Ushqehuni me perime dhe peshk, për të ruajtur rininë e trurit.

, Mënyra e të ushqyerit mund të ndihmojë në ruajtjen e rinisë së trurit? Nëse do të bazohemi në përfundimet e studimit më të fundit, mesa duket po. Sipas studimit të sapo publikuar në Neurology u vu re se personat e moshuar që kanë një nivel të lartë të disa vitaminave të grupit B (B1, B2, B6, B12), vitaminat C, D dhe E dhe nivele të larta të acideve yndyrore omega 3 (tipike tek peshku) arrinin rezultate më të larta në teste të zhvilluar mbi ta. Ndërkohë që personat që kishin nivele të larta të acideve yndyrore trans (të konsideruar si acidet më pak të shëndetshme) arritën rezultate më të këqija në teste.
Studimi
Studimi u realizua në SHBA nga kërkuesit e Universitetit të Shkencës dhe Shëndetit në Oregon, në mbi 104 persona me moshë mesatare 87 vjeç. Po përse u mendua se është pikërisht niveli i këtyre vitaminave dhe acideve yndyrore omega 3 që ndikojnë në ruajtjen e rinisë së trurit? Arsyeja është e thjeshtë: U mendua se këto substanca mund të ishin tregues të vlefshëm të konsumimit të ushqimeve (siç janë perimet me gjethe të gjelbra, frutat dhe peshku), që sipas studimeve të mëparshme ishte arritur në përfundimin se ishin të nevojshme për shëndetin e trurit. Në kundërshtim me këtë, acidet yndyrore trans janë konsideruar si tregues të një diete pak të shëndetshme, të pasura kryesisht me ushqime të yndyrshme, të pasura me margarinë dhe ushqime të skuqura. Po përse duhet të marrim për bazë rezultatet e këtij studimi? Sipas njërit prej mjekëve më të njohur italianë, efikasiteti njohës u studiua nëpërmjet testeve neuropsikolegjikë, të cilët janë të ndjeshëm ndaj rënies moshore dhe masin aspekte të memories, inteligjencës, si dhe elementë të depresionit. Ajo që del nga ky studim, por që sigurisht duhet të rikonfirmohet nga studime të tjera, është se karakteristikat e trurit mund të ndikohen në mënyrë të efektshme nga mënyra e të ushqyerit që ndiqet nga persona të ndryshëm.