Si erdhën në Shqipëri terroristët e Xhihadit

Emisioni investigativ “Xhungël”, i transmetuar dje në mbrëmje nga NEWS 24, solli dëshmi dhe fakte që hedhin dritë mbi mënyrën sesi arritën të penetronin në Shqipërinë e viteve ’90, disa organizata dhe eksponentë të dyshuar për lidhje me terroristët islamikë. Bamirësit dhe misionarët arabo-myslimanë, përveç ndihmës kolosale prej dhjetëra milionë dollarësh që dhanë në ndërtimin e 203 xhamive të reja, ndihmuan dhe në shkollimin e klerikëve të rinj. Por mes turmës së vëllezërve myslimanë që vërshuan për të rimëkëmbur islamin në vendin më të varfër të Evropës, pati dhe disa personazhe të njohur të terrorizmit fundamentalist ndërkombëtar.

“Përpara se të mbërrinin te përballja me armë e 24 tetorit 1998, terroristët e “Xhihadit Islamik Egjiptian” dhe eksponentë të tjerë të organizatave islamike, të dyshuara se kishin lidhje me Al Kaeda-n, punuan në heshtje të plotë dhe me durim, për të krijuar në Shqipëri një strehë të sigurtë ku mund ti shpëtonin ndëshkimit. Synimi i tyre ishte që të krijonin një bazë nga ku më pas të hidheshin në veprim sapo të merrnin urdhërin nga sheikët e terrorit, Osama Bin Laden dhe Ayman Al Zavahiri. Rënia e sistemit komunist dhe fundi i diktaturës gati gjysmëshekullore kishte lënë pas një tokë të djegur për besimtarët fetarë në Shqipëri.
Kishte kaluar afro një çerekshekulli qysh nga momenti kur diktatura komuniste vendosi të shëmbte nga themelet objektet e kultit, xhami, kasha e teqe në gjithë vendin. Klerikët u vranë, u burgosën apo u përndoqën. Në fillimin e viteve ’90, besimtarët myslimanë donin të faleshin, por nuk kishin ku ti kryenin ritet fetare. Kërkonin që dikush ti drejtonte lutjet e tyre drejt zotit, por nuk kishte kush ta kryente një mision të tillë.
Misionarët
Pjesa dërrmuese e popullsisë së Shqipërisë deri në vitin 1967, përbëhej nga besimtarë myslimanë. Sipas statistikave zyrtare të kohës, numri i tyre kapte shifrën e mbi 70 përqind të popullsisë së gjithë vendit. Të mbetur si në shkretëtirë, pa xhami dhe klerikë, besimtarët myslimanë shqiptarë ishin të uritur për fjalën e zotit. Shqipëria hapi dyert për të gjithë bamirësit dhe misionarët myslimanë që vërshuan nga çdo cep i botës. Në krye të bamirësve, investitorëve dhe misionarëve që u erdhën në ndihmë vëllezërve të të njëjtit besim në Shqipëri, qëndronin myslimanët me origjinë nga vendet e botës arabe. Ata sapo kishin ngulur piketat e para në Bosnje. Por ndryshimet politike në Shqipëri u krijuan mundësinë e një destinacioni të ri, ku sigurisht kishte shumë nevojë për ndihmën e tyre. Problemi qëndronte në faktin se besimi mysliman në Shqipërinë e islamizuar shumë vonë nga Perandoria Osmane, ishte më liberal se ai që predikohej në vendet arabe.
Mikpritja
Sapo erdhi në pushtet, në vitin 1992, presidenti Sali Berisha dhe mazhoranca politike e drejtuar prej tij, u hapën dritën jeshile të gjithë misionarëve dhe bamirësve myslimanë nga Afrika dhe Azia. Shqipëria hodhi një hap të madh, duke u bërë një ftesë të sinqertë të gjithë myslimanëve që kërkonin të ndihmonin vëllezërit e tyre në vendin më të varfër të Evropës. Më 18 nëntor 1992, Shqipëria u antarsua në Organizatën e Konferencës Islamike. Ky akt gjeti reagimin e opozitës së majtë që kundërshtoi haptazi, duke thënë se Shqipëria e ka vendin në Perëndim dhe jo në Lindje. Hyrja në Konferencën Islamike u shoqërua me një veprim konkret, duke hequr rregjimin e vizave të hyrjes në vend për të gjithë qytetarët e botës islame. Mes qindra dhe mijëra arabo-myslimanëve që vërshuan për të ringritur më këmbë besimin mysliman në Shqipëri, pati dhe elementë të dyshimtë apo të identifikuar si terroristë fondamentalistë nga shërbimet sekrete. Pasi kishin tentuan të përmbysnin me dhunë pushtetin në Egjipt dhe ndihmuan me armë në dorë popullin afgan ti jepte fund pushtimit sovjetik, për eksponentët e Xhihadit dhe militantë të organizatave të tjera radikale islamike, ishte hapur një terren i ri, ku fillimisht mund të fshiheshin, e më pas të vendosnin krijimin e celulave të tyre.
Ndihma
Pa ndihmën financiare të ofruar nga bamirësit e botës arabe, pjesa dërrmuese e besimtarëve myslimanë në Shqipëri do të vazhdonin ende ti kryenin ritet fetare në qiell të hapur. Fondet prej dhjetëra milionë dollarësh të dhuruara kryesisht nga Arabia Saudite, Kuvajti, Emiratet e Bashkuara, Egjipti, Turqia etj, bën që të ndërtoheshin në kohë record, mbi 400 xhami të reja. Në një raport zyrtar të Komitetit Shtetëror për Kultet në vitin 2005, konstatohet se numri i xhamive të ndërtuara nga themelet që janë krejtësisht dhurata të shoqatave dhe fondacioneve të ndryshme arabe është 203. Por burime nga Komuniteti Mysliman Shqiptar deklarojnë se numri i xhamive të ngritura me fondet e dhuruara nga arabo-myslimanët është dy herë më i madh. Me fondet e këtyre dhuruesve u bë i mundur dhe ndërtimi i tetë medreseve dhe dy instituteve për përgatitjen e klerikëve të rinj. U ndërtuan spitale, qëndra shëndetësore dhe ujësjellësa. U financuan kurse disa mujore dhe ndihma për jetimët apo njerëzit pa përkrahje. U përballuan shpenzimet për një pjesë të mirë të klerikëve në gjithë vendin dhe personelin mësimdhënës në medresetë dhe institutet fetare. U siguruan bursa dhe u mundësua shkollimi i studentëve në universitetet e botës arabe për të përgatitur klerikët e rinj shqiptarë me arsim të lartë.
Konflikti
Bashkë me diplomat e marra në universitetet teologjike të botës Arabe, studentët shqiptarë sollën dhe një kulturë të re fetare, që ndryshonte nga besimi tradicional si vendit. Pikërisht ky fakt shërbeu për të nxitur një konflikt mes klerikëve të vjetër dhe klerikëve të rinj që ishin lidhur me islamin pas viteve ’90.
Klerikët e rinj nisën të kërkojnë radikalizimin dhe arabizimin e fesë islame në Shqipëri. Të përhapnin ato sekte islame radikale që më pas mund të krijonin shtratin për lindjen e terrorizmit islamik. Shqipëria e mbetur me një grusht klerikësh të vjetër në prag të vdekjes, që mbështeteshin te islami tradicional, u gjend nën presionin e fortë të klerikëve të rinj të saposhkolluar. Ata sollën ritet dhe kulturën e re islame që e mësuan në vendet arabe, e cila në shumicën e rasteve binte në kundërshtim me islamin liberal që ishte praktikuar prej pesë shekujsh në Shqipëri.
Rreziku
Në turmën e mijëra misionarëve dhe bamirësve islamë që u vendosën në Shqipëri nga vendet e botës arabe, penetruan dhe një numër mjaft i kufizuar elementësh problematikë, pjestarë të organizatave terroriste të njohura në gjithë botën si “Xhihadi Islamik Egjiptin”, “Grupi Islamik Egjiptian”, “Fronti i Shpëtimit Islamik Algjerian”, “Grupi i Armatosur Islamik Algjerian”, që më vonë do të viheshin nën komandën e Osama Bin Laden dhe Al Kaeda-s. Në vitet 1994-1996, lëvizja e islamikëve u shtua sëtepërmi. Shqipëria nisi të përdorej si trampolinë për vullnetarët muxhahidinë që vinin nga Afganistani dhe donin të shkonin në Bosnje për të luftuar ndaj ushtrisë sllavo-ortodokse sërbe. Gjatë viteve 1997-1998, pas përfundimit të luftës në ish-Jugosllavi, luftëtarët muxhahidinë bën përpjekje që të futeshin dhe në Kosovë me pretekstin për të mbështetur rezistencën e vëllezërve myslimanë. Drejtues dhe financues të organizatave dhe fraksioneve islamike radikale nga bota arabe, tentuan që ta kanalizonin luftën çlirimtare të popullit shqiptar në Kosovë, në një luftë fetare, por nuk ia arritën qëllimit”.

Ngjarja e 24 tetorit 1998, pavarsisht mënyrës se si përfundoi, ishte një alarm i fortë për strukturat e policisë dhe sigurisë kombëtare në Shqipëri. Ato duhej të ishin shumë më të kujdesshme dhe vigjilente për të parandaluar situata apo akte që cënonin rendin publik dhe rrezikonin jetën e qytetarëve. Nëse egjiptiani Salah El-Sayed nuk do të gjurmohej dhe zbulohej në kohë nga agjentët e shërbimeve sekrete, pasojat e aktivitetit të tij mund të ishin ta pallogaritshme. I vënë nën mbikqyrjen e operativëve të Shërbimit Sekret Egjiptian, CIA-s dhe SHIK-ut, terroristi i “Xhihadit Islamik” nuk pati mundësi tjetër veçse të rezistonte për të mos u dorëzuar i gjallë. El-Sayed e kishte marrë vesh fatin e miqve të tij të kapur në Tiranë, të cilët përfunduan si pako postare në qelitë e Mukhabaratit në Kajro. Në Egjipt shumë prej tyre i priste dënimi me vdekje dhe Salah El-Sayed nuk donte të përfundonte i varur me litar në fyt. Frika se njeriu i Xhihadit mund të kishte instaluar ndonjë bombë në banesën ku strehoej dhe e aktivizonte atë gjatë operacionit të RENEA-s për të marrë me vete dhjetëra viktima të pafajshme, shërbeu si një indikator i fuqishëm për të gjitha masat antiterror që u morën më pas. Plagosja e komandantit të Repartit Special RENEA, Artan Didi, bëri që edhe drejtuesit më të lartë të qeverisë të interesoheshin për veprimet antiterror ndaj eksponentëve të dyshuar si terroristë islamikë që fshiheshin në Shqipëri. Ish-kryeministri Pandeli Majko dhe zëvendësi i tij Ilir Meta shkuan menjëherë në spital për tu interesuar mbi shëndetin e oficerit të plagosur, dhe për tu dhënë kurajo e mbështetje të gjitha agjensive ligjzbatuese të angazhuara në operacionet antiterror. Nga ky moment drejtuesit më të lartë të qeverisë do të kishin një tjetër perceptim për rrezikun e celulave terroriste islamike që ishin infiltruar në Shqipëri.

Në pranverën e vitit 1998 elementë radikalë të besimit mysliman, të mbështetur nga disa shoqata dhe fondacione islamike radikale nga vendet arabe tentuan të merrnin nën kontroll drejtimin e Komunitetit Mysliman Shqiptar. Lajmi në atë kohë u mbajt i fshehtë, për të mos krijuar një përçarje mes besimtarëve myslimanë në vend. Rezistenca e drejtuesve të Komunitetit Mysliman Shqiptar dhe garancia që ata morën nga drejtuesit e lartë të shtetit, se nuk do të braktiseshin përpara presionit që u bëhej nga elementët islamikë radikalë çuan në dështimin e këtij objektivi. Egzistenca e këtij plani u konfirmua gjatë emisionit “Xhungël” dhe nga Drejtori i Qëndrës Shqiptare për Studime të Sigurisë Kombëtare Xhavit Shala, që në vitin 1998 ishte në detyrën e Drejtorit të SHIK-ut për Qarkun e Elbasanit. Strukturat e sigurisë kombëtare u informuan në rrugë operative për atë që po ndodhte në Komunitetin Mysliman. Por nisja e operacionit antiterror ndaj celulës së Xhihadit Egjiptian në Tiranë, nga agjentët e CIA-s dhe SHIK-ut disa javë më vonë, rezultoi një mesazh i fortë për mbështetësit e këtij plani të rrezikshëm.
Incidentet
Pasojat e para të fraksioneve radikale islame që me paratë e ardhura nga bota arabe po mundoheshin të përfitonin terren në Shqipëri, nisën të dukeshin qysh në vitin 1994. Më datë 7 korrik 1994 disa persona thyen kryqet ortodokse të vendosur në vendet ku kishin qenë dikur kishat e këtij besimi, në fshatrat Fikas dhe Shëngjon, të komunës Bradashesh, në rrethin e Elbasanit. Incidentet u rregjistruan përgjatë rrugës kombëtare Elbasan-Tiranë. Nga hetimi që kreu SHIK-u dhe policia e Elbasanit rezultoi se të implikuar në këtë ngjarje ishin disa të rinj, që kishin studjuar apo ishin duke marrë mësime në shkollën fetare “El Faruk” në qytetin e Cerrikut. Kjo shkollë fetare u hap në vitin në vitin 1992 dhe kishte si qëllim përgatitjen e imamëve nga një grup misionarësh myslimanë nga Sudani. Financimi i shkollës bëhej nga fondacioni “Al Vakëf Al Islamija” me qendër në Arabinë Saudite. Pas kësaj ngjarje dhe ankesave të besimtarëve në rrethin e Elbasanit, Komuniteti Mysliman Shqiptar e mbylli shkollën “El Faruk” në vjeshtën e vitit 1994. Një tjetër ngjarje e ngjashme u rregjistrua nga policia e Korçës në gusht 1996. Nga hetimet e policisë rezultoi se disa studentë të institutit Islamik “Faik Er Merzug” në qytetin e Korçës, dëmtuan afresket e kishës së Shën Mëhillit në Voskopojë.
Tentativa
Pjestarë të lëvizjes Salafi në qytetin e Elbasanit duke përfituar nga mungesa e shtetit gjatë trazirave të marsit 1997, vendosën të bëjnë një provë force, të pushtonin forcërisht dhe të vendosnin nën kontrollin e tyre, Myftininë e rrethit Elbasan. Pasi dështuan në këtë përpjekje, ata morën nën kontroll institutin fetar “El Hagri” në këtë qytet dhe larguan nga detyra të gjithë punonjësit e ligjshëm të këtij instituti duke e kthyer atë në qendër të lëvizjes Salafi në Elbasan. Kjo tentativë konfirmohet nga raporti i Këshillit Islamik të rrethit Elbasan në përgjigje të peticionit të datës 8 mars 1997, dërguar Komunitetit Mysliman Shqiptar nga disa besimtarë të Elbasanit.

I cilësuar si një nga eksponentët më të rrezikshëm të Xhihadit Islamik Egjiptian, Ahmed Ibrahim Al Naggar, u arrestua në Elbasan në fundin e qershorit 1998 dhe tetë muaj më vonë përfundoi i varur me litar një nga burgjet e Kajros në Egjipt. Në momentin arrestimit 36-vjeçari Al Naggar ishte duke punuar si mësues në një institut fetar të fondacionit Al Haramain në Shqipëri. Në deklarimet që terroristi i Xhihadit nga rajoni i Gazas, bëri gjatë hetimeve të Mukhabaratit(Sigurimit) Egjiptian tha se:”Në janar 1996, një anëtar i Xhihadit më ofroi një vend pune në Tiranë, në organizatën e bamirësisë Al Haramain. Para se të nisesha drejt Shqipërisë, drejtuesit e Xhihadit më dhanë 500 dollarë amerikanë dhe një kompjuter portativ. Për të shkuar në Shqipëri udhëtova me një avion që nisej nga kryeqyteti sirian, Damask. Vizën e hyrjes e kisha marrë në Turqi”. Çuditërisht gjatë tentativës së parë për të hyrë në Shqipëri, Al Naggar dështoi për shkak se nuk kishte para për të paguar rryshfetin që i kërkoi një polic shqiptar në Aeroportin e Rinasit. Në këto kushte ai u kthye mbrapsht andej nga kishte ardhur, në Turqi. Zyrtarët e emigracionit në Turqi kërkuan që ta riatdhesonin drejt Egjiptit njeriun e Xhihadit, por Al Naggar kishte lindur me këmishë. Përfaqësuesi i kompanisë “Egypt Air” refuzoi të kthente në Kajro, për shkak se Al Naggar nuk kishte para me vete.
Udhëtimi
Gjatë deklarimeve të tij në Egjipt, Al Naggar tha se ishte kthyer serish në Damask dhe mori një tjetër biletë për të shkuar drejt Tiranës. Por këtë radhë sapo mbërriti në Rinas, ai u ndihmua të kalonte kontrollin e aeroportit nga llogaritari i thesarit të “Islamic Heritage Revival Association”(Shoqata e Rilindjes së Trashëgimisë Islamike), mjeku ortoped Abdyl Latif Saleh. Saleh e priti njeriun e Xhihadit në ambjentet e brendëshme të aeroportit të Rinasit dhe më pas e ndihmoi që të kalonte pa probleme kontrollin e policisë. Fillimisht Al Naggar u vendos në një apartament në “Rrugën Bardhyl”. Pak ditë më vonë ai nisi punë si mësues i gjuhës arabe dhe ligjeve islamike në institutin “El Hagri” në Elbasan. Al Naggar e kaloi testin e kontrollit nga drejtuesit e Al Haramain, që dyshonin se mos ai kishte qenë më parë i dënuar në Egjipt apo kishte marrë pjesë si luftëtarë muxhahidinë në Afganistan. Sapo nisi të marrë rrogën Al Naggarit iu kërkua nga drejtuesit e Xhihadit që 10 përqind të rrogës së tij mujore ta dorëzonte për nevojat e organizatës.
Telefonata
Në fundin e marsit 1998 Al Naggari pati një telefonatë nga shefi i Xhihadit, Ayman Al Zavahiri, numri dy i Al Kaeda-s, i cili i kërkoi që të shkonte në Afganistan për të stërvitur ushtarakisht rekrutë muxhahidinë. Nëse do të shkonte në vendin e talebanëve, Al Zavahiri, i premtoi një vend të sigurtë Al Naggarit dhe familjes së tij. Por ky i fundit refuzoi të lëviste nga Shqipëria. Gjatë deklarimeve të tij, Al Naggar ka pohuar se anëtarët e Xhihadit Islamik Egjiptian të celulës së Tiranës, morën udhëzim nga liderët e tyre që të hapnin biznese private për të mbledhur fonde për organizatën. Gjatë viteve 1996-1998 ata bën dy tentativa për tu përfshirë në importin dhe tregëtinë e sheqerit në Shqipëri, me fonde të financuara nga burime të kontrolluara prej Osama Bin Laden, si dhe hapjen e një ferme blektorale për rritjen e deleve. Por pavarsisht përpjekjeve të anëtarëve të Xhihadit në Shqipëri të dyja këto biznese nuk patën ndonjë sukses të madh.

Disa elementë radikalë islamë, të mbështetur me miliona dollarë nga shoqata dhe fondacione arabo-islamike tentuan të marrin nën kontroll drejtimin e Komunitetit Mysliman Shqiptarë. Kjo tentativë e dështuar në fillimin e vitit 1998, e shpëtoi vendin nga një kërcënim serioz që i kanosej prej fraksioneve fondamentaliste islame. Drejtori i Qëndrës Shqiptare për Studime të Sigurisë Kombëtare, Xhavit Shala, në një intervistë të dhënë për emisionin „Xhungël” në NEWS 24, dëshmon se në çfarë rreziqesh ka kaluar struktura drejtuese e besimtarëve myslimanë shqiptarë. Ish-drejtor i SHIK-ut për Qarkun e Elbasanit gjatë viteve 1997-1999, dhe më pas Drejtor i Policisë Kriminale në Ministrinë e Brendëshme, Shala hedh dritë mbi zhvillimet e vrullshme që trazuan besimin tradicional islam në Shqipërinë e pas viteve ’90.

Si erdhën në Shqipëri shoqatat dhe fondacionet nga vendet arabe?
Shëmbja e komunizmit në Shqipëri erdhi pak më vonë se zhvillimet demokratike në vendet e tjera të Lindjes. Komunitetet fetare ishin goditur në pronat e tyre, u ishin shëmbur objektet e kultit dhe klerikët ose ishin vrarë ose ishin burgosur gjatë diktaturës komuniste. Këto zhvillime krijuan një vakum të madh te besimtarët shqiptarë. Kërkohej ndihmë për rimëkëmbjen e objekteve të kultit, por kërkoheshin dhe kuadro fetarë pasi situata në atë kohë ishte mjaft më e keqe se në vendet e tjera. Qindra klerikë myslimanë vdiqën në burgje, pronat e komunitetit u sekuestruan, u tjetërsuan apo dh u transformuan. Hapja e vendit dhe lejimi i besimeve fetare, i gjeti besimtarët myslimanë, ata katolikë, ortodoks dhe bektashi në një terren mjaft të pafavorshëm. Ata kishin nevojë për të financuar ndërtimin e objekteve të kultit, për të paguar pagat e atyre drejtuesve fetarë që i mbijetuan komunizmit, të cilët ishin në një moshë shumë të thyer. Ky ishte ambjenti që nxiti organizata të ndryshme nga bota Arabe, organizata Katolike apo Ortodokse të sulen për të ndihmuar në ringritjen e fesë në Shqipëri. Por me ardhjen e kësaj ndihme, financuesit vunë dhe disa kushtëzime. Veprimtaria e tyre nuk ishte totalisht e dëmshme, por disa nga këto organizata luajtën një rol negativ. Një pjesë e madhe e tyre financuan ndërtimin e objekteve të kultit për komunitetin musliman, atë ortodoks dhe katolik.
Ky fenomen ndodhi vetëm në Shqipëri?
Ky fenomen ndodhi afërsisht në të njëjtën kohë edhe në Bosnje. Madje atje hapat e para ishin hedhur qysh në kohën e komunizmit, në vitet 1985-1986. Duke qene se Bosnja kishte një popullsi myslimane dhe ish-Jugosllavia ishte më liberale, ata kishin krijuar disa lidhje me botën arabe dhe një pjesë të kuadrove fetare i përgatisnin atje. Në Bosnjë bashkë me ndihmat nga arabo-myslimanët filluan të futeshin edhe rrymat radikale fetare, si vehabizmi dhe salafizmi. Kjo ndodhi në Maqedoni, në Bullgari, ku kishte afro 2 milionë myslimanë dhe sidomos në ish-republikat Sovjetike në Kau-kaz e Rusi. Fakt ky që dëshmon se nuk ishte vetëm fenomen shqiptar.
Si penetruan në Shqipëri shoqatat arabe që praktikonin një Islam radikal, ndryshe nga ai që ishte praktikuar prej shekujsh këtu?
Pati një specifikë të veçantë. Mes mjaft organizatave që erdhën nga vendet e Gjirit Persik, disa ishin të infiltruara dhe përfaqësonin fraksione ekstremiste në Islam. Këto organizata synuan që këtë ideollogji islame ekstremiste, ta përhapnin dhe në Shqipëri. Duhet të kemi parasysh se feja islame në Shqipëri erdhi gjatë pushtimit turk, siç erdhi dhe në disa vende të tjera të Ballkanit, apo disa vende të Lindjes gjatë invazionit të osmanëllinjëve. Duke qenë se kaluan 500 vjetë, Islami në Shqipëri dhe Ballkan mori pamjen dhe fizionominë e një myslimanizmi autokton dhe i ndryshëm nga Islami që praktikohej në vendet Arabe. Ky u përshtat e u bë një Islam i pranueshëm nga evropianët, një Islam tolerant, ndryshe nga tendenca që po përpiqeshin të fusnin disa rryma fraksioniste Islame në botën Arabe. Pra ta radikalizonin besimin Islam. Në këto rrethana dhe duke përfituar nga hapja e kufijëve shumë shoqata arabe hynë në Shqipëri, por jo të gjitha luajtën një rol pozitiv. Problemi ishte se agjensitë ligjzbatuese ishin të papërgatitura dhe shumë pak i njihnin këto fenomene. Komunitetet fetare ishin të mbytura nga varfëria dhe gjithkush që vinte nga jashtë, shihej si perëndia, që mund të sillte një ndihmë, një donacion, apo mund të ndërtonte një objekt kulti. Pra pati një zemërgjerësi në pritjen e tyre pa dallim, gjë të cilën ata e shfrytëzuan për të futur në Shqipëri ato që nuk duheshin futur. Pra për të deportuar në këto shoqata, njerëzit e tyre.
Cilat ishin problemet që sollën disa prej misionarëve fetarë nga bota Arabe?
Ata dhanë ndihma ngritën objekte kulti, por një pjesë e ndihmave të tyre ishin të kushtëzuara nga pas. Jepej një ndihmë për ndërtimin e një xhamie, por kërkonin që imam në këtë xhami të caktohej një njeri i tyre, që përfaqësonte të njëjtën rrymë. Ose jepnin pensione për jetimët, që ishin të domosdoshme për fëmijët shqiptarë në atë gjëndje të mjeruar që ndodhej vendi, por kërkonin që këta jetimë të merrnin pjesë në kurset fetare. Në këto kurse nuk predikohej varianti i Islamit tradicional shqiptar, i cili ishte një Islam tolerant, por praktikoheshin pikërisht ato rryma të Islamit që ishin të huaja për besimtarët shqiptarë. Vehabizmi apo vehabo-salafizmi është një rrymë që ndodhet në pushtet në Arabinë Saudite, ka qenë në pushtet prej shekujsh dhe vazhdon të jetë në pushtet edhe sot. Ata kane patur në vazhdimësi synim përhapjen e kesaj rryme në vendet e Ballkanit. Me hapjen e Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit, ata menjëherë hodhen hapat për ta përhapur pikërisht këtë ideologji dhe këtë rrymë fetare. Nuk është antiligjore të jesh vehabit, por tradita shqiptare ishte ndryshe nga kultura fetare që po sillnin këto shoqata të financuara nga bota Arabe. Në atë kohë në vendet arabe operonin disa organizata, të cilat ishin të identifikuara si organizata terroriste duke filluar që nga Xhihadi Islamik Egjiptian, Grupi Islamik Egjiptian, Fronti i Shpëtimit Islamik Algjerian, Grupi i Armatosur Islamik Algjerian apo krahu politik i tyre, siç ishte Vëllazëria Myslimane, të cilat këtë hapje të vendeve ish-komuniste e shfrytëzuan për të depërtuan dhe nisën masivisht të deportojnë.
A u rrezikua siguria kombëtare nga futja e këtyre rrymave fetare?
Të futesh në këto kushte, duke investuar në brezin e ri është një kërcënim i rrezikshëm për sigurinë kombëtare të çdo vendi, të paktën për vendin tonë, i cili ka shumë specifika krahasuar me vendet e tjera. Kjo për shkak se ndryshe nga grekët, serbët apo malazezët, që kanë si bazë të identitetit kombëtar, besimin fetar, shqiptarët nuk e kanë të ngritur identitetin kombëtar mbi besimin fetar. Baza e identitetit kombëtar të shqiptarëve është gjuha, kultura dhe tradita. Sepse në themel janë katër besime fetare. Nëse identiteti jonë kombëtar do të identifikohej thjeshtë mbi besimin fetar, kjo do të ishte një vetëvrasje për shqiptarët, për shkak se do të kishte një rivalitet të ashpër mes besimeve fetare. Përhapja e vehabizmit që nisi të shtrijë rrënjë në atë kohë në vend, ishte dhe është një kërcënim serioz për sigurinë kombëtare të Shqipërisë. Vehabizmi dhe Salafizmi godasin identitetin tonë kombëtar dhe janë të rrezikshme dhe për demokracinë shqiptare, pasi ato janë rryma në Islam që nuk e pranojnë një rend demokratik. Për ta shteti duhet të jetë i bazuar mbi ligjet e shenjta. Ata nuk kanë asgjë të përbashkët as me besimtarët myslimanë shqiptarë dhe as me shqiptarët si komb.
Çfarë veprimesh ndërmorën për tia arritur qëllimit?
Veprimtaria e tyre ka qenë shumë e ethshme sidmos pas
viteve 1997-1998. Ata patën një aktivitet të gjithëanshëm pasi investimet që kishin kryer po jepnin rezultat. Kishin ndërtuar goxha objekte të kultit, dhe në këto objekte vendosën njerëzit e tyre, të cilët kryen studimet jashtë dhe ishin kthyer në vend. Pra ata i kishin përgatitur kuadrot që u nevojiteshin. Në vitin 1998, nuk më kujtohet me saktësi muaji, ata bën një tentativë për ta futur nën kontroll Komunitetin Mysliman Shqiptar. Synuan të mënjanonin nga drejtimi ata që i quanin „garda e vjetër”, por që për mua ishin njerëz patriotë, pavarsisht nga problemet që kishin tejkaluar gjatë rregjimit komunist. Këta drejtues të lartë e mbrojtën me mish e shpirt Komunitetin Mysliman nga depërtimi i rrymave dhe elementëve ekstremistë islamikë. Janë hedhur miliona dollarë që ky grup arabo-islamikësh të fuste në dorë drejtimin e Komunitetit Mysliman Shqiptar. Nëse do tia arrinin, ky akt do të ishte një fatkeqësi kombëtare. Por ishte sinjalizimi i agjensive ligjzbatuese shqiptare, konkretisht i SHIK-ut në atë kohë, i cili ua bëri të qartë strukturave shtetërore se kush ishte plani i tyre. Në këto kushte ky grup individësh u përpoqen të krijonin një strukturë thuajse paralele me Komunitetin Mysliman. Madje ata deshën ta legalizonin këtë strukturë dhe në gjykatë, si një bashkësi paralele me Komunitetin Mysliman. Synimi i tyre ishte që duke shfrytëzuar suportin nga vendet e Gjirit me ndihma, me donacione, me rroga e me të gjitha të tjerat, të arrinin që ta linin në hije Komunitetin Mysliman Shqiptar.
Çfarë formash u përdorën për të krijuar mbështetje të këtyre fraksioneve radikale në vend?
Komunitetet fetare të të treja besimeve filluan të paraqesnin shqetësime për një pjesë të këtyre njerëzve dhe për çfarë përfaqësonin ata. Pasi po e kuptonin se disa prej tyre nuk mbanin kontakte me strukturat zyrtare. U identifikuan arabo-islamikë që organizonin besimtarë të rinj shqiptarë për të krijuar përçarje, madje kalonin deri dhe në stërvitjen ushtarake të tyre. Ata shfrytëzuan faktin që në Shqipëri nuk kishte shkolla fetare për përgatitjen e klerikëve të rinj, ndërsa kuadrot e vjetër që kishin mbetur, ndodheshin në perëndim të moshës së tyre. Studjoheshin të rinjtë shqiptarë që u ofroheshin në kurse dhe pasi i përzgjidhnin më të devotshmit, i çonin për studime jashtë shtetit. Ky shqetësim nuk ishte vetëm për besimin Mysliman, por dhe për atë Ortodoks, apo atë Katolik. Dallim kishte vetëm në qëllimin e tyre. Të rinjtë që i dërguan në vendet Arabe, janë kthyer, por disa elementë prej këtij kontigjenti kanë qenë persona problematikë që u kanë sjellë vetëm shqetësime, komuniteteve tona fetare.
A pati reagim nga agjensitë ligjzbatuese ndaj këtyre elementëve të rrezikshëm?
Kur u bë bashkëpunimi me disa agjensi ligjzbatuese partnere dhe nisi identifikimi ndaj këtij grupi personash, rezultoi se një pjesë e tyre ishin të identifikuar dhe nga agjensitë ligjzbatuese shqiptare. Ishin të identifikuar si persona që po ushtronin aktivitet antiligjor në Shqipëri. Ata po nxisnin urrejtjen fetare dhe në Kodin Penal ka një nen që e parashikon ndëshkimin për konsumimin e kësaj vepre penale. Duke nxitur urrejtjen fetare këta elementë u bën objekt i agjensive të zbatimit të ligjit në Shqipëri. Mendoj se përgjegjësia e agjensive ligjzbatuese shqiptare ka ardhur duke u rritur pasi u sigurua dhe një partneritet mjaft i mirë me agjensitë ligjzbatuese amerikane dhe evropiane, nga bashkëpunimi me to, u identifikuan persona dhe u kryen veprime të tjera ligjore ndaj tyre.
A pati tentativa nga elementë apo organizata islamike për të hyrë në radhët e UÇK-së gjatë konfliktit në Kosovë?
Në kohën e konfliktit të Kosovës ata bën të gjitha përpjekjet që të futen dhe në radhët e UÇK-së. Synimi i tyre në këtë rast ishte që luftën në Kosovë ta kthëenin në një luftë fetare. Pra në një luftë midis myslimanëve dhe ortodoksëve. Ajo nuk ishte luftë fetare. Shqiptarët luftonin për të drejtat e tyre. Ajo ishte një luftë nacional-çlirimtare e shqiptarëve të Kosovës. Mospërfshirja e tyre në konfliktin e me ushtrinë Sërbe, ishte një meritë e udhëheqësve politikë të Kosovës, e largpamësisë dhe e konsulencës së tyre. Ata nuk i lejuan që të depërtojnë në radhët e UÇK-së, siç depërtuan në Bosnje, e cila po i vuan këto probleme edhe sot. Para disa vitesh në Bosnje iu hoq shtetësia 2000 personave me origjinë nga vendet arabe, pasi vehabitët dhe muxhahidinët që kishin operuar atje, përfituan shtetësinë boshnjake. Ndërsa para 2-3 muajsh u është hequr shtetësia dhe 400 arabo-islamikëve të tjerë. Fakt është që goditja e cila iu dha asaj celule të Xhihadit në Shqipëri, pati vlera të jashtëzakonshme, jo vetëm për shtetet partnere me ne, ku pritej të vepronin anëtarët e kësaj organizate terroriste, por dhe për vet Shqipërinë.