Rama: Koha s’punon për Sali Berishën

Lideri i PS-së, Edi Rama është shprehur i vendosur për t’i shkuar deri në fund kërkesës për hetimin e zgjedhjeve. “Koha nuk punon për kryeministrin dhe opozita që përfaqëson shumicën e shqiptarëve nuk do ta ndërpresë betejën e saj për liri dhe të drejta të panegociueshme”, tha Rama gjatë një interviste televizive.
Sipas tij, rezultati i zgjedhjeve nuk përputhet me vullnetin e popullit, shprehje e një deformimi për të cilin PS është jashtë Parlamentit dhe kërkon që në bazë të plotësimit të kërkesave të rivendoset dinjiteti i parlamentit.

“Rezultati doli si pasojë e një numërimi shumë të keq në një të tretën e kutive, çfarë mbetet për të diskutuar më tutje dhe çfarë mbetet për të lënë pa bërë nëse nuk hapen kutitë aty ku qëndron edhe e vërteta e 28 qershorit dhe aty ku lexohet qartësisht vullneti i popullit apo shkalla e deformimit të tij”, tha ai, duke shtuar se deformimi ka pasur të njëjtin regjisor, Sali Berishën dhe të njëjtën orkestër.

“Në kushtet kur kemi të bëjmë me një Shqipëri që dështoi në provimin e madh për zgjedhje me standarde, si një vend i NATO-s dhe kandidat për në BE dhe zgjedhjet prodhuan një parlament pa legjitimitet dhe një qeveri po të tillë, situata politike mbetet e bllokuar”, tha ai.

Sipas Ramës është e rëndësishme të dalë në dritë të diellit fakti se “çfarë e çoi pushtetin dhe Berishën deri në këtë akt kundër interesave të vendit dhe në konflikt të hapur me interesat e njerëzve. Pse ky pushtet kërkon dhe bëri gjithë ato hapa në kundërshtim me ligjin dhe parimet demokratike”.

Këtë konflikt, ka vijuar më tej ai, opozita duhet ta zgjidhë duke reaguar në mënyrë konstante dhe pa kompromise.