Samsung me tabletë të rinj që ngjajnë me iPad të Apple

Samsung ka modele me bollëk të tabletëve që janë të madhësive dhe kapaciteteve të ndryshme por tani duket se kompania jugkoreane është duke shtuar një model të ri në linjën e saj të tabletëve, të cilin thuhet se do ta prezantojë javën e ardhshme në SHBA.

Më saktë bëhet fjalë për modelin e ri të tabletit dhe linjës Galaxy Tab A, e cila ofron tri variante të tabletëve, duke përfshirë edhe një që vjen me lapsin digjital.

Përkundër karakteristikave të njohura, ajo që i dallon këto modele të reja të tabletëve të Samsung janë ngjashmëritë me tabletin e rivalit të saj kryesor, Apple dhe tabletit të saj të famshëm iPad.

Janë dy modele të Galaxy Tab A. Njëri prej tyre vjen me ekranin prej 8.0-inç ndërsa tjetri me ekranin prej 9.7 inç.

Të njëjtit janë të mbështetur nga procesorët 1.2 GHz quad-core Qualcomm dhe 64-bit Snapdragon 410. Por në këto modele vjen vetëm 1.5 GB RAM dhe 16 GB memorie, e cila mund të zgjerohet deri në 128GB.

Seria e tabletëve Galaxy Tab A do të fillojë të shitet në SHBA duke filluar nga data 1 maj, dhe do të jetë në dispozicion nga dyqanet si Best Buy dhe Amazon.

Çmimi për variantin e parë do të fillojë prej 229,99 dollarë, ndërsa për të dytin do të jetë 299,99 dollarë përkatësisht.