Tiranë: Nënë e bijë gjenden të vdekura në banesë

Gjenden të vdekura në banesë pranë njëra-tjetrës nënë e bijë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në komunën Shën Gjergj në Tiranë, kur nënë e bijë Xhile Sila dhe Burbuqe Pepo 70 dhe 42 vjeçe janë gjetur të vdekura nga fqinjët.
Për ngjarjen u lajmërua policia e cila mbërriti menjëherë në vendin e ngjarjes. Burime nga policia thanë se në banesë nuk kishte pjesëtarë të tjerë të familjes në momentin që dy femrat kanë vdekur.

Trupat e tyre të pa jetë janë gjetur nga fqinjët ditën e sotme të cilat kanë dhënë menjëherë alarmin.

Hetuesit e zyrës së vrasjeve të Policisë së Tiranës kanë rrethuar menjëherë banesën e viktimave ndërsa kanë bërë këqyrjen e provave.

Në trupin e viktimave nuk janë konstatuar shenja dhune, ndërsa policia ka përqendruar hetimet në dy pista kryesore për të zbardhur rrethanat e vdekjes së tyre.

“Policia dyshon se nënë e bijë mund të jenë vethelmuar, dhe për të verifikuar këtë dyshim pritet autopsia si dhe marrja në pyetje e familjarëve të viktimave. Por një tjetër pistë hetimi është ajo e një helmimi nga pakujdesia ndaj dhe policia ka bllokuar ushqimet që kanë konsumuar nënë e bijë” thanë për agjencinë e lajmeve NOA burime nga policia.

Trupat e pa jetë janë transportuar drejt morgut të spitalit të Tiranës për ekzaminime të mëtejshme ndërsa policia po vazhdon hetimet.