Ronaldinjo: Nëse Kaka ikën, është një shkatërrim për Milanin

Ronaldinjo: Nëse Kaka ikën, është një shkatërrim për Milanin


Akoma nuk është vendosur gjë, por është shumë e vështirë të mbajmë një lojtar që do të fitojë shifra të tilla”. Silvio Berluskoni është thuajse i dorëzuar për të mos e pasur më Kakanë. Ylli brazilian duket tashmë shumë pranë shitjes te Mançester Siti pas superofertës prej 150 milionë për Milanin dhe 15 milionë euro për lojtarin. “Gjithçka është akoma pezull, - saktëson padroni kuqezi. - Është shumë e vështirë t’i kërkosh një lojtari, të cilit i është afruar aq shumë, të qëndrojë për të respektuar kontratën. Duhet të jemi disi të ndërgjegjshëm, - vazhdon Berluskoni, duke nënvizuar se kërkon të sillet me braziliani si, “vëlla i madh, siç bëra me Shevën, të cilit nuk munda t’i thosha jo, kur erdhi oferta nga Çelsi”.

Nëse do t’i kërkonte Kakasë të qëndrojë, sipas Berluskonit do të kishte probleme në bilancin e Milanit: “Nuk mund t’u shtohen rrogat të gjithëve nëse do të përpiqemi të mbajmë Kakanë. Edhe unë jam i të njëjtit mendim si Adriano Galiani, por arsyetimi im është i qartë: nuk mund t’i thuash “jo” një djaloshi që ka një karrierë përpara dhe që nuk e ka për të gjithë jetën dhe që ka mundësinë të fitojë shuma të mëdha nga ato që fiton tani. Ndërkohë, Kakasë nuk mund t’ia shtojmë rrogën që tashmë e ka të lartë, sepse duhet t’ua shtojmë edhe lojtarëve të tjerë. Megjithatë, unë shpresoj që Kaka të qëndrojë”.

Nëse Berluskoni është thuajse i dorëzuar, Ronaldinjo do ta merrte keq një largim të mikut të tij Kaka drejt Premier Ligës. “Nëse Kaka ikën, është një shkatërrim, - thotë braziliani. - Kemi një nevojë të dëshpëruar për të për të fituar tituj të tjerë. E njoh Rikin prej vitesh dhe jam i bindur që paratë nuk janë arsyeja kryesore që po e nxit të lërë Milanin. Ajo që bën ai, nuk u takon lojtarëve të tjerë, por ne duam që të qëndrojë në mënyrë absolute. Sidoqoftë ai duket shumë i qetë, shpresoj që kjo të nënkuptojë që ai të qëndrojë. Është shumë i rëndësishëm për ne, është simboli i Milanit.” Ronaldinjo nuk ka dyshime, Kaka do të shpërthente edhe në Premier Ligë. “Ai është një “monstër”, - vazhdon Dinjo, - do të kishte sukses në çdo skuadër. E kuptoj që Robinjo e Xho (brazilianët e tjerë të Sitit), po përpiqen ta bindin t’i thotë “po” Mançesterit, por ne duam të kthehemi në Champions dhe për t’ia dalë arritur Milani ka nevojë për Kakanë”.

Nëse vijnë 100 milionët për Kakanë, mund të blihet një sulmues, një mesfushor, Aleksi e Klishi

Adebajor, Esien dhe shumë të tjerë

Githsej 100 milionë. E kuptuat? 100 milionë. Nëse Milani, duke e shitur Kakanë do të arrijë të marrë vërtet një shumë të tillë parash, do të jetë mundësia të rregullojë “look”-un. Plani: do të individualizohen lojtarë, do të merret valixhja plot me para, do të qarkullohet në Europë, do të trokitet në dyert e klubeve të tjera dhe do të blihet. Por pyetja e tifozëve është, ajo që fsheh një dyshim: drejtuesit kuqezinj kanë vërtet ndër mend të investojnë për të blerë kampionë të tjerë me parëtë e Kakasë apo do të zgjidhet të sistemohet bilanci? Në pritje të përgjigjes, të përpiqemi t’i “shpenzojmë” 100 milionë eurot e Milanit në merkato. Strategjia është ajo për të rinovuar një grup dhe para së gjithash të rinohet. Me 100 milionë euro mund të blihen e pakta katër lojtarë dhe jo të ndahen për të blerë vetëm një yll, përndryshe mund të mbahet edhe Kaka.

Abiati i konfirmuar në portë. Para tij do të jetë Tiago Silva, i sapo marrë. Si mbrojtës i djathtë, Zambrota është i besueshëm. Duhet një tjetër qendror, një markues i aftë në zonë: Aleks i Çelsit do të ishte i përsosur, është 26 vjeç dhe kushton 10 milionë euro. Në krah të majtë, ndonëse është Jankulovski, mund të trokitet në derën e Arsenalit për Klishin: 23 vjeç për 15 milionë euro. Mesfusha është sektori më i qëndrueshëm, por një blerje nuk do të ishte keq. bëhet fjalë për Esienin e Çelsit, 26 vjeç. Mësymja drejt ganezit s’është e thjeshtë, niset nga një ofertë prej 35 milionë euro. Abramoviçi mund të dorëzohet. Në fund sulmi. Pa Kakanë dhe me Gurkufin, të cilit duhet t’ jepet nëj besim total, pavarësisht se nuk është kopje e brazilianit, por ka karakteristika krejt ndryshe, Milani mund të shkojë në gjueti të një sulmuesi. Emanuel Adebajor, 25 vjeç, është ideal të luajë së bashku me Paton. Me 35 milionë që mund t’i jepen Arsenalit, edhe Arsen Vengeri do të bindej, është e sigurtë.

Dhe kështu, me një makinë llogaritëse në dorë, “kemi shpenzuar” 95 milionë nga 100 të marra për shitjen e Kakasë. Duhen edhe pesë, që mund të shërbejnë për lojtarë me vlerë kartoni më të ulët.

Parrulla dhe kore në “San Siro”

Galiani: Jemi akoma duke u menduar

Tribuna e Jugut në “San Siro” ishte për disa minuta e braktisur para ndeshjes së mbrëmshme ndaj Fiorentinës, por tifozët e parë vendosën disa parrulla të kushtuara Kakasë. Mes tyre ishin: “Zemra nuk ka çmim, qëndron me ne Riki”. “Milani pa ty: FantaKakacio”. “Kak nuk preket”. Më pas tifozët nisën të shajnë në kor drejtuesit e klubit, duke nisur protestën e tyre kundër shitjes së brazilianit. Para ndeshjes me Fiorentinën, ka thyer heshtjen e tij edhe Adriano Galiani, që tha: “Kaka është absolutisht një lojtar i Milanit, asnjë nuk ka nënshkruar gjë, sigurisht po arsyetojmë, po vlerësojmë, po mendojmë, por nuk ka ndodhur gjë. Kaka e ka vendosur? Për momentin asnjë nuk ka vendosur gjë. Nesër vjen i ati? Të mos i dramatizojmë gjërat, do të ketë kohë për të menduar dhe çdo vendim duhet marrë në akord me lojtarin. Mund të kalojmë në histori si drejtuesit që shitën Kakanë? Merkatoja e futbollit ka ekzistuar gjithnjë, jam një tifoz i Milanit si të gjithë të tjerët dhe për më shumë kam përgjegjësi për drejtimin e Milanit. Duhet të përdor edhe arsyen përveç zemrës. Ofertë 120 milionë? Nuk e konfirmoj as këtë as ndonjë shifër tjetër”.