Si të trajtosh gripin te fëmijët

[b]Ankesat më të shprehura janë temperatura, kolla, dhimbje dhe skuqje fyti. Mjekët tërheqin vëmendjen që çdo simptomë të trajtohet seriozisht, në mënyrë që të shmangen ndërlikimet. Në një intervistë për “Panorama”, mjeku pediatër, Arben Kavaja, jep disa këshilla se si mund të parandalohen dhe trajtohen këto probleme te fëmijët:

Doktor, çfarë problemesh shfaqin fëmijët në këtë periudhë?

Problemet më të shpeshta kanë qenë virozat, apo si njihen ndryshe gripi. Veçse duhet kuptuar se ka dy lloje gripi: një që është me shenja më të lehta, apo si njihet “flu”, dhe tjetri është ai që shfaqet më agresiv, ku temperatura dhe simptomat e tjera janë më të shprehura dhe më të rënda.

Çfarë ankesash manifeston fëmija?

Në këtë periudhë është më i shprehur gripi “i lehtë” dhe fëmija në këtë kohë zakonisht shfaq temperaturë, por jo shumë e lartë, rrufë, kollë, skuqje dhe tharje fyti. Më tepër preken rrugët e sipërme të frymëmarrjes, dhe kjo është arsyeja që ankesat kryesore prekin hundët dhe fytin. Ndërkohë mund të shfaqin dhe shenja më të përgjithshme si: këputje trupi, dobësi të përgjithshme, mungesë oreksi etj.

Kur duhet t’i drejtohemi mjekut?

Që me shfaqjen e shqetësimeve të para duhet të drejtoheni sa më parë te mjeku i familjes. Ne u rekomandojmë prindërve që të jenë vazhdimisht nën kontroll të mjekut për të parë ecurinë e trajtimit, por dhe mundësinë e mbivendosjes së një infeksioni të mundshëm, i cili do të kërkojë një trajtim më të gjatë dhe më specifik.

Qëndrimi në kolektiv, i bën fëmijët të jenë më të prekur nga këto viroza?

Sigurisht që fakti që fëmijët jetojnë në kolektiv, i bën më të ndjeshëm dhe të preken më lehtë nga virozat. Arsyeja është fakti se këto viroza transmetohen lehtë në mënyrë aerogene, por dhe në mungesës të higjienës së duarve, që te fëmijët është disi e theksuar.

Çfarë mund të përdoret në këto raste?

Asnjëherë antibiotikë. Në këto raste mjaft efikase janë trajtimet simptomatike, që do të thotë trajtim i ankesave që shfaq fëmija.
Kështu për temperaturën duhet përdorur paracetamoli, por asnjëherë aspirinë. Kjo për faktin se aspirina në rastin e virozave mund të japë ndërlikime mjaft serioze. Për rrufën rekomandohen avujt me dafinë, ose mentol. Për kollën çajra të ndryshme, por asnjëherë antibiotikë që në fillim.

Çfarë këshilloni për të parandaluar këto probleme?

Së pari, këshillohet që fëmija të vaksinohet. Vaksina kundër gripit arrin ta mbrojë 70-80%, por dhe nëse preket nga virusi, e kalon më lehtë dhe pa ndërlikime. Ndërkohë rekomandohet një higjienë maksimale e duarve, e nënës kur gatuan ushqimin, por dhe e fëmijës. Ndërkohë mëshohet në ushqyerjen me gji, sa më shumë të jetë e mundur, sepse ndihmon në sistemin imunitar të fëmijës. Ata fëmijë që nuk ushqehen me gji, duhet të marrin sa më shumë kalori, vitamina dhe kripëra minerale, sepse rrisin rezistencën dhe forcojnë sistemin imunitar. Ndërkohë rekomandohet qëndrimi në ambiente të ajrosura mirë, pa korrente ajri dhe me lagështirë të përshtatshme.

keshilla

• përdorni avuj me mentol për rrufën

• jepini të pijë sa më shumë lëngje me vitaminë C, sepse rrit rezistencën e organizmit

• jepini sa më shumë çajra për të zbutur kollën

• vaksinoheni fëmijën me vaksinën anti-grip

• bëni kujdes në higjienën e duarve

• bëjini kontroll te mjeku për çdo lloj simptome të re

• mbani nën kontroll temperaturën

• mbaheni fëmijën në një ambient të ajrosur mirë dhe të freskët

• shtoni në menynë e tyre zarzavatet dhe frutat

Gripi, kush duhet të vaksinohet

Kjo u rekomandohet të gjithëve, por në veçanti fëmijëve, të moshuarve dhe të sëmurët kronikë, pasi kanë sistem imunitar mjaft të dobët. Pavarësisht se ekziston mendimi se vaksinat mund të përmbajnë antikorpe të viruseve që kanë qenë më parë në qarkullim, mjekët rekomandojnë kryerjen e saj. Vetëm në këtë mënyrë mund të parandalohen komplikacionet. Në një intervistë për “Panorama”, mjekja infeksioniste, Sabahet Dedja, shpjegon kur duhet bërë vaksina, çfarë efektesh ka dhe kur nuk rekomandohet kryerja e saj.

Doktoreshë, vaksina e gripit është e detyrueshme të bëhet nga të gjithë?

Vaksinimet ndahen në dy kategori: të detyrueshme dhe të rekomanduara. Vaksina kundër gripit hyn në grupin e atyre të rekomandueshme. Gripi është një sëmundje që shkaktohet nga një virus, që në përgjithësi është i ndryshëm nga viti në vit dhe vaksinat janë të ndryshme. Megjithatë duhet kuptuar se vaksina arrin të mbrojë nga ndërlikimet që mund të shfaqen dhe të përballohet më lehtë gripi.

Ndodh që vaksina të shkaktojë ndërlikime?

Jo. Vaksina nuk shkakton ndërlikime te njerëzit e shëndoshë, përkundrazi vaksinimi mund të rekomandohet për personat që kanë sëmundje të rënda të zemrës, astmë kronike, sëmundje pulmonare, fibroza cistike, sëmundje reumatizmale. Rreziku më i madh për t’u sëmurur nga gripi janë muajt tetor-mars, muajt e ftohtë të vitit.

Nga se përbëhet vaksina dhe kur shfaqen efektet e saj?

Vaksina është e përbërë nga 3 lloj virusesh. Mbrojtja nga gripi shfaqet 2-3 javë pas injektimit të saj. Mbrojtja fillon në fund të dhjetëditëshit të parë dhe e arrin maksimumin në fundin e muajit të parë e në vazhdim. Mjekësia ende nuk ka mjete efikase për të luftuar pjesën më të madhe të viruseve përveç vaksinave. Pa vaksinë, organizmi duhet të pësojë një sëmundje për të mundur të krijojë antikorpet e nevojshme specifike, që do ta mbronin atë nga një infeksioni i tillë në të ardhmen. Veçse duhet kuptuar se vaksina nuk e parandalon gripin. Në qoftë se sëmundja ka filluar para bërjes së vaksinës, ose në qoftë se gripi është shkaktuar nga ndonjë virus tjetër. Veçse nëse vaksinohen të gjithë: fëmijët dhe të rriturit, ne pengojmë qarkullimin e sëmundjes dhe mbrojmë ata persona, që për arsye të ndryshme nuk janë vaksinuar.

Cilët persona e kanë të detyrueshme kryerjen e vaksinës?

Fëmijët dhe personat e riskuar e kanë shumë të nevojshme marrjen e vaksinës. Veçse para injektimit të vaksinës është e rëndësishme që të bisedohet me mjekun ose farmacistin, për t’u informuar në detaje.

Ka persona që nuk duhet të bëjnë vaksinën e gripit?

Ka persona, fëmijë ose të rritur që nuk duhet ta bëjnë këtë vaksinë. Ky është rasti i personave që janë alergjikë, ose shumë të ndjeshëm nga substanca aktive, ose nga përbërësit e saj, si veza e pulës, proteinat e saj, neomicina, farmaldehyde ose actaxinol.
Gjithashtu nuk rekomandohet te personat me temperaturë të lartë ose infeksione akute, fëmijët me mangësi të rëndë të aparatit imunitar (si pasojë e një sëmundjeje, ose ata që marrin mjekim që ulin fuqitë e tyre mbrojtëse). Po ashtu te fëmijët dhe të rriturit që marrin mjekime të zgjatura me kortizonikë. Në qoftë se doza e parë jep reaksion, nuk duhet të merret asnjëherë dozë tjetër. Duhet të lajmërohet doktori në qoftë se pacienti merr cito statik, (antitumoral) ose bën radioterapi. Po ashtu gratë shtatzëna ose nënat me fëmijë në gji, duhet të konsultohen patjetër me mjekun e familjes, përpara se të vaksinohen.

Sa herë bëhet vaksina e gripit?

Vaksina e gripit në vitin e parë aplikohet dy herë në interval 1-mujor, ndërsa për vitet e tjera aplikohet një dozë e vetme çdo vit.

Nëse ka shpërthyer epidemia e gripit, a duhet bërë vaksina?

Nëse një epidemi ka shpërthyer, vaksinimi nuk garanton që personat të mos preken nga gripi. Në pjesën më të madhe të rasteve periudha e inkubacionit të sëmundjes është më e shkurtër se sa koha që i duhet një vaksine për të mbrojtur organizmin ndaj saj.

Si përdoret vaksina?

Të rriturit dhe fëmijët deri në 36 muaj marrin një dozë prej 0.5 ml. Fëmijët nga 6 muaj-35 muaj marrin një dozë 0.25 ml. Nëse fëmija ose i rrituri vaksinohet për herë të parë, doza e dytë merret pas 4 javësh. Vaksina injektohet në muskulin e krahut, thellë nën lëkurë.

Cilat janë disa nga efektet e padëshiruara të vaksinës?

Rastet e infeksioneve të rënda nga vaksina janë shumë të rralla, shumë më të rralla se ndërlikimet e rënda nga sëmundja. Po kështu është e domosdoshme të dihet se, nëse vaksinojmë një fëmijë të vetme e mbrojmë nga rreziqet e infeksionit dhe njëkohësisht e ballafaqojnë atë me një rrezik shumë të vogël të ndonjë pasoje post-vaksinale. Ndër efektet anësore mund të radhisim: dhimbje koke, djersitje, dhimbje muskulore, atralgji (dhimbje e kyçeve), temperaturë, dobësi, reaksione lokale: skuqje, dhimbje, fortësim përreth vendit ku aplikohet vaksina. Këto efekte shfaqen zakonisht 1-2 ditë pas injektimit të vaksinës. Tepër rrallë mund të shkaktohen reaksione alergjike në lëkurë në pjesën e trungut, ose të gjithë trupin, urtikarie, prurit. Më të rralla janë dhe konvulsionet e shoqëruara me temperaturë, çrregullime neurologjike etj.

rekomandimi

Përse duhet të vaksinohemi?

Vaksina është një preparat i aftë të nxisë prodhimin e mbrojtjes së organizmit ndaj baktereve apo viruseve përgjegjës për shkaktimin e një sëmundjeje. Kur vaksinohemi, në organizëm “ndizet” një mekanizëm i mbrojtjes specifike. Kur virusi sulmon organizmin, menjëherë sistemi imunitar fillon punë për të kundërshtuar aksionin e tyre, mëson dhe njeh agjentin kërcënues, ose siç quhen ndryshe ushtarët mbrojtës të organizmit.[/b]

flm shum per imfo

uuu sa keshilla te mira…shume flm

shum interesante dhe te nevojshme

shum shum info te mira pse eshte i perjashtuar altin111

shume keshilla te dobishme

shum me interes keto keshilla.