Premier League - Mourinho: Januzaj ka të ardhme

Shpërthimi i papritur i Adnan Januzajt te Manchester United i ka bërë shumë përshtypje edhe trajnerit të Chelsea, Jose Mourinho. 18-vjeçari, i cili u shpall njeriu i ndeshjes në fitoren në “Old Traford” ndaj Swansea me 72% të votave, po merr përsipër lojën krijuese të “djajve” në mungesë të Wejn Runejt dhe Robin Van Persit e pikërisht ky fakt nuk i ka shpëtuar syrit të mbrehtë të Special One, që nuk ngurron të thotë fjalët më të mira për një kundërshtar të tij në fushën e blertë.

“Ai është lojtar fantastik. Ai nuk duket si 18-vjeçar, por si 25- vjeçar. Januzaj është shumë i zgjuar dhe ndihet rehat me lojën e tij. Është një lojtar shumë i mirë dhe i rëndësishëm.”

Sipas portugezit, djaloshin me origjginë shqiptare e pret një e ardhme e jashtëzakonshme për vetë cilësitë që ka.

“Mendoj se Januzaj është lojtar shumë i mirë dhe me perspektivë për të patur një karrierë të madhe dhe të gjatë. Nuk e njoh djalin nga afër, por ai duket se ka shumë besim në vetvete”.

Adnan Januzaj mbetet një nga objejkivat kryesore të kombëtares shqiptare, edhe pse babai I futbollistit nuk ka dhënë shumë shpresa për përfaqësimin e Januzajt me Shqipërinë në arenën ndërkombëtare. Gjithsei, me përfshirjen madje edhe të politikës në këtë çështje, besohet se ekzistojnë mundësitë për ta bindur talentin 18-vjeçar që të veshë fanellën kuqezi.

Nga Adi Metaliu - SuperSport