Pjetër Bogdani rrëmon në fjalë të rralla

Pjetër Bogdani rrëmon në fjalë të rralla

Evis HALILI
Shkup, 27 korrik - Rradhinkë, shavar, shamak, kajnak… Janë fjalë të rralla shqipe. Dhe thuajse të harruara. Të gjalla në kujtesën e më të moshuarve, por edhe të ruajtura mirë në zonat e thella malore, ku ende përdoren. Shumë prej tyre do t’i mbijetojnë harresës, pas sistemit në arkivat e Instituti i Trashëgimisë Kulturore dhe Shpirtërore “Pjetër Bogdani” i cili prej disa kohësh ka nisur hulumtimet e para në terren.

Fjalë të rralla të shqipes janë në fokus të ekspeditës që i është drejtuar rrethinave të Shkupit, fshatrave malore aty ku edhe supozohet që ruhen fjalë autoktone shqipe, shumë pak të njohura dhe të përdorura në të folurën e përditshme. Nerez, Krushopek…, është itinerari i hulumtuesve. Të ndarë në dy grupe,nën kujdesin e anëtarit të këshillit Xhabir Ahmeti, ekspedita me punonjës të Institutit i janë ngjitur zonave malore, ku kanë mbledhur edhe shumë fjalë që konsiderohen të rralla dhe drejt rrezikut të humbjes.

Kreu i institucionit Mirushe Hoxha, pohon se ky është ndër misionet e drejtpërdrejta të “Pjetër Bogdani”, që prek në trashëgiminë shqiptare. Antroponimet, mikroponimet, patronimet e të tjera, janë në fokus të ekspeditës. Hoxha thotë se katër asistentët fjalët e grumbulluara deri tani janë mbledhur nga dy asistente femra dhe dy meshkuj. Asistentet bisedojnë me gjininë femërore dhe mbledhin fjalë që përdoren në kuzhinë, gatime, perime e fruta, erëza si edhe në punime dore si avlëmend, qëndisje, ndërsa të tjerët grumbullojnë fjalë që përdoren në bujqësi, veshje, e të tjera.

“Ky është ndër projektet e para të këtij lloji që realizohet në vendbanimet shqiptare, deri më tani janë mbledhur shumë fjalë interesante, por për shkak se ky është një studim i mirëfilltë rezultatet do t’i bëjmë publike ndoshta pas një viti”, thotë Hoxha. Ekskluziviteti i takon “Pjetër Bogdani”, megjithatë drejtoresha zbardh disa prej tyre. Për pjesë të tezgjahut figurojnë emrat : elemoj, çerek, çez. Për fijet e barit përdoren fjalë si shamak, apo shavar. Në gatimet e kuzhinës tradicionale, për llojin e byrekut (kolarë) përdoret fjala rradhinka, ndërsa bath, përdoret në vend të fasules, vendburimi i ujit quhet kajnak, e të tjera.

Ekspedita pritet të zgjasë edhe muaj të tjerë. Fjalët të sistemuara sipas rendit alfabetik, do të botohen me shpjegimet përkatëse, sipas parashikimeve vitin e ardhshëm. Ndërsa pas Shkupit instituti do të vijojë hulumtimet edhe në vendbanimet e tjera shqiptare për të krijuar mozaikun e fjalëve të vjetra shqipe.
Arkivi i institutit “Pjetër Bogdani” do të pasurohet edhe me fjalët të tjera të rralla të shqipes, por të përdorura nga shqiptarët në Kroaci. Një studim i anëtarit të saj, akademikut Aleksandër Stipçeviç, është në realizim e sipër. Stipçeviç ka pohuar se ky studim që po i afrohet fundit zgjat prej 20 vjetësh.

Instituti paralelisht punon edhe në hartimin e dy monografive për humanisten shqiptare “Nënë Terezë”, si edhe për personalitetin e letrave Pjetër Bogdani.