frikë iu afruam
Me Bes’ e Shpres’ e Dashuri kunguam:
Nga Vetja ikm’ u tarm’ u transformuam,
Në Vreshtën e Vërtet’ u transplantuam.

287

Te Shpell’ e Shenjtë, natën, nga Alltari
Një Engjëll dolli me stoli prej ari,
Ngre lart Kungatën Vresht’ e Xhevair,
Ma zgjat - fjesht Rrush! - Puth Qiellin mëkatari!

288

Rrush, Ver’ e kuqe, si rubin që rrjeth,
Që qesh nga gryk’ e shishes kur të derth,
Je gjak i zemrës që kërkon Clirim,
Kristali, lot i syrit, rreth të ngjeth.

289

Rrush, Rrush, që me Logjikë absolute
Të gjitha sektet nëpër vrima i fute,
Rrush alkemist, që pistën na e zbardhe
Dhe plumbin Jetës si flori ia zbute.

290

Rrush, o Sulltan Muahmud, o Ngadhënuar,
Ti helmet e ti tmerret ke larguar
Nga shpirti yn’ i ngrysur e i ndryshkur,
Me shpatën tënde ti na ke shpëtuar

291

Na fryn në zemër gas e ngrohtësi,
Na thurr mbi krye drit’ e bukuri,
Na çkul nga dimr’i djeshm’ e brym’ e pritme,
Na thyen hekurit, na fal Liri.

292

Sëlargu shtaz’ e ndyrë u afërua,
Sytym, xhybekatran, as burr’ as grua,
Na tha: “Vera prej Dinit u ndalua!”
Na theu Poçen dhe u shenjtërua!"

293

Mor Hoxh’ i egër, ma mbaro qërtimin,
Mos m’ulëri në dasmën dhe dëfrimin:
Kap me tespie Qiellin dhe Bekimin,
Lermë Hurinë, Poçen dhe mallkimin.

294

Mor Hoxhë, një gjë vetëm më dhuro,
Beko pa folur, mos më prediko:
Un’ ecij drejt, ti ecën fare shtrëmbër,
Se je i vëngër, sytë çap shëro!

295

E ëmbël është Vera me Dolli,
E ëmbël është Harpa, Vallja me Huri:
I ëmbël është çdo besnik që s’pi
Kur lark një mijë parasanga rri.

296

Me etjen Tavernarin e gëzoj
Dhe supet me mëkate i ngarkoj:
Kështu Mëshir’ e Zotit hyn në punë,
Se myshterinjtë gjithënjë ia shtoj.

297

Lus Verën, jam pijanik: po, ashtu jam!
Pagan e heretik: po, ashtu jam!
Të sajin më kujton çdo Fe: jo, s’jam!
I Vetes jam besnik: po, ashtu jam!

298

Kam parë një heremit pa Ligj’ e Fe,
Syrgjyn nga Qielli dhe nga çdo Atdhe;
E njoha dhe pyeta duke qarë:
Më trim se ky, o Zot, a pe?

299

Të vjetrit shok’ e miq më neveritnë,
Të rinjt’ prapë të vjetrat përsëritnë:
Tani kam hequr dorë nga çdo mik;
Kurrë Besnikë miq mi Dhe s’u rritnë.

300

Ky mik i zemrës, ku më var çdo shpresë,
Hap sytë! t’ësht’ armiku m’i pabesë:
Miq mos kërko në turmën posht’ e lart;
Të puthi kush? - Largohu pa vonesë!

301

Miq mos kërko nëpër pazaret kurrë;
Vrerin që s’ka shërim e pi si burrë:
Më kot mos lyp nga miqtë ndihmë; hesht;
Prit buzëqeshur nga armiqtë gurë.

302

Të lik të bëjnë, kur fiton lavdi,
Dhe intrigant, kur rron në vetëmi:
Qofsh pra Profet prej Qielli, Shënt-Elli,
Më mirë mos u njih, mos njih njeri.

303

Mos qas veç shokë t’Urtë në shtëpi,
Largohu nga të marrët pa kufi:
Kur t’ep i marri mjaltë hidhe tej,
Kur t’ep i Urti vrer, e merr, e pi.

304

Të marrët, të stolisur, syverbuar,
Që kurrë me kandilin e pashuar
S’kanë kërkuar natën Drit’ e Shkencë,
Asnjë të Madh s’na lanë pa çnderuar.

305

Rrëmbyen mall, memuriet e ar
Dhe t’Urtin plak e t’urët shkencëtar
E quajnë Gjaur, se s’beson prralla,
Se s’qas mi supet, si ata, samar.

306

Cudi, që parësi e titulluar,
Nga skllavëria kalbur, shtazëruar,
Kur shohin një të varfër po të lirë,
E quajn’ a t’marr’ a të mallkuar.

307

Nga Bot’ e Lartë një Myster m’u zgjidh;
Me ty, Njeri, Krijes’ e tër’ u thith:
Je djall a ëngjëll, shtaz’ a lule e pisë;
Je ç’dukesh; pamja me çdo gjë të lith.

308

Njeriu qënka thelb’i Gjithësisë
Dhe drit’ e syrit t’madh të Perëndisë:
Qarku i Qënies qënka si Unazë
Me vulë xhevair; e Njerëzisë!

309

Kemi në Qiell një Ka me yj të shkruar
Dhe nënë Dhe një tjatër të mbuluar:
Kështu në syt’ e Perëndisë jemi
Kope gomarësh prej dy Qesh rrethuar.

310

Te Bot’ e murme dhe e trumbulluar
Dy farë shtazësh janë lulëzuar;
Ata që paskan çdo gjësent zbuluar
Dhe sa s’të kanë asgjësent mësuar.

311

Ari s’lint Mënt, po Mënt që bukë s’kanë
Në Kopsht të Dheut qajnë si n’hapsanë:
Qesh Trëndafili se ka qesen plot,
Kur Vjollc’ e vafër kokën var mënjanë.

312

A dini pse Zambakun dhe Selvinë
I quajmë symbole për Lirinë?
Kjo një qint duar ka, po s’vret e s’vjeth,
Ay me dhjetë gjuhë, s’e kafshon njerinë.

313

Më mirë bukëthat’ e rrobëçquer
Me ujë rro, i lirë, poçethyer,
Se sa tiran prej skllevësh gjakpërlyer
A skllaf në zgjedhë shtypëse mbërthyer.

314

Mos e përdor për shtypje zgjuarsinë,
Mbaj veten, zotëro me fre mërinë:
Në daç të shkosh në Paqen e përfuntme,
Goditje prit, po mos godit njerinë.

315

Lakmim’ i Trupit ngjan me qen të lik,
Që leh pa funt e gjumin na e fik:
Si dhelpër shket, si ljepur fle syhapur,
Na çjerr, na copëton si ujk armik.

316

Në leqet e ambicjes mos u zir,
Nga thonjt’ e avaricjes mos u çirr;
I mprehtë zjarr, rrëke i shpejt’ u prir,
Si pluhër n’erë mos u drith, u tir.

317

Sa kohë nerva, gjallësi gëzoni
Me burrëri dhe dinjitet qëndroni:
Përballni dhe armiq si Rustem Zalli,
Nga miq si Taj dhurata mos pranoni.

318

Harxhova jetën kot nëpër këneta
Dhe asnjë pikë lumturie s’gjeta:
Tani kam frikë se u mplaka, shkoj,
E s’provoj dot si duhet rrojtur jeta.

319

Ah, nesër Botën plot shamat’ e lashë,
Nga qindra xhevahire njëz’ i dhashë:
Pa folur kanë mbetur qindra fjalë,
Se nuk’ i merrte vesh kjo Bot’ e trashë.

320

Ah, nesër ndahem mga e murmja Botë
Ku shkova një Jetesë krejt të Kotë;
Asnjë s’kam zgjidhur prej Enigmave;
Dyshimi më ka shtypur nënë rrotë.

321

Ah, nesër Fati do të na gremisë
Dhe çdukemi nga Kopsht’i Dashurisë:
O Vajzë, sillmë Ver’ e lagm’ e puthmë,
Dhe prapë nem gëzimn’ e djalërisë.

322

O Hën’ e shpirtit tim e pavenitur,
Ja, Hën’ e Qiellit del nga ret’ e ndritur:
Sa herë do të dal’ ajo si sot -
E kot në kopsht për ne ka për të pritur!

323

Tavern’ e Shenjtë na u çthur me vrima,
Veriu vërshëllen, na grin thëllima:
Ma bëni baltën tulla e m’i mbyllni
Të mos më ngrijnë Verë shokët trima.

324

Për Vdekjen s’dridhem as derth fare lot;
M’e mirë gjë në Botë s’gjendet dot:
Trëmbem nga Jeta që i Madhi Zot
Më kot ma dha - e un’ ia kthej më kot.

325

Pas Vdekjes nukë dua veç pushim;
Se sy e shpirt m’u tretnë me vajtim:
Më keq se sa kam vojtur në Ferr s’ka;
S’dua Parajsë! S’dua veç harrim!

326

Miq, shpresa, Qiell’ e Tok’ e Djaj më lanë,
Zi brënda, lart’ e posht’ e anembanë:
Veç Verës s’më ka mbetur tjatër mik,
Dhe dua dhe në Varr ta kem pranë.

327

Me Verë, kur t’ap shpirt, kungomëni,
Në Verë lamëni, bekomëni,
Me fletë Pjergulle pështillmëni,
Në kopsht me Këng’ e Rrush mbulomëni.

328

Me Pemë, Trëndafij, e me Hardhi
Varrin stolismani, qëndismani:
Rreth meje buzëqeshur shtrihuni
Spërkatmëni me Ver’ e pihuni!

329

Te Varri im me Ver’ e Rrush të shirë
Tym, afshe të lëshojë si një Tirë
Sa kur të shkojë Mysliman’ i mirë
Si në pusi të dehet i papirë.

330

Dhe kur të shkosh, moj Dor’ e këmb’ argjënde
Për të gostitur miqtë në ato vënde,
Ku pinim bashkë, e t’arrish ku rri,
Mos psherëti! - po zbrasmë Kupën tënde.

331

Dhe kur të shuhem nënë Dhe të zi
Dhe kur të bëhem prapë Balt’ e Hi,
Mbrumëni Poçe, mbushmëni Dolli -
Dhe shihni po s’u ngjalla përsëri!

Dhe kur të shuhem nënë Dhe të zi
Dhe kur të bëhem prapë Balt’ e Hi,
Mbrumëni Poçe, mbushmëni Dolli -
Dhe shihni po s’u ngjalla përsëri!

Pas Vdekjes nukë dua veç pushim;
Se sy e shpirt m’u tretnë me vajtim:
Më keq se sa kam vojtur në Ferr s’ka;
S’dua Parajsë! S’dua veç harrim!

Ky mik i zemrës, ku më var çdo shpresë,
Hap sytë! t’ësht’ armiku m’i pabesë:
Miq mos kërko në turmën posht’ e lart;
Të puthi kush? - Largohu pa vonesë!

Të mirat një nga një m’i nëmëro,
Të ligat togje-togje m’i spastro:
Ashtu më bëre dhe ashtu të dolla,
Mëshirë pra dhe Drejtësi trego

shume te bukura por keto strofa me terhoqen me shume!

1
Natën kur flija, më tha shpirti: “Pi!
Në gjumë dhe në Varr s’ka lumturi.
Ngreju! Sa rron, zbras Kupa dhe puth çupa;
se ke shekuj që të flesh në qetësi”.

261

Zot, pse ma theve Poçen e skalisur?
Zot, pse ma thave Kopshtin e stolisur?
Tani më thuaj cili ësht’ i dehur:
Un’ apo Ti, që sillesh si i krisur?

shto edhe keto 2-ja (y)

[b]Fito një Zemër, puthe dhe rrëmbeje,
Dhe adhuroje si Altar prej Feje:
Një qind Qabera s’vlejnë sa një Zemër;
Zemër kërko, Haxhi, jo Gur Qabeje.

E prisja! Si rrufeja më tronditi!
E Dashura më shkoi, më neveriti:
S’e çmoja kur e kisha… Ah, çma priti!
Në Ferrin nga Parajsa më vërviti.

Për nesër mos u verdh sa pa e parë,
Të sotmen e gëzo, mor djal’ i mbarë:
Shpejt ikim nga ky Han e hasim shokët
Që shkuan shtatë mijë vjet më parë.

Me baltë më gatove: ç’faj të kam?
Me lesh e li m’arnove: ç’faj të kam?
Mbi ballë dhe të Mirën dhe të Ligën,
Me urtësi m’i shkrove: ç’faj të kam?[/b]

shume te bukura edhe keto strofa…shuuuuuuuuuuuuume! (y)

Duhet te jene diku tek 750 strofa, sapo lexova 1 liber me permbledhje poezie te Khayyam “Quartine” i bukur por shkrimtari qe e kishte perkthyer ne italisht nuk kishte ruajtur radhen e rimes, aaba abab abba me pak fjale ne 300 strofa diku tek 50 i gjeta me rime, ndersa ne shkrimet te perkthyera ne shqip nga i madhi Fan Noli jane thuajse te gjitha me rime dhe per kete e meriton 1 super “like” (y)

Quando avrà detto addio al corpo l’anima tua, e la mia
Due mattoni porranno sulla tomba tua, sulla mia.
E poi, per farne mattoni ai sepolcri degli altri,
Si getterà nel forno la terra tua, e mia

edhe kjo shume e bukur

Ajo eshte e qarte qe perkethimi nga nje gjuha ne nje tjeter gjuhe eshte i veshtire pa dyshim,e sidomos kur behet fjale per strofa me rim…

por shkrimtaret e pare tanet ne kete rast,kane qene me te vertet perkethyes shume te mire e meritojne vertet nje super like.

i lexova me vemendje keto strofa…dhe realisht me pelqyen shuuuume!

te falenderoj per kete postim…

ja vlen ta lexosh dhe rilexosh me kenaqesine me te madhe! Me pelqen shume!..

(y)