Williams mund të braktisë Formula 1

Skuderia britanike preket nga kriza globale ekonomike. Ekleston përpiqet ta shpëtojë

Formula 1 mund të humbasë ish-skuderinë kampione Williams, për shkak të krizës ekonomike. Adam Parr, drejuesi ekzekutiv i kësaj skuderie, që ka fituar nëntë tituj konstruktorësh dhe shtatë pilotësh, ka thënë për gazetën e njohur ekonomike “Financial Times” se mundësia e Williams-it për të marrë borxh ka arritur në limit.

“Mendoj se është e drejtë të themi se kemi arritur në një pikë ku marrja e mëtejshme e borxheve nuk është më e pranueshme për drejtuesit e kësaj kompanie”,- ka thënë ai. Ndërkohë, drejtuesi kryesor i Formula 1, Berni Ekleston, ka thënë për të njëjtën revistë se ai i ka ofruar skuadrës së pavarur më shumë se 15 milionë euro.

Ky bonus, i ardhur nga rritja e të ardhurave nga marketingu midis viteve 2004-2007, është në dispozicion të atyre skuadrave që janë të gatshme të firmosin që tani marrëveshjen e re “Concorde Agreement”. “Eshtë një parapagesë (për Williams-in)”, ka shpjeguar Eklestoni. “Ata kanë të drejtë të kërkojnë një paradhënie vetëm përsa i përket shumës që do të përfitojnë kur të nënshkruajnë marrëveshjen e re.

Ne i njoftuam ata se do t’i paguajmë që tani”,- ka deklaruar Ekleston. Pronari i skuderisë, një nga themeluesit, Sër Frenk Uilliams, ka konfirmuar se skuadra e tij është nën një “presion financiar”. Pra, kriza globale ekonomike ka goditur edhe sportin.

Që nga viti 2006 skuderia britanike nuk ka pasur mbështetjen e një prodhuesi për makinën, dhe makina e re FW31 e prezantuar javën e kaluar në Portugali ka sjellë vetëm interesimin e disa sponsorëve të mundshëm për të ardhmen.

”Ne duhet të kemi të ardhura çdo vit”,- ka thënë Uilliams. “Ne kemi dalë me humbje në dy ose tre vitet e fundit. Por besoj se i kemi bazat për ta kontrolluar këtë situatë”,- ka thënë numri një i skuderisë angleze.

Briatore: Të ulen shpenzimet me 65%!

Edhe Flavio Briatore ka bërë të ditur idenë e tij për të lehtësuar Formulën 1: “Duhet që me çdo kusht t’i ulim shpenzimet deri në 65 për qind brenda vitit 2010. Atë që po bëjmë sot, duhet ta kishim bërë 4-5 vite më parë. Iu kemi dhënë shumë pushtet inxhinierëve, tani do të duhet ta marrin kontrollin menaxherët”,- ka thënë menaxheri i skuderisë franceze Reanult.

BMW përfundon testet në Valencia

BMW ka përfunduar testet në cirkuitin e Valencias për makinën e re. Dje ka zbritur në pistë Nik Hajtfild. Piloti gjerman ka bërë 91 xhiro, duke punuar për grumbullimin e të dhënave në lidhje me përbërësit mekanikë të veturës, duke bërë edhe simulime të nisjes me lloje të ndryshme gomash. BMW Sauber do t’i rikthehet provave në Bahrein nga data 10 në 13 dhe nga 16 në 19 shkurt.

Pesha e rëndësishme

Fernando Alonso humb 3.5 kilogramë

Fernando Alonso ka humbur 3.5 kilogramë që nga gara e fundit e sezonit të 2008-s, sipas shtypit spanjoll. Peshorja vitin e kaluar tregonte 70 kilogram, ndërsa tani 27-vjeçari peshon 67kg, pas një programi intensiv të ideuar për të shtuar mundësitë e tij me rregulloren e re, që lejon përdorimin e teknologjisë së rëndë KERS.

Stërvitja e Alonsos është bazuar te përdorimi i biçikletës katër orë në ditë, duke e afruar atë te pesha ideale që duhet të ketë një pilot, sipas inxhinierëve të makinës, 65 kilogramë.

“Unë kam punuar me çiklistë të tjerë dhe Fernando është shumë i fuqishëm, më shumë se asnjëherë tjetër”,- ka thënë përgatitësi i tij personal, Fabricio Borra. “Ai nuk mund të humbë më shumë kile, sepse nëse ndodh kjo, ai do të fillojë të humbasë fuqi dhe kjo nuk është ajo që ne duam”.

Ndërsa makinat e Formulës 1 kanë një peshë minimale të limituar, të gjithë janë munduar të ndërtojnë një veturë sa më të lehtë duke shtuar më pas peshë në zonat ku inxhinierët besojnë se do të përmirësojnë performancën e makinës.

Burimi:Sporti Shqiptare