Të drejtat në punë të emigrantëve shqiptarë në Itali

Konsullata e Torinos në Itali boton e para të drejtat dhe përfitimet që kanë emigrantët në rastet e aksidenteve në punë

Qeveria italiane është duke ndërmarrë një fushatë sensibilizuese për të drejtat që kanë emigrantët në rastet e dëmtimit në punë. E para që ka ndërmarrë këtë iniciativë sensibilizuese dhe që po punon për bërjen sa më të njohur të saj është Konsullata shqiptare në Torino, me Konsull Nderi Giovanni Firera. Ka qenë pikërisht iniciativa e këtij të fundit që në bashkëpunim me autoritetet shtetërore italiane dhe me ato shqiptare të sigurimeve, të bëhet pikërisht e njohur dhe fushata më e fundit që ka lidhje me njohjen e të drejtave nga ana e emigrantëve për përfitimet nga dëmtimet në kantieret e punës. Ashtu siç thotë dhe vetë konsulli Firera, “Italia po përfiton jo pak nga puna e madhe e emigrantëve të huaj”, është e drejtë, sipas tij, që shteti italian dhe vendi i tyre i origjinës, “t’u përgjigjet si për sigurimet shoqërore, ashtu dhe për ato shëndetësore apo për rastet e dëmtimit në punë”. Lidhur me këtë çështje tepër të mprehtë ligji italian për “aksident në punë” përcakton mjaft qartë të drejtat që përfiton punonjësi i dëmtuar nga ana e shoqërisë apo firmës ku ai punon, si dhe nga shteti italian. Sipas këtij ligji, që mundësohet për “Albania”-n nga Konsullata e Torinos, në qoftë se punonjësi, për shkak të punës që po bën, apo për një arsye të dhunshme (për shembull: kur rrëzohet nga lart, goditet nga një objekt, shtypet nga një peshë, digjet nga zjarri ose nga një substancë kimike, plagoset nga një xham ose nga një llamarinë etj.), pëson një dëm fizik ose psikik, i cili e pengon të vazhdojë punën për një periudhë, pak a shumë të gjatë, e cila duhet të vendoset nga një mjek nëpërmjet dokumentit përkatës (certifikatë mjekësore për aksident në punë), ai duhet të përfitojë menjëherë siguracion dhe kompensim si nga firma, ashtu dhe nga shteti.

Aksidenti duke shkuar në punë

Ligji italian e siguron punonjësin edhe për dëmet fizike dhe/ose psikike si pasojë e aksidentit që ka ndodhur gjatë rrugës normale vajtje dhe ardhje nga vendbanimi në vendin e punës (për shembull kur: përfshihet në një aksident rrugor, rrëshqet, rrëzohet, goditet nga një objekt etj.). Edhe në këtë rast është e nevojshme certifikata mjekësore
e aksidentit.

Sëmundjet profesionale

Emigranti përfiton kompensim edhe për sëmundje profesionale, kuptohet një sëmundje që ka ndodhur gjatë aktivitetit të punës për shkak të punimeve të bëra (për shembull: shurdhëri nga zhurmat, tumore të shkaktuara nga bojëra të veçanta ose ngjyrues, asbeste ose tumore të shkaktuara nga fibrat e amiantit, sëmundje të rrugëve të frymëmarrjes të shkaktuara nga silici dhe agjentë të tjerë kimikë etj.), por me kusht që të njihen nga një mjek, me dokumentin përkatës (certifikatë mjekësore për sëmundje profesionale).

Çfarë duhet bërë?

Kur ju ndodh një aksident në punë ose kur jeni duke shkuar për në punë, duhet patjetër të lajmëroni vetë ose nëpërmjet dikujt tjetër punëdhënësin tuaj, ose personin e ngarkuar nga punëdhënësi. Sipas rastit: a) drejtohuni te mjeku i ndërmarrjes në të cilën punoni, në qoftë se gjendet në vendin e punës; b) shkoni vetë ose të shoqëruar në shërbimin e “Ndihmës së shpejtë” (Pronto Soçorso) pranë një spitali, që të jetë sa më afër nga vendi ku gjendeni; c) në qoftë se është e nevojshme thërrisni ju vetë ose me
ndihmën e dikujt tjetër shërbimin e ambulancës në numrin e telefonit 118; d) drejtohuni te mjeku juaj kurues.

Komunikimi me mjekun

Mjekut tuaj ose atij të “Ndihmës së shpejtë” (sipas rastit), duhet t’i shpjegoni gjithmonë si dhe ku ka ndodhur aksidenti. Mjeku lëshon të parën “certifikatë mjekësore” në disa kopje. Në certifikatë është e treguar qartë diagnoza dhe numri i ditëve të parashikuara fillimisht për mungesat nga puna për arsye aksidenti në punë. Një kopje duhet t’i dorëzohet menjëherë punëdhënësit (direkt ose nëpërmjet personave të tjerë, të familjes ose miq), një kopje duhet të ruhet nga punonjësi (Kujdes! Fotokopjet e certifikatës mjekësore nuk konsiderohen të vlefshme). Në rast shtrimi, spitali do të marrë masa menjëherë për t’ia dërguar kopjen e certifikatave INAIL-it dhe punëdhënësit. Punëdhënësi, në qoftë se mjeku ka vërtetuar se punonjësi nuk mund të punojë për më shumë se tre ditë, duhet të lajmërojë menjëherë INAIL-in duke i dërguar zyrave kompetente kopjen e certifikatës mjekësore së bashku me një formular të veçantë që quhet “denoncim aksidenti”. Në rast se punëdhënësi nuk e denoncon aksidentin në INAIL, ai mund ta lajmërojë direkt INAIL-in duke paraqitur pranë zyrave të Entit certifikatën mjekësore. Punonjësi duhet të fillojë punën në ditën e caktuar nga certifikata mjekësore. Në qoftë se punonjësi mendon se nuk është shëruar akoma, ai mundet: a) t’u drejtohet mjekëve të INAIL-it pranë ambulatorëve të selisë që gjendet më afër shtëpisë së tij, për lëshimin falas (pa pagesë) të certifikatës mjekësore; b) ose t’i drejtohet mjekut të vet kurues. Certifikata është me pagesë dhe INAIL-i do të paguajë një pjesë të shpenzimit, në qoftë se është i dokumentuar. Mjeku vlerëson gjendjen e shëndetit të punonjësit dhe, sipas rastit, lëshon një certifikatë shërimi klinik (certifikatë mjekësore përfundimtare) ose një certifikatë me shënimin e ditëve shtesë, të nevojshme për shërim (certifikatë mjekësore e vazhdueshme). Pasi skadon afati i kësaj periudhe, punonjësi duhet të kthehet te mjeku, i cili, në qoftë se vërteton shërimin, lëshon certifikatën mjekësore përfundimtare. Gjatë periudhës së aksidentit punonjësi duhet t’i komunikojë INAIL-it ndërrimin e mundshëm të banesës.

Sëmundjet profesionale

Në qoftë se punonjësi kryen aktivitet pune, duhet t’i paraqesë punëdhënësit të parën certifikatë mjekësore të sëmundjes profesionale dhe, në rast se mjekimet për shërim vazhdojnë, certifikatat e tjera mjekësore. Në qoftë se punonjësi kryen disa aktivitete, mund të paraqesë direkt në INAIL kërkesën për njohjen e sëmundjes profesionale së bashku me certifikatën mjekësore të sëmundjes profesionale.

Të drejtat që ka çdo emigrant në punë

Çdo emigrant që punon në Itali konform rregullave gëzon të drejtën e kompensimit ditor për paaftësi të përkohshme absolute. Ai e përfiton këtë kompensim atëherë kur i dëmtohet shëndeti për shkak të punës dhe mjeku parashikon se ai nuk do të shërohet brenda tre ditëve. Në këtë rast INAIL-i i paguan punonjësit një shumë ditore parash, që quhet “kompensim i përkohshëm”, që zëvendëson pjesërisht, pagën (rrogën) në periudhën e mungesës në punë. Ky kompensim merret duke filluar nga dita e katërt, pas ditës në të cilën ka ndodhur aksidenti dhe gjatë gjithë kohës që mjeku mendon se është e nevojshme, për shërimin ose për stabilizimin e gjendjes së shëndetit. Kompensimi i përkohshëm llogaritet mbi pagën e deklaruar nga punëdhënësi dhe i nënshtrohet tatimit mbi fitimin (IRPEF). Taksa mbahet direkt nga INAIL-i, që i lëshon të aksidentuarit certifikatën përkatëse në lidhje me taksën.

Shuma e kompensimit të përkohshëm që përfiton emigranti

Disa kontrata pune kolektive parashikojnë që punëdhënësi ta integrojë kompensimin e përkohshëm të paguar nga INAIL-i derisa të arrijë në 100 për qind të pagës. Për kompensimin e përkohshëm pagesa bëhet në fund të kohës së aksidentit dhe çeku i dërgohet direkt të aksidentuarit në adresën e deklaruar në denoncimin e aksidentit.
Nganjëherë punëdhënësi i jep paradhënie punonjësit shumën që është në ngarkim të INAIL-it. Në këtë rast INAIL-i ia kthen paratë direkt punëdhënësit dhe jo punonjësit.
Për periudhat më të gjata të sëmundjes, në qoftë se punëdhënësi nuk ia jep paradhënie shumën e parave që është në ngarkim të INAIL-it, punonjësi mund të kërkojë, duke i telefonuar ose duke u paraqitur pranë zyrave të INAIL-it, që t’i jepen paradhënie. Ju kujtojmë se është shumë e rëndësishme që të lajmërojmë INAIL-in për çdo ndryshim adrese. Për artizanët; bashkëpunëtorët familjarë (bashkëpunëtorë familjarë, kujdestarë, shërbyes, etj.); anëtarët e kooperativave; punëtorët në bujqësi; kompensimi i përkohshëm llogaritet mbi bazën e shumës së pagave të vendosura me ligj (paga konvencionale).
Shërbimet shëndetësore jepen nga Shërbimi Shëndetësor Kombëtar (Servizio Sanitario Nazionale) dhe në disa ambulatorë të INAIL-it, të aktivizuar sipas marrëveshjeve përkatëse me Rajonet.

Të drejtat e emigrantit në rast invaliditeti të përhershëm

Në rastet e një dëmtimi të madh të shkaktuar nga puna dhe të mbetjes invalid përgjithmonë emigranti përfiton disa gjëra. INAIL-i vlerëson dëmin psiko-fizik dhe i paguan punonjësit një kompensim në para. Në rast sëmundjesh profesionale dhe/ose aksidenti për shkak të punës, INAIL-i, nëpërmjet mjekut të vet ligjor dhe, në qoftë se është e nevojshme nëpërmjet një ekipi me mjekë specialistë, vlerëson dëmin fizik dhe/ose psikik të përhershëm, sipas kritereve të vendosura nga ligji italian. Ky vlerësim shprehet nëpërmjet numrave, nga 1 për qind deri në 100 për qind, që përfaqësojnë përqindjen e humbjes së integritetit psiko-fizik, ndaj një personi që konsiderohet i shëndetshëm (dëm biologjik).

Si bëhet kompensimi i dëmit biologjik për emigrantin

Sipas dispozitave dhe kritereve të ligjit italian INAIL-i paguan: a) Një shumë të vetme parash (likuidim në kapital), në qoftë se dëmi fizik dhe/ose psikik është vlerësuar në një shkallë më të madhe se 5 për qind dhe më të vogël se 16 për qind. b) Një shumë parash mujore (kompensim në rentë), në qoftë se dëmi vlerësohet i barabartë ose më i madh se 16 për qind. Gjithashtu INAIL-i paguan një shumë shtesë mbi rentën (kuota integruese), për gruan ose burrin dhe për fëmijët; pra punonjësi duhet të lajmërojë INAIL-in në rast se ka ndryshime të përbërjes familjare (për shembull: martesë, lindje fëmijësh). Në rast invaliditeti tepër të rëndë të shkaktuar nga disa dëmtime që janë të përshkruara shprehimisht nga ligji, INAIL-i i jep çdo muaj, së bashku me rentën, një “çek për asistencë personale të vazhdueshme”. Renta e dhënë nga INAIL-i nuk është subjekt tatimi (IRPEF) dhe personi ka gjithmonë të drejtë ta marrë, edhe në qoftë se nuk banon në Itali dhe transferohet në një vend tjetër ose kthehet në vendlindjen e vet. Edhe në këtë rast, në qoftë se ndërrohet adresa është e nevojshme të lajmërohet INAIL-i.

tema mbyllet deri sa te dalin informacione me te reja