Përplaset autobusi që shkonte në Athinë

0/03/2008 - 10:42
• Albana Çakshiri

KORÇE -Pasagjerët e linjës së autobusit Shqipëri- Greqi, kanë përjetuar tmerr dje në superstradën që të çon drejt Kapshticës, pas një aksidenti të rëndë të ndodhur në rrugë. Nga përplasja e autobusit me një fuoristradë, drejtuesi i kësaj të fundit, Gazmir Grazhdani ka gjetur vdekjen e menjëhershme, ndërsa plagë të rënda ka marrë edhe pasagjeri i tij. Për fat të mirë, udhëtarët e autobusit nuk kanë pësuar dëmtime, veç tmerrit e panikut. Për disa orë, qarkullimi i mjeteve në aksin që lidh Shqipërinë me Greqinë u bllokua si pasojë e këtij aksidenti. Aksidenti i rëndë automobilistik ka ndodhur në superstradën Korçë-Kapshticë, në afërsi të fshatit Plasë, ndërsa dyshohet që shpejtësia e mjetit dhe humbja e kontrollit ta kenë çuar atë drejt daljes në kah të kundërt.
Aksidenti
Ngjarja e rëndë, sipas policisë është regjistruar dje rreth orës 15:30, në segmentin nacional Korçë-Kapshticë. Autobusi i linjës Shqipëri-Greqi ishte nisur nga Tirana drejt kryeqytetit grek, ndërsa është përplasur nga një fuoristradë e bardhë, e cila ka humbur kontrollin. Udhëtarët e autobusit me targë TR 1806 M, janë përfshirë nga tmerri, ndërsa kanë treguar më pas para punonjësve të policisë, se kanë përjetuar panik nga kjo ngjarje e rëndë. Autobusi i kompanisë “Helios Travel” ka qenë me rreth 30 udhëtarë në bord, midis të cilëve dhe fëmijë. Drejtuesi i fuoristradës së bardhë me tragë TR 0823 H, Gazmir Grazhdani nga Tirana, ka mbetur i vdekur në vend, ndërsa është plagosur dhe udhëtari tjetër i tij, i identifikuar si Albert Daci. Policia tha se viktima 31- vjeçar ka pësuar dëmtime të jashtëzakonshme në trup, ndërsa shoku i tij është transportuar në gjendje të rëndë në spitalin e Korçës. Ndonëse kanë nisur hetimet, ende nuk është përcaktuar shkaku i kësaj tragjedie në rrugë. Por dyshohet që humbja e kontrollit të ketë detyruar mjetin të përfundojë në kahun tjetër të rrugës, duke u përplasur me autobusin që kishte 30 pasagjerë.
KAOSI
Aksidenti ka krijuar për gati dy orë probleme serioze të qarkullimit rrugor. Reshjet e shumta të shiut nga njëra anë si dhe mjegulla, por dhe mjetet zjarrfikëse dhe ato të shpëtimit gjatë ndërhyrjes në aksidente, kanë bllokuar lëvizjen e mjeteve në të dyja anët e kësaj rruge. Me qindra automjete dhe udhëtarë në to janë vënë në radhë, ndërsa situata e cila ka qenë e pandry-shuar për më shumë se dy orë, është kushtëzuar nga heqja e fuoristradës që është përplasur me autobusin. Efektivë të shumtë të Policisë së Qarkullimit Rrugor kanë stabilizuar situatën me lëvizjet e mjeteve fillimisht me një kalim, deri në përmirësim të saj. Ndërkaq, për sa i përket udhëtarëve të autobusit që kanë parë vdekjen me sy, këta janë marrë në pyetje nga policia.

Me vjen shume keq.
Mua sma mban fare kur udhetoj, kam shume frike kur degjoj gjera te tilla. Nje here erdha me autobus ne Shqiperi nga Athina, dhe skam fjetur
gjume gjithe naten, e kisha syrin pishe, ngaqe shoferi ikte pak shpejt dhe ishte nate.

Thashe shyqyr qe mberrita gjalle :smiley: