Thirrja vehabiste në selefizëm

Thirrja vehabiste në selefizëm .

Hyrje

Në këtë punim do t’i shpjegojmë karakteristikat themelore të vehabizmit dhe neo-selefizmit. Më shumë do të bazohemi në fenomenin e selefizmit, duke pasur parasysh se ai është ideologjia e një lëvizjeje fetaro-reformatore e cila botën islame më shumë e degradoi sesa që e afirmoi. Do të shpjegojmë se selefizmi nuk është medh’heb fetar dhe juridik, porse ai më tepër është reaksion në një situatë në të cilën muslimanët i gjetën në kontakt me popujt dhe civilizimet e tjera që e kishin pranuar islamin dhe në të kishin sjellë diçka nga traditat e tyre. Krahas kësaj do t’i përmendim edhe karakteristikat kryesore të selefizmit, domethënien e fjalës selef në gjuhën arabe, si dhe dallimin midis selefit dhe selefizmit, që sot shumë muslimanë nuk e vërejnë.

Në këtë punim do të shpjegojmë se krijimi i medh’hebit selefij është risi (sajim, bid’at) dhe se nuk ka ekzistuar në kohën e gjeneratave të para të muslimanëve, dhe se krijimi dhe ndjekja e një medh’hebi, janë dy shprehje të ndryshme.

Themeluesi i vehabizmit

Themelues i kësaj lëvizjeje ka qe Muhammed ibn Abdulvehhabi (1703-1792/ 1115-1206 h.), origjina e të cilit është nga Lindja prej fisit Benu Temin. Lindi dhe u rrit në krahinën shkretinore të Nexhdit, e cila ka qenë e ndarë nga ndikimet e civilizimeve të tjera. Në të është zhvilluar jeta primitive arabe e cila as që ishte e përparuar, as që dinte për shkencën dhe artin, me të cilat arabët erdhën në kontakt përgjatë pushtimeve. Deri para disa pesëqind viteve, Nexhdi ishte, kryesisht, i pabanuar; jeta e tij e vetme njerëzore kufizohej nga beduinët, të cilët i kullotnin kafshët e tyre. Nexhdi ishte i izoluar nga shumica e territoreve të Gadishullit – Mekka dhe Medina ishin larg në Perëndim – ndërsa qarkullimi i vetëm i Nexhdit në kohën e Ibn Abdulvehhabit qe me Kuvajtin dhe ishullin e Bahrejnit në Lindje. Mirëpo, Nexhdi i shkretë dhe i paujë, përfundimisht, do të bënte një ndikim të madh në historinë botërore, pasi që aty ithtarët e vehabizmit do të ndërtojnë Rijadin, fronin e ardhshëm të Arabisë Saudite.
Kur Ibn Abdulvehhabi shkoi nga Medineja në Basra dhe në qytete të tjera në kërkim të diturisë, i refuzoi risitë dhe legjendat të cilat i dëgjoi dhe i pa, si edhe shkencat të cilat nuk pajtoheshin me mënyrën e të menduarit të tij. Kjo, pra, ndodhi para kontaktit me popujt joarab që e kishin pranuar Islamin dhe që në të futën mënyrën e re të të menduarit dhe të interpretuarit. Atëherë u paraqitën ilmu-l-kelami dhe u përkthyen veprat filozofike nga gjuha greke. Ai me këtë nuk u pajtua, pasi që praktikonte Islamin fillestar dhe iu përmbajt shkencës dhe mendimit, përfaqësues të të cilit ishin Ahmed ibn Hanbeli, Ibn Tejmijje dhe Ibn Kajjim el-Xhevzijje.

Babai i tij ishte një njeri i mirë. U shqua si një dijetar. Gjithashtu, edhe vëllai i tij, shejh Sulejmani. Babai i tij, i vëllai si edhe dijetarë të tjerë, në të gjetën prognozën e animit kah humnera dhe të zemrës së devijuar, pasi që ishin dëshmitarë të fjalëve dhe veprimeve të tij dhe të devijimeve të tij në shumë çështje. E kanë kritikuar për këtë dhe i kanë alarmuar njerëzit e tjerë nga ai. Dhe, tamam u vërtetua frika e tyre kur haptas u paraqit me risitë, lajthitjet dhe devijimet me të cilat i mashtroi injorantët dhe u kundërshtua me dijetarët dhe imamët e fesë, dhe arriti deri në atë shkallë sa që i shpalli për qafirë një bashkësi besimtarësh.
Që këndej filloi kundërshtimi i parë dhe kryesor i Ibn Abdulvehhabit me atë që, ashtu siç e kishin kuptuar arabët e parë dhe qarqet arabe në jetën e tyre primitive, Islamit iu bashkëngjit në pikëpamje të risive dhe shtesave, pavarësisht se a ishin ato absurditete të vërteta apo fryte të mënyrës së të kuptuarit të bashkësive të qytetëruara.

Pas ikjes së fatimitëve nga qeverisja dhe ardhjes së osmanlinjve, në botën sunnite u paraqitën tarikate të ndryshme sufiste të cilët jo rrallë iu shmangën autenticitetit islam, gjë që Ibn Abdulvehhabin e nxiti që t’i kundërvihej kësaj, pasi që kjo, sipas mendimit të tij, ishte shirk i qartë. Konsideronte se të vizituarit e varrit të të Dërguarit, s.a.v.s., dhe të bërit e teves-sulit me të dhe me të dërguarit e tjerë, si dhe me robërit e mirë të Allahut dhe vizita e varreve të tyre, është shirk. Konsideronte se është shirk të thirrurit e të Dërguarit tek teves-suli, gjithashtu thirrja e robërve të tjerë të Allahut, kur të bëhet teves-suli, është shirk. Gjithashtu, konsideronte se nëse dikush ia përshkruante dikujt tjetër ndonjë veprim pos Allahut, madje edhe me fjalët simbolike, si p.sh., “Ky ilaç më bëri dobi”, ai bëhet mushrik (politeist).
Edhe pse Ibn Abdulvehhabi nuk i takoi asnjë medh’hebi, sepse i mohonte ato, prapë se prapë u mbështet në mendimet e Ahmed Ibn Hanbelit dhe në ideologjinë selefite. Ai ishte më tepër se një shejh dhe fekih, dhe kishte filluar t’i bind udhëheqësit arabë që ta pranojnë dhe që të luftojnë me ushtri kundër, gjoja, mushrikëve. Në këtë e dëgjoi emiri i Der’ijjes, Muhammed ibn Saud, i cili i shprehi edhe mirëseardhje. Atëherë, ata bënë marrëveshje që të krijojnë shtetin dhe mbretërinë e re në themelet e monoteizmit të pastër.

Karakteristikat kryesore të vehabizmit

Pra, nismëtari i kësaj doktrine, Ibn Abdulvehhabi, lidhi marrëveshje me Muhammed ibn Saudin, në vitin 1744, sipas së cilës duheshin të përkrahnin njëri tjetrin në krijimin e ambicieve të tyre analoge fetare dhe politike në gadishullin Arabik. Fjala ishte që Abdulvehhabi të bëhej imam, udhëheqës fetar, gjersa Ibn Saudi të bëhej emir, udhëheqës politik.

Megjithatë, ashtu si Alma Imamoviq thekson në punimin e saj të magjistraturës “Wehhabism in Bosnia and Herzegovina”, është e nevojës që të bëhet dallimi ndërmjet vehabizmit të shekullit tetëmbëdhjetë dhe neo-vehabizmit të shek. njëzet: “Përderisa vehabizmi i shek. 18, konsiderohet si një lëvizje reformiste dhe paraqitje e zymtë në fund të Perandorisë Osmane, neo-vehabizmi i shek. 20, është ideologji politike, e shndërruar në fenomen ndërkombëtar.”

Por, Andras Riedlmayer, ekspert për historinë osmane dhe arkitekturën islame në universitetin e Hardvardit, gjithashtu vë në pah që të kuptuarit se vehabistët janë muslimanë konservativë është gabim. Vetë esenca e konzervativizmit përbën respektimin e historisë dhe traditës dhe vazhdimin e ruajtjes së vlerave tradicionale. Vehabistët nuk janë konzervatorë, porse radikalë, të cilët – njëjtë sikur protestantët fundamentalistë amerikanë- preferojnë leximin primitiv, tekstual të Librit të Shenjtë mbi atë që ata e quajnë “hulumtim i padobishëm i librit”, dhe dëshirojnë të lënë anësh vite të tëra të historisë dhe traditës islame. Vërtetë, në mes të muslimanëve, vetëm vehabistët janë ata të cilët, në njëfarë mënyre në formë novatore, pohojnë se për gjatë 1100 viteve para Ibn Abdulvehhabit dhe shtëpisë së Ibn Saudit askush nuk e kishte kuptuar Islamin aq sa duhet.

Një interpretim i tillë, tekstual, i vendeve dhe traditave tradicionale fetare islame, si rrezik i cili shpie kah idhujtaria, ka përcjell ngritjen politike të shtëpisë së Saudit në gadishullin Arabik nga fillimi i shekullit nëntëmbëdhjetë. Duke u ngritur kundër Perandorisë Osmane, në vitin 1801, gjersa ajo mbrohej nga invazioni i Napolonit në Egjipt dhe Palestinë, ushtria saudite-vehabiste pushtoi proveniencën osmane, Irakun, ndërsa në mesin e kulteve të shenjta islame të shkatërruara dhe të dëmtuara në atë luftë ishte edhe kupola në varin e imam Huseinit, nipit të Pejgamberit, në Qerbela. Më pas, ushtria e Saud bin Abdul Azizit pushtoi qytetet e shenjta, Mekken dhe Medinen, kurse qeveria e re filloi një spastrim të madh të trashëgimisë islame. Në largimin sistematik të mauzoleve islame, vendeve të shenjta dhe përmendoreve mbi vare, u shkatërruan edhe shtëpitë ku lindën i Dërguari, vajza e tij, Fatimja, dhëndri Aliu dhe dy halifët e parë, Ebu Bekri dhe Omeri. Të ruajtura kanë qenë vetëm Qabeja në Mekke dhe Xhamia e të Dërguarit, s.a.v.s., (me varrin e tij) në Medine. Në shtatë vitet vijuese, muslimanët e kishin të ndaluar vizitën e qyteteve të shenjta përderisa nuk pranonin të ndiqnin doktrinën vehabiste. Perandoria Osmane, në vitin 1813, i ktheu qytetet e shenjta, mirëpo një shekull më vonë, me rënien e saj pas Luftës së Parë Botërore, të ndihmuar dhe të armatosur me paratë britanike, përsëri në to hyri ushtria saudite. Që nga atëherë, 1920, deri më sot, në vazhdimin e largimit sistematik të vendeve historike islame dhe të përmendoreve, ndër të tjerash, u shkatërrua varreza Xhennetu-l-mual-la në Mekke, me varrin e Hatixhes, gruas së parë të të Dërguarit, s.a.v.s…, (dhe shtëpia e saj në qytet), dhe Xhennetu-l-baki në Medine, me varret e një numri të personaliteteve historike islame; gati se të gjitha burimet e ujit dhe bunarët në të cilat i Dërguari, s.a.v.s., i kryente ritualet e larjes, duke e përfshirë edhe atë në pronën e shoqëruesit të tij, Selman el-Farisiut, e cila edhe vetë është rrafshuar me tokën.

(Fjala) selefijje

Në realitetin bashkëkohor arab dhe islam në shumë qarqe ideologjike dhe politike fjala selefijje është shumë e paqartë ose e papërcaktuar. Dikush i konsideron si lëvizje që nuk është afirmative, porse konservative në jetën tonë ideologjike, e veçanërisht në atë fetare. Mirëpo ka edhe nga ata që i konsiderojnë si lëvizje e cila më së shumti është aktive në luftën kundër risive dhe absurditeteve dhe që më së shumti e shkëlqen ideologjinë fetare muslimane. Kjo paqartësi nuk është e rastësishme, pasi që me të vërtetë ekzistojnë selefi të cilët janë të prapambetur dhe të paarsimuar, mirëpo ka prej tyre që nën moton e selefizmit ftojnë në ripërtëritjen e mendimeve islame. Ashtu siç ka prej atyre të cilët mendjen njerëzore, si potencial njerëzor për të identifikuar të mirën nga e keqja, e mohojnë, ndërsa Teksteve Kur’anore dhe të Sunnetit u japin përparësi, ka edhe prej atyre të cilët mendjes njerëzore i japin më shumë përparësi në botën perceptuese (alemu-sh-shehadeh) dhe e llogarisin si dhuntinë më të madhe të cilën Allahu ia fali njeriut, gjersa rolin e Teksteve e lënë në domenin e botës së paperceptuar (alemu-l-gajb).

Domethënia e fjalës “selef”

Kjo fjalë në Kur’an nënkupton kohën e kaluar (el-madi). Këtë mund ta vërejmë në ajetet vijuese: “Atij që i ka arritur këshillë (udhëzim) prej Zotit të tij dhe është ndalë (prej kamatës), atij i ka takuar e kaluara dhe çështja e saj mbetet te All-llahu…”(el-Bekare, 275) “…me përjashtim të asaj që ka kaluar…” (En-Nisa, 22) “All-llahu ka falur të kaluarën.” (El-Maide, 95) “…do t’u falet e kaluara…” (El-Enfal, 38),etj.
Në hadithin e të Dërguarit, s.a.v.s., fjala selef, gjithashtu ka domethënien e kohës së kaluar. Në Musnedin e Ahmed ibn Hanbelit, transmetohet nga Fatime Ez-Zehra, r.a., se i Dërguari, s.a.v.s., në shtratin e vdekjes i ka thënë: “Shoh që më është afruar çasti i vdekjes. Ti, prej familjes sime, do të jesh e para që do të më shoqërojnë. Sa paraprijës (selef) i mirë jam për ty.”
Gjithashtu, në fjalorët e gjuhës arabe kjo fjalë është sinonim i atij i cili ndiqet, etj.

Selefijje – paraqitja abbasite

Kah fundi i shekullit të parë hixhri, pushtimet arabe arritën kulmin e saj ashtu që pjesët e imperisë arabe u zgjeruan në të gjithë tokën. Arabët për 80 vite pushtuan më shumë se sa që pushtuan Romakët për 8 shekuj. Pushtimet e tilla, Arabët i sollën në ambiente të reja të jetesës. Më parë bënin jetë të thjeshtë shkretinore duke mos u lëshuar në peripecitë e saj. Islamin e kuptuan nga Kur’ani dhe Sunneti pa shumë interpretime dhe analogji. Por pushtimet e mëdha muslimanët arabë i bënë të jenë në kulm të imperisë e cila përbënte një territor të madh. Në të gjendej civilizimi pers i cili kishte një civilizim, kulturë dhe art të zhvilluar, pastaj India me urtësitë e saja, Egjipti dhe Siria me pasuritë e tyre, pastaj civilizimi grek dhe romak me trashëgiminë e tij të pasur kulturoro-artistik, etj. Të gjitha këto mbretëri ranë nën qeverisjen islame, të cilën e udhëhoqën muslimanët arabë. Në vend të bashkësisë primitive dhe të thjeshtë, në të cilën ishin mësuar, u gjendën në një mjedis shoqëror që dallohej nga vet civilizimi, traditat dhe problemet. Dhe ishte e natyrshme që këto arabë-muslimanë, pushtues, të hasin në kundërshtime me fenomenin e ri i cili i kishte rrethuar. Ajo që u ndodhi arabëve, i ndodhi edhe Islamit. Kur’ani, i cili u shpall në gjuhen e qartë arabe dhe që me ajetet e tij të thjeshta, të zakonshme, ka kënaqur bashkësinë arabe, ka pasur nevojë për dëshmi dhe argumente të reja me të cilat do t’i kënaqte popujt e mësuar në të tjera metoda gjatë diskutimit dhe debateve. Këtë nevojë e përforcon fakti se fraksionet dhe religjionet joislame, të cilat i gjetën gjatë çlirimit të territoreve, shpallën luftë ideologjike kundër Islamit, duke shfrytëzuar armë të cilat ishin të panjohura në gadishullin arabik dhe për arabët – muslimanët.

Kur muslimanët panë se me logjikën e thjeshtë, mbrojta e Islamit nga bashkësitë ideologjike dhe teologjike, që ishin të armatosura me Logjikën e Aristotelit, si dhe popull që posedonte urtësitë indiane dhe filozofisë greke, duke ftuar në Islam nëpërmjet Teksteve, atëherë veç më panë se Tekstet e tilla nuk u bënin dobi në raport me ata të cilët nuk u besonin atyre Tekste dhe shenjtërisë së tyre. Gjithashtu panë se fenomeni i ri ideologjik kërkon mjete të reja të luftës dhe që ato duhet patjetër të jenë natyrore (njerëzore) dhe internacionale; që patjetër të jenë të përshtatshme për çdo lloj diskutimi dhe argumentimi, pavarësisht nga qytetërimi apo mënyra e të menduarit, pavarësisht dallimeve nacionale, dyshimeve kohore dhe vendeve të ndryshme.
Përballë këtyre kërkesave të reja, bashkësia arabo-muslimane nxori elitën e filozofëve dhe teologëve të cilët panë esencën e Teksteve, duke shfrytëzuar mendjen, logjikën dhe ekzegjezën. Ata u bazuan në trashëgiminë ideologjike, e sidomos në atë filozofike, e cila u takonte popujve të pushtuar, si edhe në armët ideologjike dhe metodat e diskutimit dhe argumentimit, në qëllim të mbrojtjes së kredos islame, e cila do të proklamohej në bashkësitë në të cilat Tekstet dhe mbrojtësit e tyre nuk shënuan fitoren që do t’i përshkruhej kësaj feje.

Ky grup i teologëve (mutekel-liminëve) dhe i filozofëve islamë ishin nga mu’tezilitët (ehlu-t-tevhid). Por, mënyra e të menduarit dhe filozofia, si edhe argumentet të cilët i shfrytëzuan këto apologjetë, e bëri që atë elitë masa e thjeshtë të mos mund ta kuptojë, sepse (popullata) kryesisht u përqendrua te Tekstet dhe kuptimi i jashtëm i tyre. Madje ato dyshuan në seriozitetin e punës me të cilën u morën apologjetët si dhe në akiden e tyre. Këtë dyshim e rritën teologët jomuslimanë të cilët i hodhën Tekstet, kështu që disa teologë muslimanë i lanë pas dore ose i interpretuan në mënyrë të gabuar. Kështu erdhi koha që populli i thjeshtë të mendoj se Islami, me Tekstet e qarta dhe të thjeshta, të cilëve nuk u nevojitet komentim dhe me të cilët jetuan gjeneratat e para të muslimanëve, në ambientin e ri ideologjik, është bëre fe e individëve. Në popull shpesh citohej hadithi: “Islami ka filluar me individë dhe do të kthehet në individë, e lumë për ato individë”. U proklamua kthimi nga ambienti ideologjik në të cilin u jepej përparësi argumenteve logjike mbi ato tradicionale dhe tekstuale dhe në të cilin përdorej mendja, analogjia dhe hermeneutika, në islamin e parë dhe autentik; në islamin e periudhës së selefu-s-salihinëve. Propaganduesi kryesor i këtyre ideve, tashmë edhe i lëvizjes selefiste, ishte Ahmed ibn Hanbel (780-855/ 164-241) i cili jetoi në kohën e qeverisjes së abasitëve, atëherë kur u paraqitën këto drejtime të reja ideologjike.

Pas tij, përfaqësuesit kryesorë të lëvizjes selefiste ishin:
Ibn Tejmijje (431-513 / 1263-1328);
Ibn Kajjim El-Xhevzijje (691-751 / 1292-1350).
Në kohën e re përfaqësuesit kryesor të selefizmit konsiderohen:
Muhammed bin Abdulvehhabi (1115-1206/1703-1792);
Muhammed bin Ali Es-Senusi (1202-1276/1787-1859);
Muhammed Ahmed El-Mehdi (1260-1302/1844-1885);
Xhemaluddun El-Afgani (1254-1214/1838-1897);
Muhammed Abduhu (1266-1323/1849-1905);
Abdurrahman El-Kevakibi (1270- 1320/1854-1902);
Muhammed Reshid Rida (1282-1354/ 1865-1935);
Xhemaluddin El-Kasimi (1283-1332/1866-1914);
Abdulhamid ibn Badisi (1307-1359/1889-1940), etj.

Thirrja vehabiste në selefizëm (II)

Dallimi midis krijimit të medh’hebit selefij dhe ndjekjes së medhhebeve ekzistuese

Çdo ditë e më tepër selefizmi tek ne konsiderohet si medhheb i veçant dhe mëton të krahasohet, të themi, me medh’hebin hanefi. Ne tani do të orvatemi të shpjegojmë se selefizmi është shenjë e epokës së artë islame dhe atë e tre shekujve të parë, e assesi medhheb islam.
Ndjekja e të parëve të ndershëm (selefu-s-salih) dhe mënyrën e të kuptuarit të tyre të Kur’anit dhe Sunnetit dhe të vepruarit sipas tyre, është obligim i çdo muslimani që i përmbahet Librit të Allahut dhe udhëzimit të të Dërguarit, s.a.v.s… Allahu, xh.sh. i ka obliguar robërit e Tij që të jenë të dëgjueshëm ndaj të Dërguarit, s.a.v.s.:

“Çka t’ju japë Pejgamberi, atë merrnie, e çka t’ju ndalojë, përmbanju dhe kini frikë All-llahun, se All-llahu është ndëshkues i ashpër.” (El-Hashr, 7.) Kurse i Dërguari s.a.v.s., urdhëroi që njerëzit të ndjekin sunnetin e tij dhe praktikën e hulefai rashidinëve dhe të kapen për jetët e as’habëve dhe njerëzve të mirë të cilët jetuan në tre shekujt e parë të Islamit. Në këtë kontekst ka thënë: “Keni kujdes nga risitë, sepse ato janë lajthitje. E kush prej jush i arrin ato, le t’i përmbahet Sunnetit tim dhe prakitës së Hulefai Rashidinëve, në rrugën e drejtë. Intenzivisht përmbajuni kësaj”. Po ashtu ka thënë: “Njerëzit më të mirë janë ata të shekullit tim, pastaj ata të cilët do të vijnë pas tyre, dhe pastaj ata pas tyre.”

Të shpallurit e mirësisë dhe kualitetit të tyre është për shkak të përmbajtjes dhe të kapurit e tyre për sunnetin e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.

E dimë që ekziston krijimi dhe kreacioni i medh’hebit të ri (selefist) i cili qëndron në themelet fanatike. Duhet të themi që ky pasim nuk është ai që potencohet në hadith.

Cili është dallimi midis vendosjes së medh’hebit të ri i cili sot quhet selefizëm dhe pasimit të të parëve të ndershëm (selefu-s-salih)?

Dallimi ndërmjet kësaj është identik me dallimin i cili ekziston midis fjalëve muhamedan dhe musliman. Dihet që emërtimi i muslimanëve me fjalët muhamedan është karakteristikë e një numri të madh orientalistësh dhe hulumtuesish të huaj. Gjithashtu dihet që një adresim i këtillë, sipas Islamit, është i refuzuar dhe atë sipas mënyrës së jetesës së muslimanëve të sinqertë.

Fjala muhamedan nënkupton lidhjen e muslimanit për Muhammedin a.s., kthimin nga personaliteti i tij, si dhe të përmbajturit e ideve dhe udhëzimeve të tij. Gjersa fjala musliman nënkupton konfesionin e cili i takon sundimit dhe urtësisë së Allahut, dhe pranimin e të gjithë asaj e cila ka ardhur nëpërmjet të Dërguarit të Allahut, Muhammedit, s.a.v.s… Të preokupuarit me të Dërguarin e Allahut s.a.v.s., është borxh nga Allahu, xh.sh., ndërsa respektimi i tij është sikur të respektuarit e Allahut xh.sh… Dashuria ndaj tij nuk është për asgjë tjetër, por vetëm se e meriton si i Dërguar i Allahut. Ky dallim, i cili qartë vërehet midis fjalës muhamedan dhe musliman, është dallim i njëjtë që mund të parashihet ndërmjet krijimit të medh’hebit selefij dhe ndjekjes së selefëve të parë.

Të krijuarit e medh’hebit selefij do të nënkuptonte që selefi veç kishte medh’hebin e tij i cili pasqyronte identitetin e tij shoqëror. Pastaj, kjo do të nënkuptonte që ata të cilët hyrën në atë medh’heb janë përfaqësuesit e vërtetë të islamit dhe se vetëm ata e dinë esencën e tij. Pra, islami paraqitet nëpërmjet këtyre imazheve dhe kuptimeve, ndaj edhe ndjekja e medh’hebit selefij, dispozitave dhe principeve të tij, paraqet islamin e vërtetë autentik.

Të parët e ndershëm (Selefu-s-salih) janë njerëzit të cilët jetuan në tre shekujt e parë të islamit, duke e besuar sinqerisht fenë e Allahut dhe duke u kapur sinqerisht për litarin e Tij. Prandaj i Dërguari i Allahut, s.a.v.s., na ka urdhëruar që t’i respektojmë dhe të kapemi për to. Të kapurit e këtillë shihet në të kuptuarit e Kur’anit dhe të Sunnetit dhe të gjeturit e principeve dhe dispozitave, ashtu sikurse ata i kuptuan.

Islami, pra, është ai që ndiqet, ndërsa metoda e të hulumtuarit dhe të kuptuarit e islamit nga ana e selefu-s-salihinëve është themeli dhe boshti kryesor. Të parët e ndershëm sinqerisht e besuan fenë e Allahut. Ata janë udhëheqës dhe udhëzues të popullit me anë të metodës së drejtë. Ata që nuk e ndoqën këtë metodë u hoqën nga rrethi i të parëve të ndershëm, edhe pse jetuan në kohën e tyre. Islami dhe mënyra e të komentuarit dhe të kuptuarit e tij është shkak i suksesit të njerëzve, mirëpo ndonjëherë edhe i humbjes, siç thotë prijësi i besimdrejtëve, Omer ibn el-Hattabi, r.a. Në këtë shihet dallimi ndërmjet atyre të cilët veten e quajnë pjesëtar të medh’hebit selefij dhe pasuesve të vërtetë të selefu-s-salihinëve.

Shihet qartë që selefizmi është fiksion të cilin nuk e lejon Allahu dhe risi e cila nuk ka ekzistuar asnjëherë gjatë historisë, derisa selefu-s-salih është thelbi i fesë dhe baza e Sunnetit me të cilën ka predikuar i Dërguari, s.a.v.s. Në tre shekujt e parë të islamit, në hapësirat e ummetit islam, nuk ka ekzistuar medh’hebi selefij apo medh’hebi i selefëve i cili i posedon bazat dhe karakteristikat e veta që e kanë dalluar nga muslimanët e tjerë. Ka ekzistuar dallimi midis njerëzve të cilët e kuptonin fenë me anë të metodës së drejtë dhe sinqerisht i besonin Allahut dhe midis atyre të cilët ishin kundër islamit ose atyre të cilët u larguan nga kuadri islam dhe metodave të të menduarit dhe të hulumtuarit. Ky dallim nuk ka pasur mundësi që të mohohet. Ai që u shoqërua me grupin e parë të njerëzve morri dekorata të mëdha në këtë botë dhe ahiret, ndërsa ai i cili nuk e pati fat të ketë këtë karakteristikë, ai ose ishte kundër islamit, ose ishte i larguar nga kuadri islam dhe metodave të tij të të menduarit dhe të hulumtuarit.

E dimë që në kohën e selefëve ka pasur fraksione dhe grupacione të ndryshme të cilat janë shmangur nga vlerësimet dhe metodat e drejta. Selefizmi i tyre aspak nuk u ka ndihmuar tek Allahu dhe ishin më të këq*j sesa shumë novatorë të cilët, më vonë, u paraqitën pas tyre.

Pra, mbase është lehtë që njeriu i arsyeshëm të kuptoj se të kuptuarit e drejtë të Kur’anit dhe Sunnetit dhe të besuarit e drejtë, i cili është në pajtueshmëri me logjikën dhe shkencën, është suazë e cila e kufizon shoqërinë e drejtë islame. Ai që do t’i përmbahet kësaj do të hyj në rrethin e muslimanëve, pavarësisht kohës në të cilën jeton.

Të parët e ndershëm kishin vetëm një karakteristikë, e ajo është afërsia e Dërguarit, s.a.v.s., dhe vështrimi i drejtë në principet e islamit dhe të Tekstit të Kur’anit dhe Sunnetit. Për shkak të kësaj, me të drejtë ishin mësues, në të përmbajturit e metodave dhe rregullave të të komentuarit të Teksteve, për ata që erdhën pas tyre. Ata janë sikur arabët e parë, të cilët më vonë gjeneratave të popullit të vet ua mësuan gjuhën dhe gramatikën arabe. Nga këtu mund të vërejmë dallimin midis medh’hebit selefij dhe grupit të parë të muslimanëve, të cilët me të drejtë ishin mësues për ata që erdhën pas tyre. Pra, fenomeni i selefizmit nuk ka ekzistuar në kohën e selefëve të parë, kurse ndjekja e këtyre është obligim nga i Dërguari, s.a.v.s., në kuptimin të cilin e sqaruam.

Sikur të ishte korrekt ekzistimi i selefizmit dhe të selefëve të sotshëm, duke pasur parasysh që ky emërtim u nxor nga koha islame në të cilën vepruan selefu-s-salihinët, atëherë, për njerëzit e tjerë, do të ishte korrekte që të shpiknin drejtim tjetër islam, të nxjerr nga koha në të cilën vepruam hulefai-r-rashidinët dhe pas kësaj, të thonë për vete se janë rashidinë. Ndoshta do të ishte argument i fuqishëm kundër atyre që veten e quajnë selefij, sepse i Dërguari, s.a.v.s., ka thënë: “Përmbajuni sunnetit tim dhe praktikës së hulefai-r-rashidinëve, të udhëzuarve”, dhe nuk ka thënë përmbajuni selefëve. Kështu do të ishte korrekt që edhe grupi i tretë të shpikte një medh’heb, emri i të cilit do të asoconte në periudhën e as’habëve dhe, pas kësaj, të thonë se ne jemi sahabij.

Dhe nuk është fare çudi që sajuesit e medh’hebeve të këtilla të tubojnë elemente të mjaftueshme për kredibilitet medh’hebor, me të cilin do të dalloheshin nga medhe’hebet e tjera, e që do të reflektohej në ixhtihad, në pikëpamjet mbi besimin dhe mirësjelljen.

Atëherë, pa kurrfarë dyshimi, ithtarët e çdo medh’hebi do të vazhdonin që, ithtarët e medh’hebeve të tjera, t’i përbuznin dhe t’i shpallnin për novatorë dhe mashtrues dhe që dallimet në ixhtihad dhe mendim do të ishin armë në luftën kundër njëri tjetrit. Pa dyshim që çdo ithtar nga këto medh’hebe do të ishte në kundërshtim me metodën islame të cilën e praktikuan të parët e ndershëm, qofshin ato sahabe, hulefai-r-rashidinë, apo të tjerë. Ata u dalluan në mendime, mirëpo nuk u ndanë në parti dhe degëzime. Ata ishin ithtarë të një metode të të kuptuarit të fesë dhe është normale që të ketë pasur mospajtueshmëri gjatë ixhtihadit në kuadër të asaj metode. Mirëpo ata gjendeshin nën patronazhin e solidaritetit islam i cili i bashkonte. Andaj, nuk dimë ndonjë nga muxhtehidët që ta ketë zhvleftësuar ixhtihadin e tjetrit me të cilin nuk është pajtuar, apo t’i jetë drejtuar muxhtehidit tjetër për novator, apo pikëpamjet e tij me të cilat është shquar ai dhe medh’hebi i tij t’i ketë drejtuar në konkurrim me medh’hebet e tjera dhe ithtarët e tyre. Ata që u shkëputën nga kjo, siç janë fraksionet jashtë Ehli-s-sunnetit dhe Xhematit, pa dyshim se tendencat e tyre, në përgjithësi, përbëjnë barriera të forta ndërmjet tyre dhe Ehli-s-sunnetit dhe Xhematit dhe i ndajnë prej trupit islam. Për shkak të kësaj u ndanë në fraksione të veçanta që u ngjajnë fanatikët dhe ekstremistët. Arsyet e tyre të vetme për metodën e këtillë janë fanatizmi dhe egoizmi.

Duhet ditur se të parët e ndershëm janë munduar në gjetjen e dispozitave juridike, andaj edhe kjo i ka çuar deri te krijimi i shkollave të ndryshme juridike. Këto medh’hebe janë vetëm pasqyrë e mendimeve tek të cilat erdhën muxhtehidët nëpërmes hulumtimeve dhe studimeve. Lidhjet e përfaqësuesve të medh’hebeve me njëri tjetrin kanë qenë në nivel lakmues. Ata i kanë ndihmuar njëri tjetrit në ixhtihad dhe kanë qenë të vetëdijshëm për obligimin që duhet respektuar çdolloj ixhtihadi.

Ne sot nuk e gjejmë tolerancën tek të ashtuquajturit selefij të cilët mendimet dhe kuptimet i marrin si armë në luftën kundër atyre që nuk mendojnë sikur ato. Ekzistojnë çështje dhe zgjidhje të shumta të ixhtihadit në kuadër të të përmbajturit të Kur’anit dhe Sunnetit, rreth të cilave janë kundërshtuar vetë të parët. Si gjykojnë ata që e quajnë veten selefij të diskutojnë mbi ato çështje dhe ta kufizojnë të drejtën dhe të vërtetën potenciale në një mendim dhe arsyetim i cili iu përgjigjet atyre.
Nga ky mendim i tyre ata bëjnë adresë të fesë së vërtetë dhe dëshmi për lajthitjen dhe marrëzinë e atyre të cilët nuk pajtohen me ata, pa vështrim në kriteret dhe dispoizitat të cilat tolerojnë ekzistimin e më shumë se të një mendimi dhe faktin se pararendësit e respektuar janë ndarë në shumë çështje.

Argumenti se medh’hebi selefij është risi

Të gjithë neve na është e njohur që periudha e selefëve ka numëruar grupe të cilat ishin jashtë islamit, qofshin ata ehlu-l-kitabë apo të tjerë. Gjithashtu, ka pasur fraksione dhe grupacione të cilat në mënyrë deklarative janë numëruar si muslimanë, mirëpo me tendencë të shpërfilljes së metodës së të komentuarit dhe të kuptuarit të islamit nëpërmjet së cilës kanë ecur dijetarët dhe udhëheqësit muslimanë. Tendencat e tilla krijuan fraksione të ndryshme nga të cilat mund t’i veçojmë mu’tezilitët, murxhitët, harixhitët, ejt. Çdo njëra prej këtyre fraksioneve u nda në shumë sekte nga të cilat njëra tjetrën e akuzuan për herezi dhe ateizëm.

Periudha e të parëve të ndershëm (selefëve) u gjend në atë idil, dhe se shumica e muslimanëve ndoqën kriterin të cilin e morën nga i Dërguari i Allahut, s.a.v.s., dhe nga shokët të tij, të cilët i interpretuan Tekstet dhe u morën me ixhtihad.
Ata realizuan lidhjen midis arsyes dhe Teksteve, andaj dhe me të drejtë bartën emrin e Ehli Sunnetit dhe Xhematit. Arsyeja që bartin këtë emër gjendet në të përmbajturit e metodës së njohjes e cila qëndron në lidhjen precize të shqyrtimit racional dhe rrëfimit tradicional, si dhe në të përmbajturit e gramatikës së gjuhës arabe gjatë interpretimit.

Interpretimi i Kur’anit nga ana e të Dërguarit të Allahut, s.a.v.s., dhe të as’habëve, si dhe ixhtihadi i tyre, ishin bazat kryesore të hermeneutikës. Të gjithë ata që iu përmajtën kësaj metode do të llogariten nga rrethin e Ehli Sunnetit dhe Xhematit, madje edhe nëse do të jetonin në shekullin e fundit. Përkundër kësaj, të gjithë ata që nuk iu përmbajtën kësaj metode, nuk do të llogariten nga rrethi i Ehli Sunnetit dhe Xhematit, madje edhe nëse kanë jetuar në shekullin e parë të islamit.

Arritëm që të përfundojmë se ndjekja e të ashtuquajturit “medh’heb selefij”, të cilin shumë njerëz e konsiderojnë si përcaktim të drejtë të muslimanit, nuk njihej tek Ehli Sunneti dhe Xhemati, respektivisht te të parët e ndershëm (selefu-s-salihinët) në shekujt e parë të islamit. Një gjendje e tillë vazhdoi edhe për disa shekuj me radhë. Bashkëkohësit

e asaj periudhe ishin ithtarë besnik të bontonit islam dhe metodës së të kuptuarit të islamit, duke qenë të kapur për të parët e tyre nga Ehli Sunneti dhe Xhemati. Kishte edhe prej atyre të cilët pjesërisht ose tërësisht e braktisën atë mënyrë të sjelljes dhe të të kuptuarit. Grupi i parë i njerëzve ishte me shekuj nën flamurin e Ehli Sunnetit dhe Xhematit, i cili në të gjitha periudhat paraqet shumicën e ummetit islam. Grupi tjetër i njerëzve ishin larg nga Ehli Sunneti dhe Xhemati, për arsye se u larguan nga metoda e drejtë.

Nuk dimë se a ka pasur ndonjë në ato shekuj që ta ketë kompozuar atë rrugë dhe atë metodë për t’iu bashkangjitur ndonjë medh’hebi, të quajtur selefizëm, në kuptim që kjo ka qenë hyrja në mesin e të udhëzuarve, apo që mbetja eventuale në atë medh’heb, të ketë nënkuptuar mbetjen në humnerë dhe novatori. Nuk kemi dëgjuar një medh’heb të tillë të ketë ekzistuar në shekujt e kaluar të islamit, ose tek muslimanët te ketë ekzistuar grupi i cili veten ta ketë quajtur si selefij , që ka caktuar identitetin e tij medh’hebor të mendimeve me të cilat thirret dhe me etikën që praktikon. Nga ana tjetër nuk ekziston grup i cili quhet si novatorë dhe i humbur. E dimë që elementi vlerësues i saktësisë së muslimanit, ose pasaktësisë eventuale, është mënyra e të përmbajturit të metodës së Ehi Sunnetit dhe Xhematit e cila pasqyrohet në jetën e të parëve të ndershëm. Ithtarët e selefizmit janë karakteristikë e përgjithshme e muslimanit. Njëjtë sikur ishte e drejtë që të parët e ndershëm të hasnin në mospajtime nën hijen e metodës të cilën ata e ndoqën, ashtu është e drejtë që të hasin në mospajtime edhe ata që vijnë pas tyre. Ashtu sikur ajo mospajtueshmëri nuk ndikoi në ndarjen e ummetit në të devotshëm dhe mëkatarë, atëherë as mospajtimi i tyre nuk do të ndikoj në ndarjen e unitetit islam dhe prej tyre të formohen selefitët dhe bida’txhitë (novatorët).

Kështu kaluan katërmbëdhjetë shekuj e nuk dëgjuam asnjë dijetarë të thotë që dëshmia e saktësisë së muslimanit dhe përudhjes së tij është në të bashkangjiturit e medh’hebit i cili quhet selefizëm, dhe ata që nuk do t’i bashkëngjiten këtij medh’hebi të trajtohen si novatorë dhe të humbur!

Neo-selefizmi

Pak më parë përmendëm se iniciator i selefizmit konsiderohet Ahmed ibn Hanbeli. Megjithatë, mund të themi se fillimi i neo-selefizmit me siguri ka qenë në Egjipt në kohën e okupimit të Anglisë, si dhe në ditët e lëvizjes reformatore fetare të cilën e udhëhoqën Xhemaludin Afgani dhe Muhammed Abduhu. Paraqitja e kësaj lëvizjeje e afirmoi fenomenin e neo-selefizmit. Shkaku i kësaj qëndron në rrethanat të cilat kishin pushtuar Egjiptin. Edhe krahas së Ekzistimit të Az’harit dhe dijetarëve të tij dhe lëvizjes aktive të dijetarëve përreth, madje edhe në vet Egjiptin, kishte lloje të shumta të risive dhe legjendave të cilat u përhapën në të gjitha territoret, por edhe në vet Az’harin, nën emrin e tesavvufit dhe nën patronazhin e tarikateve të shumta sufiste të cilat nuk kanë asnjë bazë fetare, porse janë absurditete dhe nihilizma. Ndërsa sa i përket zhvillimit brenda Az’harit, aktivitetet shkencore ishin shndërruar në plane formale, gojëdhëna të çuditshme dhe destruktive dhe fraza të përsëritura të cilat nuk kishin asnjë lidhje me jetën dhe realitetin e njerëzve. Az’hari nuk ishte vetëm i shkëputur nga bashkësia, por nuk ndjente as barrën e mesazhit për ringjallje dhe ndryshim. Andaj, sipas kësaj njerëzit vepruan në dy mënyra: njëri grup iu bashkëngjit civilizimit perëndimor, duke u çliruar nga vendimet dhe parimet, madje edhe nga idetë islame, dhe grupi i tjetër i cili dëshironte përmirësimin e gjendjes së muslimanëve dhe nxjerrjen e tyre nga dezintegrimi deri te i cili i çuan shumë dijetarë të Az’harit, dhe kthimin e tyre në islamin autentik dhe të drejtë, larg legjendave, iluzioneve dhe risive. Ata dëshironin që islamin ta vendosnin në rrethin e jetës moderne dhe gjetjen e rrugës së bashkëjetesës me qytetërimet e tjera. Përfaqësuesit e këtij grupi ishin Muhamed Abduhu dhe Xhemaludin Afgani të cilët denjësisht dhe guximshëm ftuan në rilindjen islame.

Duke e pasur parasysh që çdo lëvizje reformuese duhet të ketë një moto me anë të së cilës do ta mishëronin formën dhe thelbin e lëvizjes në masë, moton të cilën e zgjodhën udhëheqësit e kësaj lëvizjeje ishte selefizmi. Kjo thirrje u shqua për puritanizëm dhe spastrim të turbullirave, të cilat e kishin mbuluar pastërtinë dhe kthjelltësinë islame nëpërmes risive dhe legjendave, në mënyrën e kthimit të muslimanit në të kuptuarit e drejtë të islamit ashtu sikurse e kuptuan të parët e ndershëm. Kthimi në periudhën e selefizmit nënkuptonte çlirimin nga risitë, iluzionet dhe legjendat të cilat mundeshin të gjenden në shumë shoqëri dhe vende të ndryshme islame. Gjithashtu, kjo ka nënkuptuar marrjen e islamit si fe e punës, aksionit dhe xhihadit, e jo e dekadencës, përgjumjes dhe injorimit të luftës jetësore. Këtë esencë të lëvizjes, që është e drejtë dhe e lartësuar për shkak se nënkupton realitetin e islamit në çdo kohë, kanë mundur që krahas selefit dhe selefizmit ta emërtojnë me ndonjë emër tjetër. Pyesim nëse këto fjalë janë më të vërteta se sa vet fjala islam?! Mendojmë mbi islamin i cili është i pastër nga të metat e involvuara dhe absurditetet e shtuara. Mirëpo prijësit e kësaj lëvizjeje në këtë mënyrë dëshironin që të stimulojnë dëshirën e njerëzve për islamin dhe ndryshimin e fotografisë së islamit, pasi që njerëzit kishin bërë tok gjendjen e muslimanëve të shekujve të parë me gjendjen e mjerueshme të muslimanëve të sotshëm. Dëshironin që thirrja islame gjatë kohës së selefëve të bëhet model i fatit, përparimit dhe mirësisë.

Pra, për këtë lëvizje reformatore motoja e selefit dhe selefizmit, qe pozitive për ata njerëz që lavdëronin heronjtë e islamit dhe që ishin krenarë për gjeneratat e para të islamit.
Në atë periudhë u paraqit ideja e selefizmit që e ndërtuan dhe ftuan në të grupi i parë i lëvizjes reformatore-fetare në krye me Muhammed Abduhunë, Xhemaludin Afganin, Reshid Ridanë dhe Abdurrahman El-Kevekibiun.

Por, ta kemi parasysh që kjo ide nuk kishte formë të medh’hebit islam, i cili i posedon ithtarët dhe parashenjat e tij, porse ajo ishte adresë misionare dhe parashenjë e metodës së drejtë, si dhe pasqyrë e të kuptuarit të ndryshëm të islamit, përkundër atyre të cilët ishin zhytur në risi dhe legjenda dhe ishin larg nga islami me të cilin ishin stolisur të parët e ndershëm, r.a.

Të kuptuarit e selefizmit më së miri e shpjegon dijetari Jusuf El-Kardavi kur përshkruan idenë e lëvizjes së “Vëllezërve Muslimanë”, i cili thotë se ajo është: “thirrje selefiste, rrugë e Ehli Sunnetit, esencë e sufizmit, ndërmarrje ekonomike, institucion sportiv, organizatë politike, institucion kulutoro-arsimor dhe organizim shoqëror.”

Duhet ditur që, edhe përkrah parashenjës kryesore të selefizmit të cilën e kishte përvetësuar kjo lëvizje duke luftuar kundër risive dhe legjendave, nga ana tjetër përsëri u largua nga selefi i parë, sepse protagonistët kryesor të saj herë-herë dhanë fetva dhe e komentuan Kur’anin në mënyrë të palejueshme.

Kjo lëvizje reformatoro-fetare kishte një rol të madh në të vendosurit në qarkullim të fjalëve selef dhe selfijje në qarqet publike dhe intelektuale, edhe pse këto fjalë kishin domethënie të ndryshme të cilat shfrytëzoheshin vetëm në rrethe të vogla shkencore. Me fillimin e këtij shekulli pamë se si këto fjalë dolën nga rrethet e vogla shkencore në titujt kryesorë të revistave, emrave të shtypshkronjave dhe librarive. Shembulli më i mirë i kësaj është Egjipti. Kjo fjalë u përhap në publik me tonin e shquar të cilin e shoqëroi konsolidimi i lëvizjes fetaro-refomatore mbi duart e protagonistëve të saj të parë. Në këtë periudhë, siç e përmendëm, ishte përhapur medh’hebi të cilin e themeloi Muhammed ibn Abdulvehhabi në Nexhd dhe në pjesët ujore arabe. Midis medh’hebit vehabij dhe thirrjes të cilën e udhëhoqën protagonistët e rilindjes fetare në Egjipt, ekzistonte lidhja reciproke e cila pasqyrohej në luftën kundër risive dhe legjendave, dhe sidomos atyre sufiste, ashtu që këto fjalë, selef dhe selefijje, u futën në vokabularin e medh’hebit dhe thirrjes vehabiste, ndërkaq zgjuan vëmendjen tek ato njerëz të cilët neveriteshin nga vehabizmi. Për to kjo do të thoshte që selefizmi nuk ishte medh’heb dhe fryt i Muhammed ibn Abdulvehhabit, por i të parëve të ndershëm, andaj dhe ky ndërrim i fjalës u mirëprit. Sipas themeluesve të këtij medh’hebi, selefistët janë ruajtës të akidës së selefit, ideve të tyre, metodave gjatë të të kuptuarit dhe të praktikuarit të islamit. Ky është emërtimi i ri i lëshuar në qarkullim në vend të atij të vjetrit.

Krijimi i selefizmit si medh’heb është risi

Sa i përket karakteristikës themelore të ummetit islam, i cili në Ditën e Gjykimit do të jetë i shpëtuar me mëshirën e Allahut, ajo është Ehli Sunneti dhe Xhemati dhe e përbën shumicën e muslimanëve. Këtë e na e vërteton hadithi i të Dërguarit të Allahut, s.a.v.s., konsensusi i dijetarëve islam dhe elita e selefu-s-salinëve. Kur sot muslimani deklarohet si pjesëtar i Ehli Sunnetit dhe Xhematit, atëherë ai nuk shpik ndonjë emër të ri të cilin nuk e përkrah Kur’ani dhe Sunneti. Karakteristika kryesore e Ehli Sunnetit dhe Xhematit është në të ndjekurit e Librit të Allahut dhe në të përmbajturit e udhëzimit të të Dërguarit të Allahut, s.a.v.s, ndërsa si shembull për këtë janë as’habët dhe pasuesit të cilët erdhën pas tyre. Ndërkaq, kur muslimani deklarohet si pjesëtar i medh’hebit selefij, nuk ka dyshim që është novator, pasi që domethënia e tij nuk i përgjigjet kuptimit të fjalës së Ehli Sunnetit dhe Xhematit. Kjo do të thotë që dikush në bashkësinë muslimane të shpik emërtim për të cilin të parët e ndershëm nuk janë pajtuar. Për një emërtim të tillë nuk ka nevojë, sepse krijon tollovi dhe shkëputje të rreshtave muslimane.

Edhe në rast se ky emërtim nuk ka domethënie kuptimore të fjalës “Ehli Sunnet vel Xhemah”, çfarë është edhe fakt, atëherë inovacioni është i qartë në veprimtarinë e saj destruktive e cila forcon dhe lartëson protagonistët e saj në vend se të vërtetën, për të cilën ishin të pajtuar të parët, e që shihet te Ehli Sunneti dhe Xhemati. Inovacioni vërehet edhe në përdorimin e fjalës selefij, e cila ka domethënie novatore, po ashtu edhe emri është për një grupacion të ri islam i cili u nda nga trupi islam dhe uniteti i konsoliduar brenda Ehli Sunnetit dhe Xhematit. Sot, selefij është çdonjëri i cili i përmbahet listës së caktuar të mendimeve dhe tezave, dhe që i mbron ato, ndërsa i përçmon ata të cilët nuk i përkrahin dhe i cilësojnë si novatorë, pavarësisht se bëhet fjalë mbi çështjet e besimit, dispozitave juridike apo ato morale.

Secili që e kufizon të vërtetën në mendim ose zgjidhje deri te e cila është ardhur, kurse të tjerët, të cilët nuk mendojnë ashtu, i llogarit për novatorë dhe tradhtarë, atëherë, në fakt, është ai novator dhe shkatërrues i bashkësisë muslimane dhe iniciator i pengesave dhe zënkave midis tyre, pa pasur ndonjë arsye. Ai i shmanget bashkimit të muslimanëve, sepse refuzon metodën e drejt të pranuar nga Ehli Sunneti dhe Xhemati, metodë e cila ka të bëj me realizmin e veprave, mendimeve dhe ixhtihadit. Kjo metodë i ka përfshirë të dy grupet e selefu-s-salihinëve: Ehlu-r-re’j-in – racionalistët dhe Ehlu-l-hadith-in – tradicionalistët. Në këtë mënyrë mospajtimet e tyre u shndërruan në ndihmesë reciproke dhe hapërim drejtë së vërtetës.

Ata që e kundërshtojnë këtë metodë të cilën e pranuan selefët e parë, e ndërrojnë të vërtetën për egoizmin dhe fanatizmin medhhebor, duke i cilësuar të gjithë ata që dallojnë prej tyre për novatorë dhe heretikë.

Përfundim

Nga ekspozimi që bëmë shihet që neo-selefizmi i ditëve të sotshme nuk është sinonim për selefizmin e parë, ose selefu-s-salihinët, porse është lëvizje fetare e cila, ummetin islam, më shumë e dëmton sesa i bën dobi. Thirrja vehabiste në selefizëm, para së gjithash, është joreale dhe pasqyrë e vakuumit dhe ekskluzivizmit intelektual, i cili fshihet në organizimet e ndryshme të bibliotekave familjare. Në plotësimin e këtij vakuumi intelektual është e domosdoshme organizimi i dialogjeve ndërmuslimane, në mënyrë që muslimanët tanë, e sidomos të rinjtë e shqetësuar, të njoftohen me islamin tradicional i cili ka mundësi të inkorporohet në kohën moderne në të cilën jetojmë. Ky është prioriteti i institucioneve tona fetare dhe arsimore, si dhe, në rend të parë, na obligon ne imamëve.

ha prape duan dru, po vehabizmi bie kunder mbretit te shtrember apo fisnikut jo ne vendin e vet.