Shqiptaret ne Kanada

Mendimet, pershtypjet, kuriozitete.

Për herë të parë në Kanada, një shqiptar kandidon për deputet Printoni E-mail
Shkruar nga Altin Sinani
e premte , 19 shtator 2008

Para 10 vjetësh ai ishte një emigrant që kërkonte një punë të thjeshtë dhe një të ardhme të sigurt, ashtu si çdo shqiptar. Por pas 10 vjetësh emigrimi në Kanada, shqiptari Lulzim Laloshi konkurron për t’u zgjedhur deputet i Parlamentit kanadez. Ky është edhe shqiptari i parë në historinë e Kanadasë që konkurron për një pozicion kaq dinjitoz. Lulzim Laloshi konkurron si deputet për zonën e Outremontit në Montreal për partinë që është në qeveri, Partia Konservatore e Kanadasë, e cila është edhe partia më e madhe në këtë vend.
Gara
Duhet theksuar se marrja e këtij vendimi nga Lulzim Laloshi përveçse se është një akt i guximshëm nga ana e tij, na bën edhe ne shqiptarëve të ndjehemi krenarë për të dhe kombin tonë. Nëse ai do të fitojë fushatën e tij për deputet, veç kënaqësisë së tij personale, do të na jepte edhe ne të njëjtën kënaqësi për t’i treguar botës se ne shqiptarët kemi se çfarë se t’i japim botës. Por kandidimi i tij është edhe një shenjë inkurajimi për të gjithë ata shqiptarë që jetojnë në emigracion, që edhe ata të ndjekin shembullin e tij. Gjithashtu pranimi i kandidaturës së Laloshit për deputet nga partia më e madhe në Kanada, është një shembull për t’u treguar vendeve evropiane që kanë një numër të madh emigrantësh se ç’është demokracia.
Fushata e Laloshit
Mjafton t’i hedhësh një sy fushatës së Laloshit që ajo të duket mjaft larg fushatave për zgjedhjet parlamentare që zhvillohen në Shqipëri. Ndoshta politikanët tanë duhet t’i hedhin një sy ueb-it të Lulzim Laloshit www.laloshi.com, për të parë se si mund të bëhet një fushatë dinjitoze dhe e thjeshtë. Në këtë ueb Laloshi ka paraqitur edhe platformën e tij elektorale. Duke theksuar se premtimet e tij janë mjaft të thjeshta dhe konkrete, dhe jo si premtimet e politikanëve tanë që dinë të bëjnë vetëm premtime të mëdha dhe boshe, e sapo vijnë në pushtet i harrojnë ato që kanë premtuar. “Duke qëndruar në distriktin e Outremont-it për më shumë se 10 vjet, ai e pëlqen shumë këtë regjion të vendit. Ai është mjaft krenar që i përket një komuniteti shumëkulturor, një ndër shembujt e vetëm ky i suksesit në botë. Ne jemi larg nga të qenit perfektë, por ne kemi dhe duhet të vazhdojmë të kemi më shumë se çdo vend tjetër në botë për të prekur realizimin e idesë universale për një hapje, tolerancë dhe respekt për shoqërinë e kulturave të ndryshme dhe diversitetin. Zoti Laloshi uron që me kandidaturën e tij të përfaqësojë distriktin e Outremont-it. Ai dëshiron të japë një shans të vërtetë së bashku me autoritet lokale”, thuhet në ueb-in e fushatës së Laloshit. Një ndër pikat kryesore të programit të tij edhe mbështetja ndaj familjeve lokale, gjithashtu të bëjë më të mirën që pensionistët të marrin mbështetjen e nevojshme. Të cilët, sipas Laloshit, ata e meritojnë. Por si një emigrant që është edhe vetë, Laloshi nuk e harron shtresën e tij. Ndër pikat e tij kryesore është synimi që ai të punojë ngushtë me Bashkinë e Montrealit dhe të zgjedhurit lokalë për t’u ofruar një mundësi më të mirë punësimi për të sapoardhurit. Me pak fjalë, Lulzimi punon për idealin e modelit të përkryer si toleranca dhe respektimi i diversitetit shumëkulturor. “Mbështetja për zhvillimin e kësaj ideje është zemra e prioriteteve të Lulzimit. Kjo është edhe arsyeja pse ai po punon për të sjellë zgjidhje inovative për të ulur përdorimin e letrës në fushën e tregtisë me pakicë. Lulzimi është krenar që i përket një partie që respekton aspiratën e qytetarëve të Quebekut për Kanadanë Federative. Ai dëshiron të jetë një deputet duke qenë i vetëdijshëm për nevojat e popullsisë dhe për të sjellë zgjidhje konkrete për këto nevoja të popullit të Outremont-it”, thuhet në programin e tij që është i paraqitur në ueb. Lulzimi ka një sërë pasionesh në jetë si: ushtrimet fizike, vrapimi dhe hokei, dhe skuadra e tij e preferuar është “Kanadezët e Montrealit” (Canadians of Montreal).

Disa të dhëna për sistemin politik në Kanada
Kanadaja është Monarki kushtetuese. Kanadaja është një monarki jo rezidente, shefja e shtetit, mbretëresha Elisabetë nuk banon në Kanada. Por Monarkia në Kanada është shumë simbolike dhe ndonëse në aktet legjislative prioritetin e ka kurora britanike apo përfaqësuesit e saj, në praktikë janë organet e zgjedhura që kanë pushtetin e vërtetë. Dhoma e Komunave është parlamenti i Kanadasë, në kushte normale zgjidhet në çdo 4 vjet. Parlamenti i Kanadasë ka 308 përfaqësues dhe pak a shumë numri i deputetëve sipas provincave reflekton numrin e popullsisë së provincës. Kështu numrin më të madh të deputetëve e ka Ontario e ndjekur nga Kebeku. Kanada ka dhe një dhomë tjetër përfaqësuesish, Senatin. Senati nuk zgjidhet por përfaqësuesit caktohen nga kryeministri në pushtet. Anëtarët e senatit e ushtrojnë detyrën deri në moshën 75 vjeç.

Lulzim Laloshi

Lulzim Laloshi ka lindur në Elbasan më 30 prill 1976. Ka emigruar në Kanada para dhjetë vjetësh. Është diplomuar në Universitetin e Montrealit në informatikë dhe ka themeluar kompaninë LALTEK. Aktivist i komunitetit shqiptar të Kebekut në Montreal ai e ka drejtuar këtë komunitet për 1 vit nga 2007-2008. Ai merret me planifikimin e detyrave dhe të administrimit, gjithashtu është edhe drejtuesi i shumë projekteve që lidhen me teknologjinë informative. Ai është edhe anëtar i bordit të Unionit të Korporatës Ekonomike në Saint-Leonard. Lulzimi ka një gradë shkencore në teknologjinë kompjuterike, i specializuar si inxhinier i programeve kompjuterike në Universitetin e Montrealit. Gjithashtu ai ka edhe disa diploma në disa fusha të tjera si Administrim Projektesh, Përfaqësim dhe Marketing.

Precedenti i Mirela Bogdanit

Por veç rastit të Lulzim Laloshit edhe një tjetër shqiptare ka konkurruar për t’u zgjedhur në një nga institucionet më të larta politike të Evropës. E kemi fjalën pikërisht për Mirela Bogdanin, e cila është shqiptarja e parë deri më sot që mundi të përfshihej në procesin e kandidimit për një nga institucionet më të larta politike të Evropës, atë të Parlamentit Evropian. Por shqiptarja që banon në Britaninë e Madhe nuk arriti të zgjidhej në këtë institucion të lartë, gjë të cilën ia urojmë t’ia arrijë Lulzim Laloshi.