Vrasjet në Devoll, aksion për kapjen e autorit

Dy vëllezër nga fshati Vidohovë e rrethit të Devollit, në Shqipëri, janë ekzekutuar mesditën e së premtes me armë zjarri në një nga rrugët e fshatit të tyre, ndërsa një i tretë është në gjendje shumë të rëndë. Viktimat janë Taulant, Xhilion dhe Eldi Mulliri.
Pas ngjarjes në fshat ka mbërritur policia që ka rrethuar gjithë zonën si dhe ka bllokuar kufirin me Greqinë. Fshati Vidohovë ndodhet fare pranë këtij kufiri dhe për këtë është kërkuar ndihma e policisë greke e cila po lëviz me patrulla përgjatë kufirit me Shqipërinë.

Në ndihmë të policisë lokale janë nisur edhe repartet e RENEA-s me helikopter për shkak se dyshohej se autori ndodhej në fshat i armatosur.

Dyshimet e para ranë mbi një hakmarrje të mundshme. Nëna e tre viktimave në nëntor të vitit 2005 u zbulua se ishte autorja e masakrimit të një fëmije 7 vjeç për shkak të xhelozisë. Liljana Mulliri, kishte vrarë e më pas copëtuar dhe hedhur në një pus trupin e viktimës.

Më pas ajo u zbulua se ishte autorja dhe të afërmit, bashkëshorti dhe djali i saj, një nga viktimat e mesditës së të premtes kërkuan dënim kapital për gruan e cila aktualisht vuan dënimin në një burg në Tiranë.

Por një tjetër variant është ngritur menjëherë sipas të cilit autori i vrasjes është një 37- vjeçar me origjinë nga Thumana me emrin, Besim Karaj. Ai ka qëlluar për xhelozi ndaj një prej vëllezërve Mulliri, i cili mendohet se kishte lidhje jashtëmartesore me bashkëshorten e tij.

Vrasja ka ndodhur në qendër të fshatit dhe sipas policisë Besim Karaj me armë zjarri kallashnikov ka qëlluar mbi tre vëllezërit duke vrarë në vend dy ndërsa i treti 18 vjeç është në gjendje shumë të rëndë për jetën në spital. Policia është ende në një aksion në një pyll pranë kufirit me Greqinë për të kapur autorin.