Vret gruan se i lindi vajze..!

Vret nusen në bashkëpunim me të birin se nuk i solli në jetë nipin e shumëdëshiruar. Vjehrra-përbindësh është një grua afgane, e cila është arrestuar për ndihmën që i ka dhënë të birit në vrasjen e nuses 22-vjeçare që sapo kishte lindur vajzën e tretë. Wali Hazrata i ka lidhur këmbët gruas lehonë, ndërsa i biri, Sher Mohammad, e ka mbytur duke e shtrënguar në fyt.

Pavarësisht se nga Kunduzi, provinca ku ndodhi ngjarja, kanë dalë lajme kontradiktore, shefi i policisë së kësaj zone e ka konfirmuar krimin, duke theksuar se foshnja e “padëshiruar” nuk është prekur nga dhuna e të atit.

“Gruaja që kishte sjellë në jetë vajzën e tretë është vrarë nga i shoqi dhe nëna e tij, të cilët donin një djalë”, i ka thënë BBC-së shefi i policisë, Sufi Habib.

Bashkëshorti-vrasës është arratisur, ndërsa nëna e tij është në paraburgim. Sipas dëshmive të vendasve, burri ishte pjesë e një grupi ilegal paramilitar. Aktivistët e të drejtave të grave, krerët besimeve fetare dhe fiseve tribale e kanë dënuar krimin çnjerëzor, duke e cilësuar një akt injorance e krim kundër islamit. Ata kanë kërkuar dënimin e menjëhershëm të autorëve.

Lindja e një vajze shihet shpesh si një barrë në shoqërinë afgane, ndërsa dhuna dhe abuzimet kundër femrave mbeten një ndër problemet më të mëdha edhe 10 vjet pas rrëzimit të regjimit taleban nga trupat amerikane.

Muajin e kaluar, forcat e rendit liruan në provincën Baghlan një adoleshente, e cila ishte mbajtur mbyllur në banjë nga i shoqi për 6 muaj me radhë. Ajo ishte rrahur barbarisht, djegur me cigare dhe i ishin hequr thonjtë e duarve.

Organizata britanike e bamirësisë OXFAM raporton se 87 për qind e femrave afgane pranojnë se kanë pësuar dhunë fizike, psikologjike dhe seksuale apo janë viktima të martesave të detyruara.

Sipas Komisionit për të Drejtat e Njeriut në Afganistan, 1026 raste dhune kundër grave janë verifikuar në 3-mujorin e dytë të vitit 2011, ndërsa i gjithë viti 2010 kishte shënuar 2700 raste të tilla.