Plazhet që nuk do të ekzistojnë më

17/03/2008 - 13:02
• Nderkombetare

Ngrohja e klimës nuk është rrezik vetëm për mbi jetesën e shumë specieve që jetojnë në vendet më ekstreme të planetit. Ngritja e temperaturave po vë në rrezik mbijetesën e disa vendeve që prej dekadash mirëpresin turistë nga e gjithë bota. Revista ekonomike “Forbes”, që shumë herë është përcaktuar nga ekspertët e financës “Bibla e kapitalizmit”, ka provuar të bëjë një renditje të zonave detare që rrezikojnë të zhduken. Përveç ngrohjes klimaterike, faktorët që më shumë kërcënojnë ekosistemin e këtyre territoreve, janë peshkimi i tepërt dhe ndotja detare.
PHUKET DHE KARAIBET
Bregdeti i parë i famshëm që renditet në këtë klasifikim është ai që ndodhet rreth ishullit Phuket, në Tailandë. I famshëm për plazhet e tij ranore dhe për fshatrat turistikë mjaft në modë, Phuket në vitet e fundit ka pësuar ndryshime të ndjeshme për shkak të ngrohjes së klimës. Problemi më i madh që kërcënon ishullin është thatësira. Shpesh gjatë sezonit të plazhit, edhe hotelet më modernë përballen me mungesën e ujit. Nëse shohim në perspektivë, kjo rritje e ndjeshme e fenomenit të mungesës së ujit mund të krijojë tensione të forta mes popullsisë lokale dhe industrisë së turizmit.
Klasifikimi vijon më tej me ishujt Karaibe. Sikurse shpjegon Mark Spalding, një shkencëtar i botës detare, gjithashtu pjesëtar i organizatës ndërkombëtare “Nature Conservancy”, këta ishuj janë goditur nga “kërcënime të fuqishme”, siç janë ngrohja e klimës, urbanizimi i tepruar dhe peshkimi ilegal. Për më tepër, pakësimi i koraleve, i shkaktuar nga stuhitë gjithnjë e më të shpeshta, është një fenomen shkatërrues që godet barrierat koralore dhe ekosistemin e ishujve.
GJIRI MAINE DHE ISHULLI I MAJORKES
Një tjetër linjë bregdetare e kërcënuar nga ngrohja e klimës është ajo që shtrihet përgjatë gjirit të Maines, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sikurse shkruan “Forbes”, ky vend “nuk është vetëm një strehim për turistët, por është edhe një mbështetje e fortë për ekonominë rajonale”, që jeton kryesisht me peshkimin dhe rritjen e kafshëve shtëpiake.
Megjithatë, sipas një studimi të revistës prestigjioze “Science”, ngrohja klimaterike dhe peshkimi i tepërt janë faktorët thelbësorë që kanë përcaktuar ngritjen e nivelit të detit, duke bërë që të rritet edhe rreziku i pasojave të mundshme serioze të ekosistemit detar. Të kërcënuara nga ndryshimet klimaterike janë edhe brigjet mesdhetare te Majorkës, të famshme për numrin e madh të turistëve që e vizitojnë çdo verë. Këto brigje, ashtu si dhe Phuketi, janë të kërcënuara nga pakësimi i ujit të pijshëm, të ardhur si pasojë e kërkesës në rritje dhe ngritjes së temperaturave atmosferike. Vitet e fundit, qeveria spanjolle është përpjekur të ndreqë problemin e thatësirës duke dërguar atje shumë anije cisterna, por për të ardhmen ekziston frika e rënies së industrisë së lulëzuar të turizmit.
TË TJERËT
Revista “Forbes” rendit në listën e saj edhe 4 zona të tjera bregdetare që rrezikohen nga faktorë të ndryshëm. I pari është ai që shtrihet përgjatë bregut qendror të Kilit, i formuar nga shumë plazhe të mrekullueshme, të pafrekuentuara nga turistët. Këtu zhdukja e shumë specieve detare nuk i faturohet vetëm ngrohjes së klimës, por edhe ndotjes të shkaktuar nga shumë industri peshkimi te shfaqura vitet e fundit ne territoret përreth.
Klasifikimin e vijon bregu që gjendet përgjatë kufirit me Kanadanë meridionale dhe shtetin amerikan të Oregonit, i goditur nga një nivel i lartë ndotjeje, çka ka shkaktuar zhdukjen e shumë specieve e madje ka ndikuar edhe në zhvillimin e peshqve të seksit mashkullor me karakteristika seksuale femërore.
Klasifikimin e mbyllin brigjet lindore të Filipineve, të kërcënuara nga peshkimi i tepërt dhe kthimi i pyjeve në rezervate për mbarështimin e peshqve dhe karkalecave (këto pyje mbrojnë zonat bregdetare nga erozioni, ciklonet dhe erërat) dhe disa zona bregdetare të lagura nga Deti i Veriut, edhe këto të goditura nga peshkimi i tepërt dhe ndotja.
Elona Memushi