Përplasen dy satelitë në orbitën tokesore

Agjencia amerikane e hapësirës, NASA tha se për të parën herë dy satelitë të telekomunikimit u përplasën në orbitë.

Përplasja e një sateliti komercial dhe një sateliti rus, i cili nuk operonte, ka ndodhur rreth 800 kilometra mbi Siberi. NASA tha se përplasja ka shkaktuar një re të madhe pluhuri, por zyrtarët thanë se nuk ka ndonjë rrezik për Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës, i cili orbiton nën kursin ku ka ndodhur përplasja. Sateliti rus me peshë 950 kilogram u lëshua në orbitë në vitin 1993 ndërsa ai amerikan i quajtur Iridium dhe që peshonte 560 kilogram u lëshua në vitin 1997. Sipas NASA, forca e përplasjes së dy satelitëve të tille dhe copëzat e përhapura prej tyre mund të shkatërrojnë edhe satelitet e tjerë në orbitë. Zyrtarët e agjencisë amerikane thanë se shpresonin që mbeturinat të digjen sapo të futen në atmosferën e tokës. Që nga viti 1957 në orbitë janë lëshuar rreth 6 000 satelitë.

(lajmi nga/BalkanWeb)