Vazhdon telenovela e divorcit Çako-Mula

Seancat gjyqësore për divorcin e Inva Mulës dhe Pirro Çakos, duket se s’do të kenë fund.
Para disa javësh, në seancën e radhës, palët nuk ranë dakord, për psikologen që ishte zgjedhur për të marrë pjesë në proces dhe për të marrë në pyetje palët, gjithashtu dhe djalin. Mosmarrëveshja ishte për shkak se pala mbrojtëse e Pirro Çakos pretendonte se psikologia ishte shumë e re në moshë dhe nuk kishte përvojën e duhur për të gjykuar çështjen.

Pas gati dy orësh debat, palët arritën në konsensus, për të marrë një psikologe të re me më shumë eksperiencë.

Seanca ishte vendosur të mbahej dje, ku psikologia e re do të pyeste prindërit dhe djalin, por si shumë të tjera edhe kjo seancë është shtyrë, për të kthyer këtë gjyq në një maratonë pa fund.

Shkak për shtyrjen e seancës këtë herë ka qenë mungesa e gjyqtares së çështjes, Elona Gjoka, e cila nuk është paraqitur, për shkak të një raporti mjekësor.
Ka qenë pikërisht kjo, arsyeja që ka bërë që edhe këtë herë, zhvillimet për gjyqin të mbeten në vend numëro.

Sa u përket palëve të procesit këtë herë janë paraqitur të dyja palët, por ja që mungesa e gjyqtares ka bërë që edhe kjo seancë të mos zhvillohet.