Si të zgjedhim shkollën e lartë?

Çfarë duhet të dini që zgjedhja juaj të jetë sa më e drejtë?

Për shkollat e larta publike

  1. Mbi programin e studimit

Programi i studimit duhet të përgatisë studentët për tregun e punës dhe për studime të mëtejshme. Nëse programi bën pjesë në profesionet e rregulluara, të diplomuarit, pas praktikës profesionale, i nënshtrohen provimit të shtetit, që zhvillohet jashtë shkollës së Lartë.
Profesionet e rregulluara janë: mjekësia, stomatologjia, farmacia, infermieri, mami, fizioterapi, mësuesia, arkitektura, veterinaria dhe inxhinieria.
Përpara zgjedhjes:

  • Informohuni mbi programin e studimit.
  • Pyesni sa studentë diplomohen në këtë program dhe sa prej tyre janë punësuar.
  • Pyesni si zhvillohen provimet e lëndëve dhe si administrohen ato.
  • Pyesni nëse kreditet (ECTS) që fitoni aty, janë të transferueshme brenda ose jashtë vendit.
  1. Mbi profesoratin e shkollës

Shkolla e lartë duhet të ketë pedagogë të kualifikuar, me tituj “Master”, “Doktor”, “Profesor i asociuar” dhe “Profesor”.

  • Njihuni me pedagogët e moduleve dhe kualifikimin e tyre.
  • Pyesni studentët aktualë nëse janë të kënaqur me pedagogët.
  • Pyesni për tekstet mësimore që përdorin pedagogët, dhe për çmimet e teksteve.
  1. Mbi përshtatshmërinë e mjediseve
  • Vizitoni ambientet, laboratorët dhe informohuni për gjendjen aktuale të tyre; për orarin e bibliotekës dhe për lidhjen me internet.
  • Interesohuni nëse shkolla ka konvikte dhe informohuni për gjendjen e tyre.
  1. Mbi kujdesin ndaj studentëve
  • Informohuni për zyrën e këshillimit të studentëve, për pedagogët kujdestarë dhe për këshillat studentore.
  • Pyesni studentët aktualë nëse ata janë të kënaqur me shkollën e lartë që kanë zgjedhur.

Për shkollat e larta private

  1. Mbi statusin ligjor të shkollës së lartë dhe të programit të studimit

Shkollat e larta dhe programet e studimit duhet të jenë të licencuara me vendim të Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë. Pas licencimit, shkollat e larta dhe programet akreditohen nga Këshilli i Akreditimit, me urdhër të Ministrit të Arsimit dhe Shkencës.
Prandaj, përpara zgjedhjes:

  • Kërkoni nga shkolla e lartë: Vendimin për licencimin e programit të studimit, si dhe Urdhrin e Ministrit për akreditimin e programit.
  • Sigurohuni që programi i studimit të jetë i akredituar përpara lëshimit të diplomës.
  • Klikoni gjithmonë faqen e internetit të APAAL www.aaal.edu.al dhe/ose (www.mash.gov.al), për të parë statusin ligjor të institucionit.
  • Pyesni nëse kreditet (ECTS) që fitoni aty, janë të transferueshme brenda ose jashtë vendit.
  • Pyesni nëse programi bën pjesë në profesionet e rregulluara.
  • Interesohuni për mundësinë e punësimit pas përfundimit të studimeve dhe sa për qind e të diplomuarve në programin përkatës janë punësuar.
  1. Mbi tarifën e shkollës dhe formën e pagesës

Shkollat e larta duhet të vendosin tarifa shkollimi sipas cilësisë së diplomës që ofrojnë.
Prandaj:

  • Informohuni për tarifat e shkollimit dhe për format e pagesës së tyre.
  • Tarifat nuk paguhen pa u ofruar shërbimi dhe jo njëherësh për të gjithë programin e studimit.
  • Tarifa të favorshme janë tarifat që do të paguhen me këste.
  1. Mbi lidhjen e kontratës

Nëse ju vendosni të studioni në një shkollë të lartë private, kontrata që lidhet mes jush dhe shkollës, duhet të jetë në favorin tuaj.
Prandaj:

  • Sigurohuni që kontrata të lidhet në prani të një noteri.
  • Kërkoni që kontrata të ketë terma të qartë mbi shërbimin që do të merrni, si dhe për format e pagesës së tarifës së shkollimit.
  • Kërkoni që në kontratë të vendosen kushtet për të drejtën e çregjistrimit tuaj, nëse shkolla e lartë nuk përmbush detyrat e përcaktuara në të.
  • Interesohuni për detyrimet që ka shkolla e lartë ndaj jush, nëse ajo, për shkaqe të ndryshme, ndërpret veprimtarinë e saj.
  1. Mbi profesoratin e shkollës

Shkolla e lartë duhet të ketë pedagogë të kualifikuar, me tituj “Master”, “Doktor” e “Profesor”.
Prandaj:

  • Njihuni me pedagogët e lëndëve të profesionit.
  • Pyesni studentët aktualë nëse janë të kënaqur me pedagogët.
  • Njihuni me numrin e pedagogëve të punësuar me kohë të plotë dhe kualifikimin e tyre.
  • Pyesni për tekstet mësimore që përdorin pedagogët, dhe për çmimet e teksteve.
  1. Mbi përshtatshmërinë e mjedisit

Mjedisi shkollor duhet të akomodojë të gjitha nevojat për studim të studentëve, për të gjitha programet e studimit që ofrohen. Për programet e mjekësisë, të inxhinierisë e të shkencave natyrore, shkolla e lartë duhet të zotërojë laboratorë për orët e praktikës. Biblioteka duhet të këtë literaturë të përdorshme në orën e mësimit dhe online.
Përpara se të zgjidhni: vizitoni sallat, laboratorët dhe bibliotekën, mjediset e praktikave mësimore dhe lidhjen me internet për të gjithë shkollën.

  1. Mbi kujdesin ndaj studentëve

Informohuni nga shkolla, si dhe pyesni studentët aktualë:

  • Si funksionojnë Programet e Tutoriatit, Këshilli Studentor, si dhe Zyrat e
    Këshillimit të Studentëve?
  • A janë të kënaqur me shkollën që kanë zgjedhur?

Shume te vlefshme keto keshilla!

Shume Keshilla te mira :slight_smile:

Pershendetje e paske zgjedhur nje teme te qelluar e cila ka pesh te madhe tek te rinjet dhe keshilla te duhura per te gjithe

aman un po cmenden me kete zgjedhjen e shkolles se lart …

Faleminderit shum Majdi sepse jam duke menduar te shkoj ne shkolle te lart ne Tirane, por ende ska dicka konkrete 100% te sigurte. Keshillat shum te vlefshme :slight_smile:

pse po cmendesh moj ? ke akoma koh
po si tja bejm ne qe ditet na ndajn nga shkolla e lart :expressionless:

@iceman nese vazhdon Suksese !

Faleminderit labe :slight_smile:

Ashtu po shpresoj :smiley:

neve nga zgjedhjet qe po bejm duhet te vendosim :slight_smile: