Shullazi mbetet në burg. Pas hekurave pa afat, i gjithë grupi

Forcat “Shqiponja” e nxorën Emiliano Shullazin nga Policia e Tiranës sapo kaloi ora 8 e mëngjesit. Pas tij u shoqëruan për në gjykatë edhe dy të bashkëndaluarit me të, Gilmando Dani dhe Blerim Shullazi.

E ndërsa automjetet e policisë eskortuan pa zhurmë sirenash të ndaluarin, situata në gjykatë ishte në gatishmëri të plotë. Me qen antieksplozivë u kontrolluan jo vetëm ambientet, por edhe automjetet e gjyqtarëve përpara se të hynin në gjykatë.

Gjykata e Krimeve të Rënda e shpalli të ligjshëm ndalimin e Emiliano Shullazit, duke vendosur masën “arrest me burg”. Gjatë seancës kundër tij, Prokuroria bëri të ditur se ai dyshohet për “gjobëvënie”, “shkatërrim të pronës me eksploziv”, si dhe “kanosje” të kandidatit për rektor, Mynyr Koni. Sipas prokurorëve Elisabeta Imeri e Eneid Nakuci, ka informacione që ai të ketë “shtrënguar për t’iu marrë pasurinë” edhe disa biznesmenë të tjerë.

Shullazi mësohet të ketë deklaruar vetëm të dhënat personale të tij, ndërkohë që i pyetur nga gjyqtari Idriz Mulkurti për aktivitetin që kryente, ai i është përgjigjur “jam i papunë”. Shullazi i pohoi gjykatës se ishte dakord me gjithçka që do të thonin avokatët në seancë, të cilët nga ana e tyre kundërshtuan qëndrimin e akuzës.

Prokuroria - sipas burimeve, - mbajti të njëjtin qëndrim siç edhe kishte depozituar kërkesën, ndërkohë që në rrugë jozyrtare shprehet se, ka urdhëruar sekuestrimin e disa kamerave të sigurisë në afërsi të “Stacionit të trenit”, ku edhe mendohet të jetë kërcënuar profesor Koni.

“I ka kërkuar vetëm të shkojnë e ta zgjidhin dhe nuk ka pasur takim të dytë. Deklarimi i Jani Zakës që është administruar si nga prokurorët, edhe nga gjykata, nuk thotë që është kanosur apo ushtruar dhunë psikologjike nga Emiliano Shullazi”, thotë Alban Qafa, avokat.

Edhe dy të dyshuarit si bashkëpunëtorë të Shullazit, u lanë nën masën e “arrestit me burg”. Sipas burimeve, në kohën kur Prokuroria ka lexuar pretendimin kundër Gilmando Danit, se ekzistonte rreziku që ai të largohej, i dyshuari ka replikuar duke i pyetur përfaqësuesit e akuzës: “Si mund të largohem, kur unë u paraqita vet në polici?”.

Aktualisht, Prokuroria është në kërkim të shtetasit Jani Zaka, njeriu kyç në këtë proces, megjithëse adresa e tij nuk dihet ende, pasi ai është larguar jashtë vendit.

/ Top Channel