SHBA: Qeveria shqiptare, prioritet madhor luftën kundër krimit

Departamenti Amerikan i Shtetit vlerëson në raportin vjetor se policia shqiptare ka bërë progres kundër narkotikëve

Qeveria shqiptare po lufton në mënyrë më agresive elementët kriminalë. Kështu vlerëson Departamenti Amerikan i Shtetit në raportin vjetor për trafikimin e narkotikëve. Duke iu referuar nismave të qeverisë në luftën kundër trafikut të lëndëve narkotike, raporti vlerëson se në vitin 2005 qeveria shqiptare ndaloi qarkullimin e të gjitha llojeve të skafeve dhe disa mjeteve të tjera motorike ujore në ujërat territoriale të vendit për një periudhë 3-vjeçare, një nismë që siç vlerëson raporti ka reduktuar ndjeshëm trafikun e drogës veçanërisht në drejtim të Italisë. Raporti vlerëson se, qeveria shqiptare ka bashkëpunuar me vendet fqinje dhe ka marrë pjesë në iniciativat rajonale për luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikut, dhe është pjesëmarrëse në Paktin e Stabilitetit dhe Iniciativën Bashkëpunuese të Evropës Juglindore. Raporti gjithashtu evidenton faktin, që në maj të 2008 qeveria shqiptare miratoi një ligj për parandalimin e pastrimit të parave. “Policia shqiptare vazhdon të bëjë progres në luftën kundër narkotikëve nëpërmjet rritjes së përdorimit të teknologjisë, përmirësimit të teknikave dhe rritjes së kapacitetit të përgjithshëm”, thuhet në raport. Sasia e drogave të kapura në Greqi dhe Itali, vijon më tej dokumenti i Departamentit Amerikan të Shtetit, shënon një rënie të ndjeshme të drogave të ardhura nga Shqipëria, gjë që dëshmon suksesin e përpjekjeve të Shqipërisë.

Shqipëria nuk renditet në vendet prodhuese të drogave

Më tej, dokumenti vlerëson se Shqipëria nuk renditet në vendet prodhuese të drogave, përveç kanabisit, i cili sipas autoriteteve policore shqiptare po luftohet me vendosmëri. Gjithashtu raportoi thekson, se nuk është zbuluar asnjë laborator për përpunimin e drogës në Shqipëri gjatë 2008, ndërsa tregtimi i drogave sintetike është pothuajse inekzistent. Raporti thekson më tej se, Njësia e Përbashkët për Luftën Kundër Korrupsionit dhe Krimit Ekonomik e kryesuar nga kryeministri filloi funksionimin në shtator të 2007 dhe ka dëshmuar rezultate premtuese, duke hapur 222 çështje në vitin e parë të saj të funksionimit dhe dërgoi për ndjekje penale dhe më pas dënim me burg zëvendësministrin e Transporteve dhe Sekretarin e përgjithshëm të Ministrisë së Punës të akuzuar për korrupsion. “Qeveria e Shqipërisë e ka shpallur luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikut, si një nga prioritetet e saj kryesore”, thekson raporti i DASH. Dokumenti nënvizon se, policia po merr një rol gjithnjë e në rritje në operacionin kundër narkotikëve. Sipas raportit, dëshira e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në NATO dhe BE e nxiti qeverinë shqiptare të ndërmarrë reforma, por natyra fraksionale e politikës shqiptare dhe zhvillimi i ngadaltë i shoqërisë civile në Shqipëri e penguan këtë progres. “Shtetet e Bashkuara së bashku me Bashkimin Evropian dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë, do të vazhdojnë të punojnë me qeverinë e Shqipërisë në luftën kundër trafikut të lëndëve narkotike, përdorimin efektiv të zbatimit të ligjit dhe mbështetje për reformat ligjore”, thuhet më tej në raportin vjetor të Departamentit Amerikan të Shtetit.