Panajot Pano mbush 70-vjeç, ”Nderi i Kombit” nga presidenti Bamir Topi

“Mbreti” i futbollit shqiptar, Panajot Pano, sot festoi 70-vjetorin e tij. Kjo u shoqerua jo vetem me nje feste te madhe, me njerez te ardhur nga anekend Shqiperise, per te uruar Panjotin, por edhe me nje dekorim nga Presidenti i Shqiperise. Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi dekoroi sot me Urdhrin “Nderi i Kombit” një ndër korifejtë e futbollit shqiptar ndër kohra, z. Panajot Pano. Me këtë rast, në Pallatin e Brigadave u zhvillua ceremonia zyrtare në praninë e personaliteteve të larta të shtetit, përfaqësuesve të Federatës Shqiptare të Futbollit, ish-sportistëve të shquar, dashamirësve të futbollit, gazetarëve sportivë, drejtuesve ndër vite të klubeve sportive, trajnerë, arbitra, etj. Në fillim të kësaj ngjarjeje për futbollin shqiptar, Sekretari i Përgjithshëm i Institucionit të Presidentit, Aleksandër Flloko, pas ekzekutimit të himnit kombëtar, lexoi një historik të shkurtër për jetën dhe veprimtarinë e z. Panajot Pano dhe dekretin e dekorimit të nënshkruar nga Presidenti i Republikës.

Pas kësaj, Presidenti Topi i dorëzi z. Panajot Pano Urdhrin “Nderi i Kombit”, në shenjë vlerësimi dhe nderimi të thellë për të gjithë kontributin e këtij personaliteti të shquar të futbollit, që me karrierën e shkëlqyer, brenda dhe jashtë vendit, u shndërrua në pikë referimi në historinë e sportit shqiptar.

“Nuk është në traditën time, por nuk mund të rri pa e marrë fjalën sot, në këtë ditë të shënuar për ju personalisht, por edhe për mua, për ju, por edhe për të gjithë miqtë tuaj, për të gjithë kolegët dhe, jam i bindur, për të gjithë popullin shqiptar, ata që jetojnë në Shqipëri, por jam i bindur dhe për të gjithë sportdashësit shqiptarë kudo ata jetojnë”, - u shpreh Presidenti i Republikës menjëherë pas dorëzimit të Urdhrit të lartë z. Pano dhe vijoi më tej: “Unë kam nderin e veçantë që si President i Republikës t’i jap këtë titull të lartë, për herë të parë, një njeriu që vjen nga bota e sportit. Ka qenë një detyrim institucional, për t’i dhënë një diapazon më të madh njerëzve, që vërtet i kanë shërbyer kombit. Besoj se me një konsensus absolut, të gjithë kanë qenë në një fjalë, dhe kjo ka ardhur në radhë të parë nga kolegët, që shoh se janë të gjithë të buzëqeshur sikur ta kenë marrë këtë medalje vet, pra, ka qenë një konsensus absolut që Panajot Pano realisht ka qenë, është dhe do të jetë nderi i kombit. Është një kënaqësi personale që kam patur rastin të ndjek qysh fëmijë atë lojë brilante të Panajot Panos. Por kam patur dhe rastin të ndjek kohë pas kohe, dhe këtë e sjell jeta padyshim, pikërisht atë që është më e rëndësishme që Panjot Pano nuk ka qenë vetëm një personazh brilant i sportit, por ka qenë është dhe, besoj se jeni dakord, që është një njeri shumë i respektuar, një njeri me të gjitha parametrat qytetare.

I nderuar Panajot! Është një kënaqësi e veçantë! Jam i bindur që kënaqësinë sikurse e ndjej unë e kanë të gjithë ata që janë sot këtu të pranishëm, por edhe ata që do të na ndjekin sot përmes mediave. Besoj është një ndër rastet, dhe unë mund ta konstatoj fare lehtësisht, ku interesimi i medias është i jashtëzakonshëm. Dhe një herë urimet më të mira!”.

Ndërsa, futbollisti i mirënjohur, madje dhe idhulli për të gjithë brezat dhe dashamirësit e këtij sporti, Panajot Pano, në këtë ceremoni nderimi dhe vlerësimi për të u shpreh: “Dua të them se kam jashtëzakonisht shumë emocione, emocione të mëdha, sidomos me këtë President që jam sot. Më mirë të kisha luajtur ndonjë ndeshje ndërkombëtare. Ju falemnderit shumë zoti President për këtë nder që më bëtë! Falemnderit Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Federatës Shqiptare të Futbollit dhe kolegëve të mi, që më kanë ndihmuar në të gjithë sferën e futbollit dhe gjatë gjithë karrierës time sportive!”

Me kete rast, edhe “Sporti shqiptar” online e uron lojtarin shqiptar te shekullit ne futboll, Panajot Panon, per cmimin e madh te marre nga presidenti Bamir Topi, por edhe me rastin e 70-vjetorit te lindjes. Jete te lumtur e te shendetshme!

Burimi:Sporti Shqiptare