Real Madridi arrin “qiellin e shtatë”

“Merengesit” kanë fituar ndeshjen e shtatë rradhazi dhe janë nëntë pikë larg Barcelonës kryesuese
Reali i Madridit ka fituar ndeshjen e shtatë rradhazi në kampionatin spanjoll, me të njëjtin stil që kur ka ardhur trajneri Huande Ramos. Një mbrojtje solide dhe pak spektakël i kanë mjaftuar kampionëve të Spanjës për të mposhtur 1-0 Santanderin. Gjithsesi, “merengesit” kanë pasur një rregullësi mbresëlënëse dhe kanë pësuar vetëm një gol në gjashtë ndeshjet e fundit. Ramos debutoi me humbjen 2-0 ndaj Barcelonës, por Reali i tij ka fituar shtatë ndeshjet e tjera dhe ka “blinduar” vendin e dytë. Në takimin e mbrëmshëm, të gjithë prisnin golin e 308-të të Raulit, por rekordi i kapitenit duhet të presë pasi protagonisti ishte Gonzalo Higuain. Sulmuesi argjentinas shënoi në minutën e katërt të pjesës së dytë golin me vlerën e tri pikëve. Ndërkohë, duhet thënë se Kasiljas arriti rekordin e Bujos, duke u bërë portieri që ka mbrojtur më shumë portën e Realit.
Ndeshjet e tjera do të luhen sot. Barcelona, e arratisur nëntë pikë mbi Realin e Madridit, do të presë Sportingun e Gijonit në një takim ku sulmi më i mirë i Spanjës vihet përballë mbrojtjes më të dobët. Trajneri Guardiola do të ketë probleme me formacionin, pasi Markez, Pike dhe Dani Alvesh janë të skualifikuar dhe Karles Pujol nuk ndihet mirë fizikisht. Ndërkohë, Atletiko e Madridit, që nuk fiton prej shtatë ndeshjesh, ka zbritur në vendin e shtatë të klasifikimit dhe kjo i kushtoi vendi e punës trajneri Havier Agirre. Në vend të tij u muarr Abel Resino, që do të debutojë në “Huelva” ndaj Rekreativos, që vjen nga pesë rezultate pozitive rradhazi. Ashtu si Atletiko, edhe Vilareali i vendit të pestë ka nevojë për një kthesë në rezultate. “Nëndetësja” ka fituar vetëm një nga tetë ndeshjet e fundit dhe do të presë Numansian në “El Madrigal”. Valencia do të udhëtojë për në fushën e Osasunës.

Burimi:Sporti Shqiptare