Shqipëri: Gripi, do vaksinohet 1/3 e popullsisë

Asnjë rrezik për shtyrjen e shkollës për shkak të gripit të derrit. Lajmi është dhënë sot gjatë një seminari trajnues organizuar nga instituti i Shëndetit Publik me mjekët e shkollave, gjatë të cilit u theksua se pritet të mbërrijë kontingjenti i vaksinave të nevojshme kundër virusit A/H1N1.
“Kemi negociuar me kompani për marrjen e vaksinave dhe për këtë themi se nuk do të ketë rrezik në lidhje me sëmundjen e gripit të derrit”, deklaroi Gazmend Bejtja, specialist i ISHP-së, pranë ministrisë së Shëndetësisë.

Sipas tij, pritet të mbërrijnë në vend rreth 1 milionë vaksina, me të cilat parashikohet të mbulohet vaksinimi i rreth një të tretës së popullatës. Ndërkohë që fondi i vënë në dispozicion për blerjen e vaksinave është 3 milionë dollarë.

“Vaksinimi luan rol të rëndësishëm në mbrojtjen e popullatës, jemi në negociata për të sjellë vaksina në kohën më të shpejtë të mundshme”, tha ai.