Pjese nga Komedija Hyjnore

Nje permbledhje e shkurter kopjuar nga parathenja e Librit me te njejte titull perkthyer nga Cesar Kurti

Në kohën e Dantes në Firence po ndodhnin ndryshime të mëdha shoqërore: zhvillimi i madh i artizanatit dhe i tregtisë, dyndja e njerëzve të rinj në qytet, të shtyrë nga etja për të fituar dhe për t’u pasuruar, po e kufizonin gjithnjë e më shumë pushtetin dhe ndikimin e shtëpive fisnike, që nuk merreshin me zanate apo tregti dhe ndjeheshin ngushtë ekonomikisht. Dante që jetonte pothuajse i shkëputur nga jeta materiale, duke qenë i zhytur në studimet dhe në provat e tij krijuese, e ndjeu gjithashtu darën e nevojave materiale. Për të rregulluar disi gjendjen ekonomike të familjes, i ati e martoi me Xhema Donatin, pinjolle e një familjeje të kamur. Me të ai pati disa fëmijë. Po kjo nevojë materiale e shtyu Danten të hynte në korporatën e mjekëve, sepse vetëm kështu mund të merrte ndonjë nëpunësi në komunë.

Qyteti në këtë kohë ishte i ndarë në dy parti kundërshtare: guelfët, partizanë të ruajtjes së pavarësisë së qytetit me përkrahjen e Papës, dhe gibelinët, që donin ta merrnin pushtetin me ndihmën e Perandorit. Familja e Dantes, si të gjithë fisnikët e vegjël të qytetit dhe artizanët, bënte pjesë në partinë e Guelfëve dhe ishte kundërshtare e partisë së Gibelinëve, në të cilën bënin pjesë pronarët e mëdhenj të tokës. Midis këtyre partive u bë një luftë e ashpër për pushtet. Ardhja në pushtet e njërës sillte me vete mërgimin e partizanëve të partisë tjetër. Dante kështu krenohet nëpërmjet gojës së gibelinit Farinata deli Uberti për familjen e tij:

… dhe tha: " U treguan armiq krenarë

me mua, gjyshërit dhe partinë time,

prandaj dy herë ata i paç shpërndarë!". (Ferri, K. 10, vv. 46 - 48)

Dante mori pjesë në kavalerinë e Komunës si kalorës dhe pati disa nëpunësira. Në vitin 1301 u dërgua si ambasador i komunës në San Xhiminjano për t’u mbushur mendjen toskanëve që të bëhen bashkë e të mos i nënshtrohen pushtetit të papës. Në vitin 1302, ndërsa ishte dërguar si ambasador pranë Papës, ai u dënua në mungesë bashkë me mjaft qytetarë të tjerë nga guelfët e zinj (që ishin për pushtetin e papës), si kundërshtar i pushtetit papënor dhe shkaktar turbullirash, me një gjobë prej 5000 florinësh dhe me përjashtim të përhershëm nga ushtrimi i ofiqeve zyrtare. Sipas vendimit gjyqësor, ai që nuk paguante gjobën ekzekutohej duke u djegur i gjallë. Dante bashkë me të tjerë, duke mos patur mundësi të mbrojnë veten apo të paguajnë gjobën, pranuan pasojat e këtij dënimi: mërgimin.

Mërgimi qe i rëndë. Në fillim ai bashkëpunoi me shokët e tij në mërgim për t’u kthyer përsëri në vendlindje, por shumë shpejt u nda prej tyre. Mendimet për Firencen dhe qëndrimin e fiorentinëve ndaj tij ai i shpreh nëpërmjet Bruneto Latinit (Ferri, K. XV, vv. 61-76), i cili, pasi i thotë se në këtë qytet, që është bërë “fole për të pandershëm”, të ardhurit që kanë mbushur qytetin çdo të mirë do ta shohin me armiqësi, dhe “qejf të të grijnë dy partitë kanë”, e këshillon që të mbështetet në “fatin e mbarë” dhe të mos shpresojë në dashamirësinë e bashkëqytetarëve. Në fillim u strehua tek sundimtarët e Veronës, por pastaj u largua prej tyre dhe u end nëpër oborret e sundimtarëve që kishin namin e njërëzve dashamirës të arteve dhe shkencës. Dante shpesh ankohet për fatin e tij, duke e krahasuar veten me një barkë pa vela e pa timon që era e shpie sa në një port në tjetrin.

Por mërgimi pati edhe një pasojë pozitive: ai e zgjeroi horizontin e Dantes, i cili nga një qytetar i Firences u bë qytetar i gjithë Italisë. Duke qenë i mërguar, Dante u ballafaqua me Italinë e kohës, ku sundonte përçarja dhe jo ligji, dhe kjo e pasuroi eksperiencën e tij jetësore dhe, si rrjedhim, edhe librin e tij.

Dante nuk pati fatin të kthehej në qytetin e vendlindjes. Ai vdiq në mërgim. Në verën e vitit 1321 shkoi me një mision diplomatik në Venedik. Gjatë udhëtimit u sëmur dhe vdiq në shtator në Ravenë.

Dante u dha shumë pas studimit të filozofisë, sidomos të veprave të Aristotelit, studimit të poezisë latine dhe në të njëjtën kohë ai studjoi poezinë popullore të trubadurëve. Ka mendime, të paverifikuara, se ai është autori i një përkthimi të reduktuar në italisht të “Romanit të Trëndafilit”, kryeveprës së poezisë trubadure, në 232 sonete.

Dante shkruajti këto vepra në italisht dhe latinisht: Jeta e Re"(Vita Nuova), Rimat (Rime ose Canzoniere), Gostia (Convivio), Mbi Elokuencën popullore (De Vulgari Eloquentia), Monarkia (Monarchia), Letra (Epistole), Ekloge (Egloghe - dy në latinisht).

Të gjitha këto vepra, të cilat dëshmojnë për punën e madhe të bërë nga Dante për përsosjen e gjuhës popullore italiane dhe shndrrimin e saj në një gjuhë kulture, për thellimin e mendimit filozofik dhe zgjerimin e erudicionit, qenë një parapërgatitje për kryeveprën e tij Komedia Hyjnore (La Divina Comedia).

Komedia , që u quajt Hyjnore vetëm më vonë, në një botim të vitit 1555, u hartua nga Dante midis viteve 1304-1320.

Në një letër që i dërgoi një miku dhe mecenati të tij, Dante shpjegon kuptimin dhe ndërtimin e Komedisë. Sipas tij, kuptimi i poemës është i dyfishtë: i drejtëpërdrejtë - gjendja e shpirtrave pas vdekjes, dhe alegorik - se njeriu, që ka aftësinë të vendosë vetë për veprimet e tij, merr nga drejtësia hyjnore ndëshkimin apo shpërblimin që meriton. Pra, me të drejtë është thënë se subjekti kryesor i kësaj vepre është “Drejtësia” dhe vendosja e saj.

E vërteta është se poema ka një strukturë komplekse alegorish e simbolikash, të planeve të ndryshme, për shpjegimin e të cilave kanë vrarë dhe vazhdojnë të vrasin mendjen shumë studjues dhe komentues, por kjo nuk pengon aspak që ajo të jetë plotësisht e kapshme nga lexuesi në kuptimin e saj të drejtpërdrejtë.

Forma e poemës është gjithashtu e dyfishtë. Struktura e saj mbështetet në numrin tre në raport me numrin një: ka tre kantika (Ferri, Purgatori dhe Parajsa), të ndara secila në 33 këngë, që përbëjnë gjithsejt 99 këngë në raport me një këngë (Këngën e parë të Ferrit që shërben si hyrje). Vargjet janë të ndarë gjithashtu në tercina (strofa me tre vargje). Vargu i parë dhe i tretë rimojnë bashkë, ndersa i mesit rimon me vargun e parë dhe të tretë të tercinës pasardhëse. Kjo rimë “trefishe” është shpikje artistike e vetë Dantes. Përdorimi i numrit tre përputhet me konceptin e Dantes se arti është imitim i natyrës (jetës), që përshkohet nga Trinia e Shenjtë e Krijuesit. Prandaj dhe ky numër manifestohet vazhdimisht nga Dante në poemë, ashtu siç manifestohet ai në jetë nga Providenca. Vargu është trokaik, pra rrokja e fundit është gjithnjë paraoksitone dhe lejon të ketë një pauzë më të madhe midis vargjeve, gjë që, krahas rimës trefishe, bën që poezia të tingëllojë veçanërisht melodioze dhe harmonike.

Dante e quajti veprën e tij Komedi duke u nisur nga ligjet e Retorikës, ku përcaktoheshin tre stile: i lartë (tragjik), i mesëm (ose komik) dhe i ulët (elegjiak o bukolik). Sipas Dantes, vepra e tij nuk ishte e stilit të lartë, por të mesëm, për shkak të zhvillimit të aksionit (sepse këtu veprimi fillon i trishtuar dhe mbaron i gëzuar , e kundërta ndodh me tragjedinë) dhe të gjuhës (këtu përdoret gjuha e folur italishte dhe jo latinishtja si gjuhë e stilit të lartë). Siç e thamë më lart, “Hyjnore” ajo u quajt vetëm më vonë nga pasardhësit për vlerat e saj të larta poetike dhe të përmbajtjes.

Poeti e paraqet veten si një njeri të privilegjuar nga Hiri hyjnor që të bëjë një shtegtim në botën e përtejvarrit duke kaluar tri pjesët e saj: Ferrin, Purgatorin dhe Parajsën. Dante takon mjaft shpirtëra të ndëshkuar (në Ferr) apo të shpërblyer (në Purgator dhe Parajsë) nga drejtësia e Perëndisë.

Udhëtimi nëpër Ferr zgjat aq kohë sa kohë pati kaluar nga zbritja e Krishtit në Varr deri në Ringjalljen e tij. Në Purgator shpirtërat pastrohen për në Parajsë, ku shkojnë shpirtrat e bekuar nga Hiri Hyjnor. Ky është një shtegtim që bëhet duke patur “Perëndinë në mendje dhe zemër” . Ai është gjithashtu një alegori për rrugën që përshkon njeriu në jetë.

Udhëheqësi i tij nëpër Ferr është Virgjili, i cili e shoqëron atë edhe në Purgator. Pastaj atë e shoqëron Beatriçja, bashkë me të cilën ai ngjitet në sferat e planetëve dhe të yjeve të Parajsës, ku takohet me shpirtrat e bekuar që zbresin për ta përshëndetur.

Duke dalë nga pylli i errët i mëkateve, poeti takon Virgjilin, i cili me porosinë e Beatriçes, mishërimi i hirit dhe i bekimit hyjnor, bëhet udhërrëfyesi i tij nëpër Ferr. Ata futen në portat e Ferrit në vigjilje të së Premtes së Zezë të vitit 1300. Sëbashku kalojnë nëntë rrathët e Ferrit dhe sosin në qendër të tokës, ku shohin Luciferrin (Satanain) të prangosur nga graviteti i tokës dhe akulli i urrejtjes së përjetshme.

Tre janë mëkatet kryesore që ndëshkohen në Ferr: mospërmbajtja, dhuna dhe mashtrimi. Sipas Dantes, Ferri është vendi i ndëshkimit të çdo dhune, e cila mund të ushtrohet ndaj Krijuesit, të afërmëve dhe vetëvetes.

Sistemi moral i Ferrit të Dantes është një shkrirje e kujdesshme e teologjisë së krishtere me etikën pagane. Etika e Aristotelit shërben si burim i parë. I gjithë vizioni i Dantes për botën e përtejme përshkohet nga kristianizmi i ndërthurur me paganizmin. Ky ishte vizioni i kohës së Dantes. sepse botëkuptimi i krishterë i kohës u pasurua shumë nga zbulimi i veprave të Aristotelit dhe thellimi në studimin e trashëgimisë kulturore greko-latine. Kështu Ferri, vendi i ndëshkimit hyjnor, ndëshkim që zbatohet nga djajtë, sipas doktrinës së krishtere, është i mbushur me qënie të mitologjisë antike: Fati, Gjigantët, Minosi, Cerberi, Flegjasi, Karonti etj.

Në epiqendër të veprës është vetë autori.

Nga njëra anë, bota që ai përshkruan është krijesë e tij, e imagjinatës së tij, mbështetur në teologjinë e krishtere dhe etikën pagane, nga ana tjetër, ai shëtit nëpër të si një kalimtar i rastit, në një kohë kur, siç thamë, vetë është gjyqtari, ndëshkuesi dhe njeriu që ka gjetur mënyrat më të përshtatshme të ndëshkimit.

Nga njëra anë ai është vetë gjyqtari gjakftohtë dhe objektiv, që i ka dhënë seicilit atë që i takon, nga ana tjetër, duke qenë prej mishi e kocke, na paraqitet si një njeri, brenda të cilit vlojnë dashuria dhe urrejtja, admirimi dhe përbuzja, mëshira dhe ndjenja e hakmarrjes, tek i cili shfaqen jo vetëm ndjenjat e holla të simpatisë, por dhe të përbuzjes, jo vetëm keqardhja e çiltër fisnike, por edhe keqdashja cinike zemëgurë.

Në këtë botë të përtejme të dhimbjes së përjetshme shohim një galeri personazhesh: figura historike të të gjitha kohërave, të të gjitha fushave: politikës, filozofisë, kulturës, por edhe bashkëkohës, miq apo armiq të poetit, që do të kishin mbetur krejt të panjohur po të mos i kishte rrokur, për shkak të miqësisë apo armiqësisë, pena e poetit të madh.

Në letrën që përmendëm më lart Dante shkruan: " … mund të themi shkurt se fundi i të tërës (i komedisë simë) është që të nxirren të gjallët në këtë jetë nga gjendja e mjeruar dhe të udhëhiqen për në gjendjen e bekuar"", me fjalë të tjera që njeriu të çlirohet nga mëkatet dhe të perfeksionohet moralisht.

Në Komedinë e Dantes ndjehen edhe filizat e epokës që është në lindje e sipër. Pikërisht në këtë vepër, ai ndër të parët i thuri një himn madhështor njeriut-sipërmarrës të guximshëm, që nuk ngurron të flijojë veten për të zgjëruar njohuritë mbi botën. Në Këngën e njëzetegjashtë, një nga këngët më të bukura të Ferrit, ai përshkruan udhëtimin e fundit të Odiseut, i cili u drejtohet shokëve të tij me këto fjalë:

"Vëllezër, - thashë, - që në perëndim

arritët nëpër rrugë aq të vështirë,

sa ende gjallë e kemi çdo ndijim,

pak jetë që na mbeti me dëshirë

le ta flijojmë për të njohur botën,

që prapa diellit shtrihet si shkretirë. (Ferri, K. XXVI, vv. 112-117)

Në Komedi u mishërua puna e madhe, e gjatë dhe këmbëngulëse që kishte bërë Dante për përsosjen e tij si artist dhe mendimtar. Ai arriti të krijojë një kryevepër me vlera unikale artistike, të japë gjykimin për njerëzit e kohës së shkuar dhe bashkëkohësit, dhe ta bëjë gjuhën e popullit të thjeshtë italian një gjuhë të madhe kulture.

Vepra e Dantes edhe sot demaskon dhunën që për fat të keq vazhdon të ushtrohet kundër popujve dhe kundër individit.

KËNGA E PARË

Në mesin e shegtimit tim në jetë
u gjenda në një pyll të zi të errët
se kisha humbur rrugën e vërtetë .
Si ishte pylli as me mend nuk merret 4
ish i zi, i ashpër dhe i egër.
Kur më kujtohet dridhem prapë nga tmerret.
E hidhur është vdekja pak më tepër! 7
Për të treguar atje ç’të mira gjeta,
do të përmend edhe ndonjë gjë tjetër.
Nuk di të them si brenda pyllit mbeta 10
se gjumi sytë fort m’i pat platitur
kur rrugën e vërtetë i mjeri treta.
Pastaj kur rrëzë kodrës pata arritur, 13
atje ku merrte fund ajo luginë,
që zemrën plot me frikë ma pat tronditur,
vështrova lart dhe kodrën pashë në shpinë 16
me rreze veshur të atij planeti ,
që çdo shtegtari nëpër udhë i prin.
M’u duk aherë se disi zateti 19
ai tmerr që zemrën time kish pushtuar
një natë që kalova në ankth, i shkreti.
Si ai njeri që fort duke gulçuar 22
kur del në breg nga deti shkumë e valë,
vështron prapë ujët dallgësh shkumëzuar,
kështu dhe shpirti im që rend e s’ndal, 25
u kthye rrugën prapa të vështronte,
nga ku i gjallë askush nuk mund të dalë.
Pak trupn’ e lodhur lashë të pushonte 28
dhe nisa rrugën nëpër breg të shkretë,
më poshtë këmbë e ndalur diç qëndronte.
Sa kisha nisur një si të përpjetë, 31
kur stisur lara-lara një panterë
përpara del e shkathët dhe e lehtë.
Krejt rrugën time duke e ndërprerë, 34
mu para meje bisha kish qëndruar,
sa bëra mend të kthehem disa herë.
Mëngjes i herët ish, në të aguar, 37
dhe dielli ngrihej lart me yllësitë,
si ditën kur me dashuri t’ amëshuar
krijoi Tenzot të gjitha bukuritë. 40
Veç shpresë më jepnin mua për të shpëtuar
nga bisha me lëkurën ngjyrë e dritë
mëngjesi i herët, stinë e lulëzuar. 43
Por zemra zu’ nga frika shpejt të dridhej
prej pamjes së një luani të kreshpëruar.
M’u duk sikur mbi mua ai desh të hidhej 46
me kokën lart, tërbuar nga uria.
Nga frika edhe ajri zu’ të mblidhej.
Dhe një ulkonjë, që plot të këqia 49
pështillte në një trup krejt të drobitur
dhe mijëra njerëz kish rrënuar, lubia,
me frikë zemrën fort ma pat tronditur. 52
Nga pamja e saj mizore i tmerruar
i humba shpresat majës për t’iu ngjitur.
Si ai që mall gjithnjë ka grumbulluar 55
dhe rastin që ta humbë kur koha sjell
veç humbjen rri mendon duke lotuar,
kjo bishë një të madh trishtim më ndiell 58
dhe qetë-qetë duke m’u avitur
më shtyn atje ku s’lindi kurrë diell.
Kur në humnerë isha duke shkitur 61
më doli para një imazh i zbehtë,
që heshtj’ e gjatë krejt e kish nemitur.
Atë kur pashë te ky vend i shkretë: 64
“Mëshirë ki për mua,- tërë ankth e grisha,-
kushdo qofsh, hije a njeri vërtetë!”
Ai m’u përgjigj: “Njeri nuk jam, por isha. 67
Lombardë i pata të parët e mi të vjetër,
dy prindërit nga Mantova i kisha.
Nën Julin linda, por nën një tjetër 70
jetova, nën Augustin tim të mirë,
kur zotat ishin fare të gënjeshtër.
Poet qeshë e këndova me dëshirë 73
shtegtimet që pat bërë Ene kryetrimi
kur shembën grekët Trojën pa mëshirë.
Po ç’pate ti? Ç’do te ky vend trishtimi? 76
Përse s’i ngjitesh majës së bekuar,
që është arsye dhe nism’ e çdo gëzimi?”
“Virgjili qënke, ai krua i kulluar 79
nga rrjedh një lumë i gjerë poezie!”-
unë u përgjigja krejt i turpëruar.
“Ti, që për poetët je simbol lavdie, 82
më ndih se veprën tënde e studiova
me zell e plot me ndjenja dashurie.
Autor e mjeshtër je që preferova, 85
të ëmblin stil e mora veç prej teje,
prej tij në jetë aq shumë u lartësova.
Shih bishën që do prapa të më kthejë, 88
ec më shpëto, o mendimtar i vjetër,
se gjakun po ma ngrin që rrjedh ndër dejë!”
“Ti duhet të vazhdosh një rrugë tjetër, - 91
ai m’u përgjigj, tek qaja duk’ e parë, -
po deshe të shpëtosh nga pyll’ i egër.
Kjo bishë që të bëri për të qarë 94
nuk lë njeri të ndjekë rrugn’ e nisur,
ca i pengon, por shumë i lë të vrarë.
Natyra fort makute e ka stisur, 97
ajo urinë dot s’e shuan kurrë,
pas ngrënies ndihet më e babëzitur.
Ajo lloj-lloj gjallese merr për burrë 100
dhe më do marrë sa të vijë ai Veltër,
në hu që do ta ngordhë e në torturë.
S’lakmon Ai pasurinë apo gjë tjetër, 103
por veç virtytet, dijet, dashurinë,
prej Feltri do sundojë e gjer në Feltër,
do jetë ai shpëtimtar për Italinë. 106
Për të Kamila e virgjër jetën fali,
Euriali, Turni, Nisi bënë flinë.
Prej tij lubia vrapin s’do ta ndali, 109
në ferr do mbyllet bisha e mallkuar,
nga ku dikur zilia e shtyu të dali.
Dhe për të mirën tënde kam gjykuar 112
që ty të prijë në këto shtegtime.
Kam për të çuar ty nëpër vend t’amëshuar
atje ku do të shohësh veç mundime, 115
ku vdekje tjetër lut për të shpëtuar
çdo shpirt antik me lotë e përgjërime.
Të shohësh si mbi zjarr pa u ankuar 118
rri kush ka shpresë lart për të arritur,
atje ku prehen shpirtat e bekuar.
Kur lart të vijë koha për t’u ngjitur, 121
një shpirt m’i denjë ty atje të shpie,
me të do t’ecësh nëpër vend të ndritur.
Se sundimtari i asaj mbretërie, 124
me mua, një rebel që s’ndoqa mësimet,
nuk do të ngjitet asnjeri në qieje.
Kudo sundon ai, por atje shpall ligjet, 127
atje ka fronin, ka atje selinë.
Oh, është i lumur kush prej tij lart ngjitet!”
Dhe unë i them: “Poet, për perëndinë 130
që ti në jetë s’pate adhuruar,
shpëtomë nga ky pyll, ku vdekja nxin,
Më shpjer atje ku ti më ke treguar 133
që të shikoj pak portën e Shën Pjetrit
dhe shpirtrat, për të cilët je trishtuar!”
Ai u nis. Unë pas i vajta mjeshtrit. 136

Vargu l. Në mesin - Dante lindi në vitin l265. Nëse mosha mesatare e njeriut është 70 vjeç, mund të mendojmë se bëhet fjalë për vitin l300, kur Dante ishte 35 vjeç. V. 2. një pyll - Simbol i jetës mëkatare. V. l3. rrëzë kodrës - simbol i virtytit. V. l7. të atij planeti - Dielli. në Antikitet mendohej se dielli ishte një planet që vërtitej rreth tokës. V. 30. më poshtë - Poeti heziton të ngjitet. V. 32. një panterë - simbol i epsheve njerëzore. V. 38. Yllësia e Dashit, ku ndodhet dielli në pranverë. sipas besimit të krishterë, në këtë kohë e krijoi Zoti botën. V. 45. një luani - - simbol i krenarisë dhe dhunës. V. 49. një ulkonjë - simbol i lakmisë. V. 62. një imazh - Ëshhtë Virgjili, poet i shquar romak, autor i Eneidës (70-l9 p. e. s.). Virgjili bëhet udhërrëfyes i poetit nëpër Ferr dhe Purgator. V. 68. lombardë - Virgjili ishte nga krahina e Mantovës që quhej Lombardi. V. 70. Nën Julin - Jul Cezari (vrarë në vitin 44 p.e.s.). V. 71. nën Augustin - Perandori romak August (v.27 p.e.s. deri në v. l4 të e.s.). V. 74. Ene - Heroi i “Eneidës”. V. 91. një rrugë tjetër - Dante duhet më parë të vizitojë botën e përtejvarrit . V. 101. Veltër - Veltër në italisht do të thotë langua, qen, por këtu, në mënyrë alegorike, Dante bën fjalë për një qënie të mveshur me atributet e pushtetit dhe të drejtësisë absolute që do ta çlirojë Italinë nga lakmia e sundimtarëve të saj. V. 105. Feltër - Vend i diskutueshëm dhe i papërcaktuar. V. 107. Kamila - E bija e mbretit të Volshëve, vrarë në luftë me Trojanët. V. 108. Euriali, Turni, Nisi - Personazhe të “Eneidës” vrarë në luftërat midis trojanëve dhe vendasve. V. 114. nëpër vend t’amëshuar - Ferr. V. 116. vdekje tjetër - Mëkatarët e vdekur trupërisht, luten të vdesin shpirtërisht për të shpëtuar nga vuajtjet në Ferr. V. 118. mbi zjarr - Zjarri i Purgatorit. V. 122. Një shpirt m’i denjë - Beatriçja. V. 125. rebel - Virgjili ishte pagan. V. 133. portat e Shën Pjetrit - Portat e Qiellit, ruhen nga një engjëll, mëkëmbës i Shën Pjetrit.

KËNGA E TRETË

“KËTEJ TI SHKON NË NJË QYTET TË VUAJTUR,
KËTEJ TI SHKON NË DHEMBJEN E PAMATË,
KËTEJ TI SHKON TEK NJERËZ KREJT TË SHUAJTUR;
U SHTY NGA DREJTËSIA KRIJUESI I LARTË; 4
FUQIA HYJNORE DHE DREJTËSIA E KULLUAR
MË STISËN TOK ME DASHURINË E PARË;
VEÇ SË PËRJETSHMES ASGJË S’QE KRIJUAR 7
PËRPARA MEJE; UNË RROJ JETË E MOT;
KUSH HYN KËTU MË S’KA PËR TË SHPRESUAR!”
Ja fjalët që lexova në një portë 10
me bojë fare t’errët sipër shkruar.
I them: “Mësues, kuptimin s’kapkam dot!”
Ma ktheu ai si një njeri i zgjuar: 13
“Këtu do lënë prapa çdo dyshim,
këtu çdo ligësi do shpejt harruar.
Siç të kam thënë, tek ai vend do vijmë, 16
ku njerëz sheh që dhembja aq i tret,
sa mendjen humbin e çdo gjykim”.
Pastaj mbi timen dorën e pështet, 19
për të më dhënë mua pak kurajë,
dhe qetësisht më fut në botn’ e fshehtë.
Aq psherëtima, klithma, kujë e vaj 22
ushtonin nën një qiell pa yje-sterrë,
sa në fillim ia nisa shpejt të qajë.
Të ndryshme gjuhë, të folme tmerr, 25
plot fjalë dhembjesh, zemërim i thellë,
përplasje duarsh tok me zë të çjerrë
s’pushonin kurrë nën të fëlliqtin qiell. 28
Arrinte zallahia n’atë shkallë,
sa dukej rërën ngrinte lart pështjellë.
Prej frikës mendja vinte krejt vërdallë, 31
prandaj i them: “Mësues, ç’është ky tmerr?
Ç’mundim i ndrydh të shkretët vallë?”.
Dhe ai më tha: “Në gjendje kaq të mjerë 34
i kanë shpirtrat veç ata fatzinj
që mirë as keq nuk bënë as një herë.
Me ta përzihen shpirtrat e këqij 37
të engjëjve që s’qenë rebeluar,
por që as besë s’patën n’perëndinë.
Qiejt i dëbuan për të mos u shëmtuar, 40
as ferr’ i thellë s’i pranoi kurrë,
shkak s’patën djajt për t’i mëshiruar”.
I them: “Mësues, ç’është kjo torturë, 43
që i mundon kaq fort sa derdhin lotë?”
M’u gjegj ai: “Dhe aq gjatë s’po e thur.
Këta as vdekjen s’e kërkojnë dot. 46
Për ta kjo jetë është aq e ligë,
sa luten për një fat tjetër krejt më kot.
Në botë s’lanë gjurmë që s’u fik, 49
mëshirë s’meritojnë, as drejtësi,
nuk po ta zgjas më, por shiko dhe ik”.
Tek po vështroja, shoh si me shpejtësi 52
shkon si flamur një duke u vërtitur,
aq sa dhe vrapin si ta ndalë nuk di.
Një mizëri vjen pas duke roitur, 55
sa kurrë s’do ta kisha pas besuar,
që vdekja aq fatzinj të kish goditur.
Pastaj, kur ca ndër ta pata dalluar, 58
shpejt njoha unë hijen e atij
që post të madh prej frike pat lëshuar.
Shpejt e kuptova se ky me siguri 61
ish sekti i formuar nga të dënuarit,
që s’i desh zoti, as armiqt’ e tij.
S’u bënë gjallë kurrë të mallkuarit, 64
prandaj, ashtu të zhveshur për munxyrë,
i mbytnin miza e grerëza së kafshuari.
U rridhte gjaku çurk nëpër fytyrë 67
që thithej tok me lotët i përzjerë
te këmbët nga ca krimba fort të ndyrë.
Me që më la të shoh një copë herë, 70
ca njerëz bregut lumit pashë unë.
“Mësues, lejomë, - i thashë atëherë, -
të di se cilët janë e çfarë i shtyn 73
përtej me kaq nxitim për të kaluar,
siç shoh në dritën që aq dobët hyn”.
Dhe ai më tha: “Shpejt ke për ta kuptuar, 76
kur ne t’i kemi ndalur hapat tanë
në lumë t’Akerontit të trishtuar”.
I shpura sytë e turpshëm unë mënjanë 79
prej frikës mos nga pyetjet u mërzit
dhe heshta lumit sa i vajtëm pranë.
Një varkë vjen drejt nesh, që e vozit 82
një plak i zbardhur pleqërie së thellë.
Bërtet ai: " Mjerë ju me këtë shpirt!
Më mos shpresoni që të shihni qiell! 85
T’ju shpie erdha tek ai breg përballë,
që akull ka dhe terr e zjarr veç vjell.
Dhe ti që je këtu, o shpirt i gjallë, 88
Shpejt ndahu nga këta që kanë vdekur!".
Kur pa se nuk po merrja vesh me fjalë,
“Kjo s’është rrugë a port ti për të prekur 91
në breg, - më tha. - Këtej s’ke pse kalon!
Gjej varkë tjetër rrugën për të ndjekur!”.
I thotë prijsi : " Mos u nxeh , Karon! 94
Kështu të bëhet lart u përcaktua,
ku bëjnë ç’duan. Tjetër kot kërkon!".
Fytyra e kërleshtë iu qetua 97
varkarit të kënetës së lerosur,
që sytë i kish me flakë e zjarr qarkuar.
Por shpirtrat, lakuriq e handakosur, 100
kërcitën dhembët e ndërruan ngjyrë
me fjalët vrerë porsa i pat kanosur.
Mallkonin Zotin, prindërit e tyre, 103
gjininë njerëzore, vend e farë,
dhe orën që i lindi për munxyrë
Pastaj u mblodhën gjithë duke qarë 106
në breg të atij lumi të mallkuar
që pret kë s’çan për Zotin kokën fare.
Ky djall Karon, me sy të flakëruar, 109
të gjithë i grish, i mbledh duke bërtitur,
me rremë e godet çdo të vonuar.
Sikur në vjeshtë, vyshkur e venitur, 112
bie gjethi një për një dhe trung’ i tharë
sheh petkat dheut hapur e ronitur,
dhe e Adamit e mallkuara farë 115
një e nga një u ngjit në breg atëherë,
si zogjt që ndjell në kurth një zog këngëtar.
Ata u dyndën nëpër dallgët sterrë 118
dhe, para se në breg të kishin zbritur,
u mblodh një turmë tjetër menjëherë.
“Im bir, - më tha mësuesi zemërndritur, - 121
këta që Zoti s’pat me sy të mirë
këtu nga tërë vendet kanë arritur.
Dhe s’e kalojnë lumin me pahir, 124
sepse hyjnorja drejtësi i shtyn
që frika shpejt t’u kthehet në dëshirë.
Këtu një shpirt i mirë kurrë s’hyn, 127
prandaj nëse Karoni t’është akërruar,
kupto kjo sjellje ku e ka arsyen”.
Lëndin’ e errët, ai me të mbaruar, 130
nga dridhj’ e fortë befas qe tronditur.
Më dirset balli duke e kujtuar!
Një erë dheu e vaji pati ngritur 133
që dritën e përskuqi aqë shumë
sa ndjenjat shpejt m’i pat fashitur.
Dhe rashë siç bie një që vdiq për gjumë. 136

V. l-9. Mbishkrim mbi portat e Ferrit. Sipas doktrinës së krishtere, Ferri u krijua nga Trinia e Shenjtë: Ati (fuqia hyjnore), Biri (Urtia e kulluar) dhe Shpirti i Shenjtë (Dashuria e parë). U krijua enkas për të ndëshkuar Luciferin. Para tij s’qe krijuar asgjë veç së përjetshmes (qiellit, tokës dhe engjëjve). V. 32. ç’është ky tmerr? - Poeti sheh midis portave të Ferrit dhe brigjeve të Akerontit një hapësirë të mbushur me shpirtrat e atyre që nuk bënë as mirë as keq. Mu për këtë arsye ata nuk meritojnë as të dënohen, as të shkojnë në Parajsë. V. 37. Me ta përzihen shpirtrat e këqij - Janë shpirtrat e engjëjve që s’u bashkuan as me Perëndinë, as me Luciferin, kur ky ngriti krye. V. 59. hijen e atij - Papa Çelestin V që u zgjodh në këtë post në vitin l294, kur ishte 79 vjeç. Ai dha dorëheqje pas pesë muajsh i shtyrë nga kardinali Benedeto Kaetani, i cili e trashëgoi me emrin e Bonifacit VIII. Ky e futi Çelestinin në burg dhe e mbajti aty gjersa vdiq. V. 78. Akeronti - Në botën antike lum i përtejvarrit. Ai rrjedh edhe në Ferrin e Dantes. Në fillim ai quhet Akeront (gr. lumi i trishtimit) dhe pështjell rrethin e parë të Ferrit. Pastaj zbret poshtë dhe formon kënetën e Stigjes (gr. i urryer), në të cilën ndëshkohen zemërakët. Më tutje ai kthehet në Flegjeton (gr. përvëlues). Pasi përshkon me këtë emër pyllin e vetëvrasësve dhe shkretirën, ku bie shiu i zjarrtë, ai bie si një katarakt plot zhurmë dhe derdhet në thellësi. Në qendër të tokës ai kthehet në liqenin e ngrirë të Kocitit.V. 83. një plak i zbardhur - Karonti, që transportonte shpirtrat në botën antike të përtejvarrit. Të njëjtën gjë bën ai edhe në ferrin e Dantes. V. 93. Gjej varkë tjetër - Me që Dante nuk është i dënuar, Karonti mendon se ai duhet të udhëtojë me një varkë tjetër, më të lehtë, që i shpie shpirtërat në Purgator.

KËNGA E PESTË

Dhe zbritëm ne nga rrethi i parë

në rreth të dytë. Vend më pak ai zinte,

por dhembjet shpirtrat bënin për të qarë.

Tek porta Minosi i frikshëm rrinte, 4

ckërrmitej kur gjykonte vdekatarët,

dënonte dhe në terr me bisht i shpinte.

Kur dilnin para tij ata qyqarët, 7

secili fajet një për një rrëfente,

në ferr të zi një vend për mëkatarët

ky njohës i mëkatit vrik e gjente. 10

Pështillte veten ai me bisht aq herë

sa rrathë poshtë t’i hidhte i pëlqente.

Përpara tij plot njerëz ka përherë, 13

me rradhë vijnë ata për t’u gjykuar,

flasin, dëgjojnë e flaken në humnerë.

“O ti që vjen në strehën e mjeruar”, - 16

më thotë Minosi sa sheh të afrohem

dhe lë mënjanë punën e mallkuar.

"Shih si po hyn dhe kujt po i besohe! 19

Mos u gënje nga port’ e gjerë tepër!".

Por prijsi im i tha: "Pse i akrrohe?

As rrugën mos ia zër, se fati i epër 22

ia ka caktuar. Kjo u vendos në qieje,

ku bëjnë atë që duan. Mos pyet gjë tjetër!".

Ofshama dhembjesh veshi nis të ndiejë, 25

sepse tani tek vendi paç arritur,

ku vaj i madh fillon që të shpërthejë.

Ky vend i zi, që drita nuk ka ndritur, 28

gjëmon e shfryn si deti prej shtrëngate

nga erëra të kundërta i goditur.

Duhi e ferrit kurrë nuk tulatet 31

dhe bart me vete shpirtrat në pështjellë,

i tund, i shkund, sa i cfilit të ngratët.

Dhe kur arrijnë mu mbi hon të thellë 34

ata bërtasin, qajnë edhe gjëmojnë,

ata mallkojnë zotin lart në qiell.

Më thotë prijsi se kështu ndëshkojnë 37

ata që veç mëkate bëjnë epshore

dhe që arsyen pasionit ia nënshtrojnë.

Si gargujt që në mot të keq dëbore 40

në rresht të dendur enden krahëhapur,

kështu përplasen shpirtrat mëkatnore,

sa poshtë-lart nga era hallakatur. 43

Nuk kanë shpresa që t’i ngushëllojnë,

as falje kurrë s’kanë për të patur.

Si krillat që me britma qiellin shpojnë 46

tek ecin bashkë në një varg të gjatë,

kështu i sheh të çirren, të vajtojnë

të mjerat hije në atë shtrëngatë. 49

Dhe pyes: "Pse erë e zezë i bitisi,

më thuaj, mësues, ç’kanë bërë ata të ngratë?".

"E para, - mua që lart më foli prijsi, 52

mes hijesh, për të cilat do njoftime,

perandoreshë qe mbi popuj, fise.

Aq shumë u zhyt ndër epshe e dëfrime 55

sa gjithë qejfet la me ligj të lira,

veç të mos kish nga populli qortime.

Kjo është bash ajo Semiramira, 58

që Ninon trashëgoi dhe burrë pati.

Tani Sulltani i ka ato mbretërira.

Ja Didoja që fjalën s’i pat mbajtur 61

Sikeut dhe veten vrau nga dashuria.

Ja dhe Kleopatra në epsh e papërmbajtur.

Helenën shih, që pru’ mbi dhè me mija 64

të zeza, dhe Akilin trim me vlerë,

që u mposht në jetë veç nga dashuria.

Parisin shih, Tristanin" dhe të tjerë, 67

me mijra hije ai me gisht tregoi,

që dashuria nga jeta ndau përherë.

Kur prijsi im me emër më dëftoi 70

plot burra, gra, dikur me nam të mirë,

e humba krejt, mëshira më pushtoi.

Ia nisa prapë: "Poet, me sa dëshirë 73

flas me ata të dy që tok po shkojnë

dhe era lehtë duket se i prir".

Dhe ai më tha: "Ti prit sa të shikojmë 76

t’afrohen dhe lutju për dashurinë

që lehtë i bart, ata do të dëgjojnë".

Drejt nesh kur i shtyu era-suferinë 79

u bëra zë: " O shpirtra të dëshpëruar,

të flasim ejani po s’pat ndalime".

Porsi pëllumbat mallit përvëluar 82

drejt çerdhes s’ëmbël qiellit flur lëshohen

me krahët e shpalosur e shtrënguar,

kështu nga çet’ e Didos vrik largohen 85

dhe vijnë ata mes ajrit të fëlliqur,

aq fort nga thirrj’ e dhemshur përgjërohen.

" O shpirt plot hir, bujar e zemërndritur, 88

që vjen të shohësh nëpër errësirë

ne që me gjak e patëm dheun vaditur,

sikur ta kishim mik ne perëndinë, 91

për paqën tënde fort e kishim lutur,

se paske për të gjorët ne mëshirë.

Në paç gjë për të thënë a për të pyetur, 94

ty gati jemi për të t’u përgjigjur,

ndërkohë, e sheh, dhe era është zbutur.

Në breg të detit unë u pata lindur, 97

n’atë krahinë ku Poi ndal rrëmbimin,

ku përrenjtë e malit bëhen krejt të bindur.

Nga dashuria, që prek çdo zemër trimi, 100

u lidh ky fort pas trupit tim të bukur,

aq kobshëm vrarë sa më zë trishtimi.

Dhe dashuria , që s’lë dashnor pa zbutur, 103

me të më lidhi, dhe asnjë përpjekje

prej tij më kurrë s’ka për të më shkëputur.

Kjo dashuri na çoi të dy në vdekje. 106

Në Kainë vaftë kush na la pa jetë!".

Kështu na thanë dhe ranë në heshtje.

Kur e dëgjova atë shpirt të shkretë, 109

e ula kokën poshtë e më s’e ngrita.

Pyet prijsi: " Çfarë po mendon, vërtet?".

Kur u përgjigja: "Vaj-medet!, - thërrita, - 112

kushdi ç’mendime t’ëmbla, sa dëshira

i shtynë atje ku vdekja vinte prita!".

Pastaj nga an’ e tyre unë u prira. 115

"Françeskë, - i thashë, - për këto mjerime

me lot’ të hidhur qaj nga dhemshuria.

Por thuaj, midis të ëmblash psherëtime 118

qysh vallë dashuria ju pat mësuar kaq lehtë

të ndanit ju dëshirat nga dyshimet?".

"S’ka dhembje më të madhe, - tha, - në jetë 121

se të mendosh për kohën e gëzuar

në fat të keq. E di dhe prijsi vetë.

Meqë të dish si rrënjët pat lëshuar 124

kjo dashuria jonë ke aq kureshtje,

po bëj si ai që flet duke lotuar.

Lexonim ne një ditë, kot për prehje, 127

për Lançelotin, si u dashurua,

krejt vetëm ishim e dyshim s’na brente.

Vështrimi ynë shpesh u kryqëzua, 130

fytyra nga leximi na qe skuqur

dhe mendja në një çast u turbullua.

Kur ne lexuam si ai dashnor pat puthur 133

fytyrën që i blatonte lumturinë,

ky, që prej meje kurrë s’është shkëputur,

më puthi buzët me aq drithërimë. 136

Galeot qe libri dhe ai q’e shkroi.

S’lexuam më tutje ne as dhe një grimë!".

Kur njëri shpirt këto mua m’i tregoi, 139

ai tjetri qau. Kaq dhembja më pat prekur

sa shpejt m’u duk se fryma më mbaroi

dhe rashë përdhe porsi një trup i vdekur. 142

V. 4. Minosi - mbret dhe ligjvënës i Kretës së Lashtë, që kishte famën e një njeriu të drejtë. Në Ferrin e Dantes u cakton dënimin mëkatarëve. V. 58. Semiramida - mbretëreshë e Asirisë (l356 - l3l4 p. e. s.). La të lira me ligj martesat sipas dëshirës. U martua vetë me të birin. V. 61. Didona - mbretëreshë e Kartagjenës, e veja e Sikeut, të cilit i kishte premtuar se nuk do të martohej më. ra në dashuri me Eneun, u braktis prej tij dhe vrau veten. V. 63. Kleopatra - mbretëreshë e Egjiptit, dashnore e Mark Antonit. Kur ky u mund nga Oktavian Augusti, helmoi veten me anën e një gjarpëri. V. 64. Helena - e shoqja e Menelaut, mbretit të Spartës. Rrëmbimi i saj nga Paridi u bë shkaku i shpërthimit të Luftës së Trojës. V. 65. Akili - më i shquari i herojve grekë në luftën e Trojës. Ai vdiq nga dashuria për Poliksenën, të bijën e Priamit, mbretit të Trojës. Në kohën kur do të martoheshin e vrau Paridi. V. 67. Parisi (Paridi ) - I biri i Priamit. E vrau Pirroja, i biri i Akilit, për rrëmbimin e Helenës. Tristani - kalorës i tavolinës së rrumbullakët. U vra nga Marku, mbreti i Kornovajës, për shkak se i kishte ngashënjyer të shoqen, Izoldën. V. 74…me ata të dy që tok po shkojnë… Janë hijet e Françeska da Riminit dhe Paolo Malatestës. Françeska ishte e bija e Guido da Polentës, sundimtarit të Ravenës. Aty nga viti l275 u martua me Xhançoto Malatestën, babai i të cilit ishte udhëheqës i guelfëve të Riminit. Ai ishte i shëmtuar dhe i çalë. Kur mori vesh se e shoqja kishte lidhur dashuri me vëllanë e tij më të vogël, Paolon, ai i vrau që të dy. V. 97. Në breg të detit - në Ravenë. V. l07. Në Kainë vaftë kush na la pa jetë! Në Kainë, në rrethin e nëntë, janë dënuar vëllavrasësit.V. l28. Lançeloti - hero i romanit mesjetar francez me të njëjtin emër për kalorësit e tavolinës së rrumbullakët (shek. XIII). Romani tregon për dashurinë e Lançelotit me mbretëreshën Gjinevra, të shoqen e mbretit Artur. V. l36. Galeot qe libri dhe ai që e shkroi - Galeoti ishte kalorësi që ndihmoi afrimin e Lançelotit me Gjinevrën. Rolin e Galeotit luajti libri mbi Lançelotin, që e shtyu Paolon të puthte Françeskën.

KËNGA E DHJETË

Në shteg të fshehtë ecim ne tani,

mes muresh edhe shpirtrash të dënuar,

mësuesi para, unë prapa tij.

"O shpirt fisnik, që je duke më çuar 4

nga njëri rreth në tjetrin,- thashë unë, -

dëshirën lus për të ma plotësuar.

Ata që dergjen varreve a mund 7

t’i shoh ? Tashmë çdo rrasë u ngrit përpjetë,

as roje unë nuk po shoh gjëkund".

Dhe ai : "Do mbyllen prapë ata të shkretë 10

nga Jozafati kur të kthejnë pa shpresë

me trupat që i lanë atje pa jetë.

Tani po dergjet në këtë varrezë 13

me Epikurin çdo ithtar i tij,

që thosh se shpirti tok me trupin vdes.

Dhe sa për pyetjet që më bëre ti, 16

këtu ato kënaqen menjëherë

tok me dëshirën që po fsheh në gji".

" O prijës i mirë, - i thashë atëherë, - 19

s’po të fsheh gjë. Të flas do desha pak,

sikur më pate këshilluar aq herë".

" O ti toskan, që në qytetin-flakë 22

i gjallë shkon e flet aq zemërdlirë,

qëndro në daç me mua te ky prag.

Kuptoj nga gjuha jote fare mirë 25

se linde në atë qytet bujar,

të cilit i shkaktova mjaft trazirë".

Dëgjova kaq papritmas nga një varr 28

ky zë të dalë; i trembur u pështeta

pas prijsit tim më fort sesa më parë.

Dhe ai më tha: " Ç’po bën, kthe sytë, i shkretë, 31

ja Farinata krejt në këmbë u ngrit,

të tërë e sheh nga beli e përpjetë".

Në sytë e tij të mitë unë i ngulit: 34

i mban aq lart ai krahëror dhe ballë,

sikur dhe ferrin e përbuz ky shpirt.

Ndërkohë prijsi im më shtyn ngadalë 37

drejt tij përmes varrezës tërë flakë

dhe thotë: “Mirë mate ti çdo fjalë!”.

Tek varr’ i tij kur sosa mu në prag, 40

më pa një herë dhe si me përçmim

pyeti: “Të parë cilët ke në gjak?”.

T’i bindem desha pa asnjë ngurim. 43

I thashë hapur cilët kam të parë.

Pa vetullngritur në drejtimin tim

dhe tha: " U treguan armiq krenarë 46

me mua, gjyshërit dhe partinë time,

prandaj dy herë ata i paç shpërndarë!".

"Në i përzunë, - qe përgjigja ime, - 49

u kthyen prapë për të dytën herë,

të tutë s’nxorën nga ky art mësime!".

Nga varri i zbuluar përnjëherë 52

një hije tjetër mjekrën nxjerr mbi varr,

në gjunjë duket ish ky shpirt i mjerë.

Vështroi rreth meje ai për të parë 55

nëse me mua kish tjetër njeri,

por shpresën kur e humbi, duke qarë

më thotë: "Nëse te ky burg i zi 58

të solli ty kjo mendje e përndritur,

ku është im bir? Me ty pse s’është ai?".

I them: "Këtu me dashje nuk kam zbritur. 61

Ai që atje më pret këtej më solli.

Guidoja yt atë s’e pat përfillur".

Dënimi dhe mënyra sesi foli, 64

se cili ish ma bënë krejt të qartë,

prandaj përgjigjen aq të plotë e mori.

U ngrit në këmbë ai sa kishte shtat 67

dhe thirri : "Si ? S’e pat? Pra, s’qenka gjallë?

As sytë e tij s’i ndrit më dritë e artë?".

Kur, para se t’i thosha ndonjë fjalë, 70

një copëherë ndenja i hutuar,

ai ra me shpinë e më nuk pati dalë.

Shpirtmadhi tjetër që më pati ftuar 73

t’i vija pranë, nuk ndërroi fytyrë

dhe rrinte drejt e krejt i patrazuar.

"Që këtij arti dot s’i patën hyrë, - 76

vazhdon ai bisedën e ndërprerë, -

më djeg më tepër se ky shtrat-munxyrë.

Por pa u ndezur pesëdhjetë herë 79

fytyrë e zonjës që këtu sundon,

sa fort rëndon ky art ke për ta ndierë.

Në t’ëmblën botë u kthefsh siç dëshëron, 82

por thuaj, pse ky popull armiqësisht

kundër të mive ligje dekreton?".

I them: "Kërdia, që aq mizorisht 85

e bëri Arbien të skuqte gjak,

e shtyn atë të thotë urat’ në kishë".

Si tundi kokën, psherëtiu pak, 88

"Nuk qeshë i vetëm, - tha, - me siguri,

askush s’do kish luftuar pa një shkak.

Por qeshë atje i vetmi ai njeri 91

që kur Firencën deshën ta rrafshojnë

e mbrojta ballëlart, me trimëri".

"Uroj në paqe nipat të të rrojnë! 94

Të lutem, - thashë, - zgjidhmi ca dyshime,

që mendjen time fort e ngatërrojnë.

Ju shihni qartë, sipas hamendjes sime, 97

ato që koha fsheh në ardhmëri,

të tashmen shihni veç me mjegullime".

"I shohim gjërat veç në largësi, - 100

më tha, - si ai që afër nuk sheh dot.

nga qielli lart e kemi si dhunti.

Për ç’ndodh apo do ndodh’ mundohet kot 103

kjo mendja jonë. lajm po s’pru’ njeri,

s’e dimë çfarë ndodh me ju në botë.

Prandaj mbaron, siç e kupton dhe ti, 106

kjo njohja jonë ditën e gjykimit,

kur mbyllen portat për në ardhmëri".

Atëherë i them, i brejtur prej pendimit: 109

"I thoni, pra, atij që u rrëzua,

gjallon i biri jashtë çdo dyshimi.

E nëse heshta kur më pyeti mua, 112

i thuaj ca dyshime desh të zgjidhte

dhe teksa mendjen vriste u hutua".

Ndërkohë prijsi nisi të më thirrte. 115

Iu luta shpirtit shkurt të thotë atëherë

me të kush tjetër te ky varr po rrinte.

"Këtu me mua mijra ka të mjerë,- 118

më thotë. - Ke të dytin Frederik,

ke Kardinalin, s’flas më për të tjerë".

Pastaj u zhduk. Nga poeti antik 121

drejtova çapat, duke rimenduar

ato që ai m’i tha porsi armik.

U nis shpejt prijsi. Para duke shkuar 124

më pyet: “Pse po rri kaq i mërzitur?”.

Kureshtjen kur unë ia pata shuar:

"Ç’ dëgjove kundër vetes, të skalitur 127

në mendje ruaje. Dëgjo tani, -

tha prijsi im me gishtin lart të ngritur, -

kur dritën të shikosh plot ëmbëlsi 130

të syve të asaj që sheh gjithçka,

do të mësosh ç’të pret në ardhmëri".

Dhe mori majtas kur këto m’i tha. 133

E lëmë murin, nëpër humbëtirë

mes rrethit ecim që kufinë e ka

ku një livadh vjen erë qelbësirë. 136

V. ll. Jozafati - Luginë pranë Jeruzalemit, ku, sipas biblës, do të zhvillohet Gjyqi i fundit. V. l4. Epikuri - filozof grek (341-270 para e.s.). Ai mohonte pavdekësinë e shpirtit. V. l8. tok me dëshirën që po fsheh në gji - Dante ka dëshirë të takojë në Ferr shpirtin e Farinata deli Ubertit. V. 21. sikur më pate këshilluar - Dante kujton këshillën e Virgjilit: “Shpejt ke për ta kuptuar…”, kur ata po i afroheshin Akerontit. V. 32. ja Farinata krejt në këmbë u ngrit - Farinata deli Uberti (lindur në fillim të shekullit XIII), udhëheqës i gibelinëve fiorentinas. Të parët e Dantes ishin partizanë të partisë kundërshtare të guelfëve dhe qenë mundur dy herë nga gibelinët, duke u detyruar të braktisnin Firencen. Në vitin l283 gjyqi i inkuizicionit e dënoi pas vdekjes Farinatën si heretik, si “imituesin e Epikurit”. V. 53. një hije tjetër kokën nxjerr mbi varr - Një epikurian tjetër, Kavalkante Kavalkanti, guelf, i ati i Guido Kavalkantit, filozof dhe poet, mik i ngushtë i Dantes. Kur nuk e sheh të birin pranë Dantes, ai çuditet. Dante i shpjegon se këtu e ka sjellë Virgjili, veprat e të cilit Guido “s’i pat përfillur”. Duke e keqkuptuar përgjigjen, sikur i biri nuk jeton më (dhe në fakt Guidoja vdiq disa muaj më vonë), ai shembet i dërmuar në varrin nga kishte nxjerrë kokën. V. 62. Ai që më pret atje këtej më solli - Virgjili. V. 80. fytyrë e zonjës - Persefoni që në mitologjinë greke konsiderohej hyjneshë e Hënës dhe identifikohej me të. Vargjet 79-80 duhen kuptuar kështu: “Nuk do të kalojnë as pesëdhjetë muaj, sa fort rëndon ky art (i kthimit nga mërgimi) ke për ta ndierë”. Dhe me të vërtetë, në qershor të vitit l304 Dante humbi çdo shpresë për t’u kthyer në atdhe.V. 87. na shtyn t’i nxjerrim ligjet ne në kishë - Në kohën e Dantes mbledhjet e këshillave të qytetit zhvilloheshin në kishën e San Xhovanit. Këtu ishin dekretuar edhe ligjet kundër fisit të Ubertëve. V. 91. Por qeshë atje i vetmi ai njeri - pas fitores në Montaperti, udhëheqësit e gibelinëve kërkuan që të rrënohej Firencja. Gibelinëve toskanë iu kundërvu Farinata, i cili deklaroi se sa të jetë gjallë do të luftojë me shpatë në dorë i vetëm kundër të gjithëve për mbrojtjen e saj. V. ll9. ke të dytin Frederik - Frederiku II Hohenshtaufen (ll94-1250), perandor i Gjermanisë, mbret i Napolit dhe i Siçilisë. Si armik i papajtueshëm me fronin papënor, ai u çkishërua tri herë si heretik. V. l20. ke Kardinalin - Otaviano deli Ubaldini (vdekur më l273), një gibelin i flaktë dhe me influencë. Mbeti e paharruar shprehja e tij: “Po të kisha shpirt, do ta sakrifikoja për gibelinët”. V. l31. të syve të asaj - të Beatriçes.

KËNGA E NJËMBËDHJETË

Kur sosëm buzë një gremine tjetër,

plot me shkëmbinj të hedhur qark rrethuar,

një turmë pamë me një dënim më t’egër.

Meqë një erë të keqe pa pushuar 4

po villte që së thelli kjo greminë,

ne tek një varr i madh patëm qëndruar,

pas rrasës ku lexohej ky mbishkrim: 7

"Po ruaj brenda papën Anastas,

që Zotin humbi prej dhjakut Fotin".

"Na duhet të zbresim më javash, 10

ndijimet tona pak sa të mësohen

dhe mos t’i ndiejmë duhmat ne më pas", -

mësuesi tha. "Që kot mos t’humbim kohën 13

sajo, - i them, - po deshe ti diçka".

Ma pret ai: "Për këtë po lodhja kokën.

Shih biri im, midis shkëmbenjsh, - më tha, - 16

tre rrathë zbresin të shkallëzuar,

si lart, por më të vegjël se ata.

Plot janë ata me shpirtra të mallkuar! 19

Gjersa nga pamja vetëm i kupton,

dëgjo përse e si i kanë dënuar.

Çdo ligësi, që qielli e dënon, 22

të tjerët fyen; dhe këtë qëllim

me dhunë ose mashtrim ajo synon.

Veç njerëzit kryejnë dhunë e mashtrim, 25

që zoti i ka zët; ti ke për t’i parë

më poshtë ata si dergjen pa shpëtim.

Plot me dhunues është rrethi i parë, 28

por dhuna kundër tre vetësh ushtrohet,

prandaj ky brez tre brezash është ndarë.

Ndaj zotit, vetes, të afërmit drejtohet 31

kjo dhunë, mbi person a pasuri,

nga arsyetimi im siç do sqarohet.

Me dhunë e plagos të afërmin ti, 34

e vret, a pasurinë ia rrënon

me zjarr, me shkatërrim a kusari.

Prandaj këdo që vret a dëm shkakton, 37

që pasurinë vjedh o keqpërdor,

në brez të parë Zoti e ndëshkon.

Njeriu mbi veten mund të vërë dorë 40

dhe gjënë e tij; prandaj në brez të dytë

pendohet kot kush jetën humb me zor,

vetvetes thonjtë kur i vë në fyt, 43

kush në bixhoz e lë gjithë pasurinë.

Në botë ai gaz nuk pat, në vaj u mbyt.

Me dhunë mund ta prekësh Perëndinë, 46

kur blasfemon o keqas e përdhos,

natyrën i përbuz a mirësinë.

Dhe me të zjarrtën vulë i damkos 49

m’i vogli brez Kaorsë dhe Sodomë,

këdo që kundër Zotit përrallos.

Mashtrimi, që ndërgjegjen e mundon, 52

përdoret ndaj atij që ka besim,

ose atij që fare s’të beson.

Çdo lidhje dashurie, që me njerinë 55

u lind, këputet nga mënyrë e dytë;

në rreth të dytë vuan, pra, dënim

kush është lajkës, hipokrit, kush ysht, 58

falskifikon, grabit, bën simoni,

kush është batakçi, rrufjan e pusht.

Mënyrë e parë shemb çdo dashuri 61

të lindur dhe fituar më pastaj

dhe që krijon besim dhe afërsi;

në rrethin më të vogël, mu në skaj 64

të ferrit, Dite ku e ka selinë,

dënohet për tradhti ai që ka faj".

I them : "Mësues, ky arsyetim 67

i qartë është, dhe ma ke shpjeguar

fort bukur honin dhe kë ai përfshin.

Por veç ata që lera ka mbuluar, 70

që era hallakat, që shiu godet,

o Zotin rrinë duke e mallkuar,

më thuaj, pse në të zjarrtin qytet, 73

kur Zoti i ka zët, si ka ndëshkuar?

Po s’i pat zët, pse heqin aq kiamet?

Dhe ai më tha : "Aq qënke turbulluar 76

sa dhe gjykimin tënd po e humbet?

Me mend mos je diç tjetër duke bluar?

Mos vallë s’të kujtohet se si flet 79

Etika, që aq mirë e ke studiuar,

për tri prirjet që s’do as qielli vetë:

shfrenimin, shtazërinë e verbuar, 82

shpirtligësinë? Meqë ky shfrenim

s’prek Hyun, ai më pak e ka dënuar

Po ta mendosh këtë arsyetim 85

dhe i kujton ata që jashtë muresh

po vuajnë, pra, gjithë atë dënim,

kupton përse i ndanë ata prej këtyre 88

që ke këtu dhe pse jo pa mëshirë

godet i larti qiell çdo faj të tyre".

"O diell, që davarit çdo mjegullsirë, 91

jo që të di, kur ti m’i zgjidh dyshimet,

por të dyshoj më vjen mua më mirë.

Pak prapa kthehu në arsyetim, - 94

i them, - atje ku the se Zotin fyen

një fajdexhi. Ma zgjidh këtë dyshim!".

"Filozofia, po qe se thellë i hyn, - 97

më tha, - më se një herë e ka shpjeguar

sesi Natyra nismën nga Zoti ynë

e merr dhe arti i tij për të krijuar; 100

nëse fizikën merr dhe e lexon,

e gjen shpejt, shumë fletë pa shfletuar,

se dhe ky arti juaj imiton 103

natyrën, ai prej saj shpesh nxjerr mësim

dhe është si një nip i Zotit tonë.

Gjenezën në mban mend që në fillim, 106

veç nga këto të dyja i siguron

njeriu jetesën dhe çdo përparim.

Meqë një fajdexhi krejt ndryshe rron, 109

për artin dhe natyrën ka përçmim

dhe nga të tjerët ai gjithnjë shpreson.

Tani më ndiq, erdh’ koha për shtegtim, 112

në horizont ja Peshqit kanë ndritur,

dhe Qerrja thua shkrep në perëndim:

larg tepër është shtegu për të zbritur". 115

V. 8. papën Anastas. - Papa Anastasi II (496-498), i cili u përpoq të zhdukte përçarjen midis kishës së lindjes dhe të perëndimit. Ai priti mirë të dërguarin e Konstaninopolit, Fotinin, prandaj konsiderohej heretik. V. l7. tre rrathë - Virgjili i shpjegon Dantes se në humnerën e Ferrit të poshtëm, mbi të cilin janë duke qëndruar, zbresin tre rrathë të shkallëzuar: i shtati, i teti dhe i nënti. Në këta rrathë ndëshkohet ligësia, që vepron ose me anën e forcës (dhunës), ose me anë të mashtrimit (njimtisë). V. 50. Kaorsë - Qytet në jug të Francës, i famshëm për fajdexhinjtë e tij. Sodomi - qytet në Azinë e Vogël. Sipas biblës, ky u dogj me zjarr qiellor për jetën e çthurur dhe të jashtënatyrshme të banorëve të tij. V. 65. Dite - Luciferi. V. 67-90. .Mëkatarët e epshit, zemërakët etj. janë më pak fajtorë se dhunuesit dhe mashtruesit, sepse mëkati i tyre shkaktohet nga mospërmbajtja. Në këtë shpjegim Dante i referohet klasifikimit që jep Aristoteli në “Etika”: V. 97. Filozofia - Dante ka parasysh mësimet e Aristotelit. V. l0l. nëse fizikën - “Fizika” - vepër e Aristotelit. V. ll3-l14. Hyllësia e Peshqëve doli mbi horizont, ndërsa Qerrja (hyllësia e Arushës së Madhe) është prirë nga perëndimi, domethënë ka vetëm dy orë natë akoma. V. ll3-l14. Hyllësia e Peshqëve doli mbi horizont, ndërsa Qerrja (hyllësia e Arushës së Madhe) është prirë nga perëndimi, domethënë ka vetëm dy orë natë akoma.

KËNGA E PESËMBËDHJETË

Tani po ecim bregut gjithë gurë.

Me avull lumi duke u mbuluar

mbron ujë bashkë me argjinaturë.

Porsi flamandët që kanë ndërtuar 4

nga Bruxha në Guisant të larta pendë

dhe fushën mbrojnë nga dallga e tërbuar,

si padovanët diga ngrenë në Brentë 7

për çdo qytet e kullë si mburojë,

në Kiarantànë sa pa bërë nxehtë,

dhe këto brigje janë krejt njëlloj, 10

paçka që aq të gjerë e të lartuar

s’i bëri cilido që i ndërtoi.

Porsa nga pylli larg ne kishim shkuar, 13

aq sa ku ish ta shihja ish vështirë

ngado që sytë i pata rrotulluar,

një turmë shpirtrash, duke na arrirë 16

po ecte bregut dhe ata nga ne

po shihnin, sikur natën në errësirë

sheh një njeri kur hëna është e re: 19

qepallat rrinin duke kapsallitur

si një prestar krejt plak që shkon një pe.

Kështu nga shpirtrat duke u soditur 22

më njohu njëri që për kind më zuri,

“Oh, ç’mrekulli!” - ai befas pat bërtitur.

Drejt meje krahun porsa ai e shpuri, 25

ia ngula sytë në fytyrë mirë,

fytyrë e djegur mendjes shpejt i pruri

kujtimn’ e vjetër krejt të përtërirë. 28

“Ju, ser Bruneto, në këtë mjerim?” -

i thashë, dorën time duke shtrirë.

Dhe ai: "Të ndahet s’ke ti kundërshtim 31

Brunet Latini nga kjo turmë e mjerë

edhe me ty të vijë, biri im?".

"Me gjithë qejf, - i thashë unë atëherë, 34

dhe po të duash që me ty të rri,

jam gati, po la prijsi, menjëherë".

"O bir, në se ndokush nga kjo ushtri 37

vonon një çast, njëqind vjet i zbuluar

pastaj qëndron nën zjarrin batërdi.

Ec para, vij përkrah pa u vonuar 40

gjersa t’arrijë prapë çetën time,

ku qan çdokush dënimin e amëshuar".

Të shmangem nuk guxoj nga rruga ime 43

me të për të ecur barabar, kokulur

shkoj, si një që do t’i bëj nderime.

Tha ai: ""Nga bota ç’fat të paska shkulur 46

që dhe pa vdekur ti këtu po zbret?

Kush po të prin në honin, ku je ulur?".

I them: "Atje lart në të qetën jetë, 49

pa e arritur ende pjekurinë,

e humba rrugën në një pyll të shkretë.

Dje në mëngjes atij i ktheva shpinë, 52

më doli sa desh ktheva te ai vend

ky që në shteg për në shtëpi më prin".

Dhe ai më tha: "Po ndoqe yllin tënd 55

do të arrish në portin plot lavdi,

në t’ëmblën jetë rè siç pata vënë.

Sikur të isha gjallë endé tani, 58

gjersa ky qiell të ka me sy të mirë,

në punë do të t’ndihja me siguri.

Por populli shpërnjohës, keq i prirë, 61

nga Fjezola zbritur në lashtësi,

që është i vrazhdë dhe si egërsirë,

të mirat sheh veç me armiqësi : 64

s’mbin pranë vodhës kurrë i ëmbli fik,

të ndodhë ndryshe nuk ka mundësi.

Të verbër mbahen nga një nam i lig, 67

koprracë janë, cmirëzez, krenarë,

prandaj prej tyre sa më larg ti ik.

Ty nder të sjell veç fati yt i mbarë: 70

qejf të të grijnë dy partitë kanë,

por larg nga sqepi është i ëmbli bar.

Ata si kashtë veten le ta hanë, 73

fidani vetëm mbettë i paprekshëm,

po mbiu ndonjë në plehun fjezolan.

Ai gjallëroftë sojin e shendetshëm 76

të pak romakëve mbetur në qytet,

kur ky u bë fole për të pandershëm".

"Dëshira ime t’ish një e vërtetë, 79

i thashë unë, - ende kishit rruar,

mes njerëzish do të ishit ju në jetë.

Në mendjen time kurrë s’është shuar 82

vegimi juaj atëror plot dhemshuri;

në botën lart ju më patët mësuar

si bëhet i pavdekshëm një njeri. 85

Prandaj sa kohë do të jem i gjallë

për ju do flas gjithnjë me dashuri.

Ç’thatë për mua do ta shkruaj çdo fjalë 88

për t’i shërbyer asaj si krahasim

me gjërat tjera, lart po qe se dal.

Por desha mos të kini hiç dyshim, 91

e kam ndërgjegjen fare të kulluar

dhe Fati ç’më gatit pres pa ngurrim.

Këto divnesa shpesh i kam dëgjuar, 94

e sjelltë Fati rrotën si të dojë,

mulliri bloftë kurrë pa pushuar!".

Me ser Bruneton e vazhdoj atbotë 100

bisedën dhe e pyes kush nga hijet

më shumë pat shkëlqyer lart në botë.

"Disa prej tyre mirë është t’i dije, 103

më tha, - disa t’i heshtje është mirë,

s’i dilet dot gjith’ kësaj mizërie.

Por dije se plot nga këta të nxirë 106

klerikë qenë e letrarë të shquar,

që bënë një mëkat aq të pështirë.

Prishjàni shkon me turmën e mjeruar, 109

Françesk d’Akorsi. Në paç dëshirë

të dish gjë për ata me kokën rruar,

atë ta njohësh s’e ke të vështirë 112

që papa çoi nga Arno n’Bakilon,

ku trupin la ndër turpe krejt i shkrirë.

Të flisja më, por koha po mbaron, 115

më shumë s’rri dot. Ja, që larg dalloj

si tymi rërën prapë po e mbulon.

Po vijnë ca që s’dua t’i takoj. 118

Të lutem, ruajma Thesarin tim,

ku ndiehem gjallë, tjetër s’të kërkoj!".

Pastaj u kthye dhe iku me nxitim, 121

porsi ata që cohën e bleruar

shëtitin në Veronë me gëzim:

si fitimtar dhe jo i turpëruar. 124

V. 4-9. Bruxhë - qytet në Flandër. Guisant (Wisant) qytet në Kale. Këtu flamandët kishin ndërtuar diga. Dante krahason brigjet shkëmbore të Flegjetonit.me digat e ndërtuara nga flamandët dhe ato të ndërtuara gjatë lumit Brentë afër Padovës. V. 9. Kiarentanë - emri i vjetër i Alpeve të Karintisë. V. 29. ser Bruneto - Bruneto Latini ose Latino (l220-12395), sshkencëtar, poet, burrë shteti i komunës së Firences, përkrahës i partisë së guelfëve. Pati shkruajtur librin"Thesari", një enciklopedi e gjërë në prozë, në frëngjishten e vjetër, si dhe librin"Thesari i vogël", një poemë didaktike në vargje. Dante kishte patur miqësi me të në rini dhe e konsideronte si mësuesin e vet. V. 55. Po ndoqe yllin tënd - Njerëzit në Mesjetë ishin të bindur se yjet e qiellit dhe kombinimet e tyre ndikojnë mbi fatin dhe karakterin e njeriut. V. 6l. Por populli shpërnjohës… - Sipas një legjende, romakët shkatërruan nnë kohën e Cezarit qytetin e Fiezolës dhe ndërtuan në breg të Arnos, në rrëzë të maleve të Fjezolës, qytetin e Firences, ku u shpërngulën shumë banorë të Fjezolës. Më vonë Fjezola u rindërtua, por në Firence vazhduan të vinin fjezolanë të tjerë. Dante është i mendimit se kjo përzierje e popullsisë shpuri në dobësimin dhe rënien e Firences. Dante e konsideron veten si pinjoll të romakëve që ndërtuan qytetin e Firences V. 67. Të verbër mbahen nga një nam i lig - Në “Kronikën” e Xh. Vilanit jepet shpjegimi i paranomës që kishin fiorentinët si dritëshkurtër: duke besuar premtimet e mbretit të ostrogotëve Totilës, fiorentinët e lanë të futej në qytet dhe ky i shfarosi të gjithë banorët. V. 71. qejf të të grijnë dy partitë kanë - Partia e të bardhëve do ta zhdukë si kundërshtar, ndërsa të zinjte si renegat. V. 78. u bë fole për të pandershëm - Qyteti i Firences. V. 89. asaj - Beatriçes. V. l09. Prishjani - Gramatist i shquar latin i shek. VI të e.s. V. ll0. Françesk d’Akorsi - Françesko d’Akorso (l225-1293), i biri i juristit të shquar fiorentin Akorso, që edhe vetë ishte jurist i shquar. V. ll2. Atë të njohësh - Andrea dei Moci, peshkopi i Firences, të cilin për sjellje skandaloze papa Bonifaci VIII e transferoi nga Firencja në Viçenca (mbi lumin Bakilone), ku ai dhe vdiq. V. l21-124. Pranë Veronës një herë në vit organizoheshin gara vrapimi lakuriq. Fitimtari fitonte një cohë të blertë. Bruneto Latini gjithashtu është lakuriq dhe vrapon për të arritur të tjerët.

KËNGA E TETËMBËDHJETË

Atje një vend, që Lugjezezë i thonë,

prej gurësh ngjyrëhekuri i formuar,

si rrethi ngjan që ferrin e pushton.

Dhe mu në mes të lëmit të mallkuar 4

një pus i gjerë dhe i thellë nxin,

për të më vonë kam për të treguar.

Mes pusit dhe të ashpërve shkëmbinj 7

mbetet një brez në formë unazore,

që dhjetë lugje brenda i përfshin.

Siç kanë pamjen shpesh disa llogore 10

që shumëfish kështjellat i pështjellin

dhe sigurojnë muret madhështore,

të tillë pamje lugjet më përndjellin; 13

si portat, që të gjitha kanë urë

dhe nga fortesa mu në breg të hedhin,

kështu nga kjo errësirë tërë gurë 16

plot kreshta pranë pusit shkojnë ndërpriten,

pasi që lidhin gropë e armaturë.

U gjendëm te ky vend posa që zbritëm 19

nga supet e Gerionit; prijsi im

merr majtas, ndërsa prapa unë i ngjitem.

Shoh djathtas meje kob edhe mjerim; 22

në lug të parë jam duke vrojtuar

të tjera vuajtje, tjetër fshikullim.

Në fund ka, lakuriq, plot të dënuar, 25

drejt nesh vjen gjysma, gjysma ik nga ne,

të gjithë kanë çap më të nxituar;

posi romanët n’atë jubile, 28

që për të dalë urës përmatanë

sajuan një mënyrë krejt të re:

me ballin lart nga kështjella në një anë 31

kalon një turmë drejt për në Shën Pjetër,

në tjetrën turma shkon drejt malit pranë.

Kudo mbi shkemb të zi nuk shoh gjë tjetër 34

veç djaj me brirë, me kamxhik përpjetë,

që shpirtat fshikullojnë si të egjër.

Ah, si ia mbathin vrap ata të shkretë 37

nga ky kamxhik! Pas fshikullit të parë

askush të dytë s’pret, jo më të tretë.

Tek ecja sytë i ngula pa i ndarë 40

drejt njërit dhe bërtita menjëherë:

“Diku këtë më duket e kam parë!”.

I ndala këmbët që ta shoh një herë. 43

U ndal me mua prijsi im i mirë

dhe më lejoi të kthehem prapsht atëherë.

Kot uli kokën ky i fshikulluar 46

që të mos njihej, se në çast i them:

"O ti, që je përdhe duke vështruar,

fytyra jote nëse s’më gënjen, 49

je Venedik Kaçianemiku ti.

Te ky vend turpi për ç’mëkate vjen?".

"Dëshirë s’kam ta them, - përgjigjet ai. - 52

Por të hesht s’më lë kjo gjuhë e kulluar,

Që botën lart më ndillka përsëri.

Ai qeshë, Gilozabelën që pat çuar 55

markezin të kënaq me trup të saj,

nga thashethemet siç e ke dëgjuar.

I vetmi bolonjez s’jam që po qaj, 58

edhe të tjerë plot këtu do gjeni,

kaq njerëz s’thonë “sipa”" te ai skaj

që mes Savene ndodhet edhe Reni. 61

Atë që them për ta vërtetuar,

kujto se shpirtmakutër fort ne jemi".

Një djall, tek fliste, e pat fshikulluar 64

dhe i bërtiti: "M’u qëro, rrufjan,

këtu s’ka femra ti për të tregtuar!".

Kur prijsit tim i vajta fare pranë, 67

pas disa hapash ne patëm arritur

atje ku dilet nëpër shkëmb matanë.

Mjaft lehtë shkëmbit lart iu patëm ngjitur, 70

shpejt djathtas kthejmë e këta të dënuar

i lëmë të vërdallen të sfilitur.

Kur sosëm tek ai vend, ku i lakuar 73

ky shkëmb të rrahurit lë që të kalojnë,

tha prijsi: "Ndalu pak për të vrojtuar.

Të tjerë plot, që fatin e mallkojnë, 76

fytyrën ende s’di ti si e kanë,

sepse në një drejtim me ne po shkojnë".

Nga urë e vjetër shohim një vargan 79

drejt bregut tjetër duke u afruar,

që si të parët plot kamxhikë hanë.

Dhe prijsi thotë pa ia kërkuar: 82

"Shih kush po vjen me pamje madhështore,

që vuan, por nuk rri duke lotuar:

endè e ruan pamjen mbretërore! 85

Jasoni është, që, i urtë e trim,

u mori kolkëve bashkën përrallore.

Në Lemnos erdh’, kur ishte në shtegtim, 88

atje ku gratë me aq egërsi

i vranë burrat pa një përjashtim.

Me fjalë t’ëmbla e plot dashuri, 91

ai vashën Izifilë pat mashtruar,

që vetë kish përdorur njimëti.

E la shtatzënë e të vetmuar, 94

për të po vuan ai këtë ndëshkim

dhe për Medean që e pat tradhtuar.

Me të po shkon kush kreu si ky mashtrim. 97

Dëgjove mjaft për lug të parë ti

dhe për ata që brenda ai përfshin.

Ku rripi i ngushtë, sosim ne tani, 100

me pendën e të dytit kryqëzohet

dhe tjetër urë ngrihet përsëri.

Në lug të dytë vaj i madh dëgjohet, 103

një turmë rri veç duke psherëtirë,

rreh veten me pëllëmbë aq sa dërrmohet.

Çdo shpat me duhmë myku qe mbuluar 106

që ngrihej lart si afsh nga kundërmimet,

me sy, me flegra duke i trazuar.

Aq terr ka poshtë sa asgjë s’shikon 109

mes urës sipër ti për pa u ngjitur,

ku syri hapësirën e përshkon.

Në fund të gropës ne me të mbërritur 112

plot njerëz shohim në pëgërë zhgrryer

këtu nga gjithë bota jashtëqitur.

Kur sytë poshtë unë i pata kthyer, 115

shoh një që s’di ish prift a shekullar,

ngaqë dhe kokën kish me mut përlyer.

Bërtiti ai: "Ç’të shtyn ty për të parë 118

mes njerëzish të pëgërë vetëm mua?".

"Dikur, në të kujtohet, krejt të tharë, -

i them, - i pata parë flokët tua. 121

Aleks Interminel da Luka je,

prandaj t’i ngula sytë, ashtu siç thua".

Qëllonte kokën ai si një shkërbe: 124

"Këtu më sollën fjalët plot miklim,

që gjuhës sime s’iu ndanë për be".

"Përkulu pak përpara, - tha prijsi im, 127

dhe hidhi sytë pakëz më andej,

surratin që të rrokësh me vështrim

të kurvës leshpërpjetë atje përtej, 130

që veten po gërric me thonj të ndyrë,

që ulet poshtë e ngrihet prapë shpejt.

Taida është kurva e pafytyrë, 133

që mikut “Mrekulli!” i qe përgjigjur

kur pyeti: “Si t’u duk kjo që kam prurë?”.

Por sytë tanë boll i kemi nginjur!" 136

V. l. Lugjezezë - Rrethi i tetë i Ferrit përshkohet nga dhjetë hendeqe (lugje) koncentrikë, të ndarë prej pendash, dhe formojnë Lugjezezën. Këtu ndëshkohen mashtruesit. V. 25. Në lugun e parë mëkatarët ecin në dy rryma të kundërta. Djajt i qëllojnë pa mëshirë dhe ata ecin më shpejt se poetët. Një grup ecën në drejtim të poetëve (rrufjanët ), grupi tjetër ecën në një drejtim me poetët (ngashënjyesit. V. 28-33. posi romanët - Për të ngritur prestigjin e kishës dhe për të mbushur thesarin papënor, në vitin l300 papa Bonifaci VIII shpalli “jubileun” e parë të kishës, që tërhoqi shumë pelegrinë, meqë të gjithëve u ishte premtuar falja e mëkateve. Për të mënjanuar rrëmujën, ura e Shën Engjëllit u nda në dy pjesë: në njërën anë turma shkonte drejt katedrales së Shën Pjetrit me fytyrën nga ana e kështjellës së Shën Engjëllit, ndërsa turma tjetër ecte në drejtimin e kundërt, drejt malit Monte Xhordano. V. 50. Venedik Kaçianemiku - udhëheqës i guelfëve të Bolonjës (vdekur në vitin l302). Dante, me sa duket,nuk e dinte se në vitin l300 ai ishte akoma gjallë. V. 55. Gilozabela - Venediko Kaçianemiku ia shiti motrën e tij, Gilozabelën, markezit të Ferrarës Obicio II. V. 59. të tjerë plot - Bolonja, ku në vend të “sia” (një nga format e foljes “jam”) thonë “sipa”, ndodhet midis lumenjëve Savena dhe Reno. Sipas Kaçianemikut, në Ferr ka më shumë bolonjezë të vdekur “rrufjanë”, se të gjallë.V. 83-96. Shih kush po vjen - Jasoni, udhëheqësi i argonautëve, që vodhi bashkën e artë në Kolkidë. Në Lemnos ai ngashënjeu Izifilën, më vonë Medenë, të cilën gjithashtu e braktisi për hir të Kreuzës. V. ll3. plot njerëz - lajkatarët.V. l22. Alesio Intermineli - Vinte nga një familje fisnikësh nga Luka dhe pat vdekur para vitit l300. V. 133. Taida - personazh në komedinë e Terencit “Eunuku”.