Xhixhi Bufon nuk dorëzohet për titullin

Portieri i Juventusit nuk e ka fshehur zhgënjimin e tij për humbjen e pësuar kundër Kaljarit

Zhgënjim për një ndeshje që mund të kishte qenë pozitive, por që e ka çuar Juventusin një pikë më larg Interit kryesues, dhe gjithashtu e ka zbritur nga vendi i dytë në klasifikim, ku tani ndodhet Milani, që ka fituar të dielën në mbërmje 3-0 ndaj Lacios. Lidhur me këtë moment negativ që po kalojnë bardhezinjtë ka folur portieri Xhixhi Bufon, i cili i është referuar numrave. Gjithsesi, duke e parë gotën gjysëm të mbushur. “Barazimi që ka arritur Interi kundër Torinos e bën më pak të hidhur humbjen tonë kundër Kaljarit, distanaca midis dy skuadrave mbetet pothuajse ashtu siç ishte me zikaltrit që kanë vetëm një pikë më shumë, - ka thënë portieri i kombëtares italiane, i cili nuk e fsheh zhgënjimin. - Por ky fakt duhet të bëjë që hidhërimi ynë të jetë më i madh”.

Humbja në fushën e bardhezinjve kundër Kaljarit, që mungonte prej 41 vitesh, me shifrat 3-2 nuk e ka lejuar Juventusin të përfitojë nga hapi gjysëm fals i bërë nga zikaltrit, të cilët të dielën janë frenuar nga Torino në “Meaca”, me shifrat 1-1. Por nuk mjafton vetëm kaq. Disfata kundër ekipit sard ka sjellë, gjithashtu, edhe rënien nga vendi i dytë në atë të tretin të skuadrës së Ranierit, e cila është kaluar nga kuqezinjtë e Milanit. “Një ndryshim vendesh në renditje është diçka normale, - ka thënë lojtari juventin në një intervistë për shtypin italian -, ajo që ka rëndësi është vetëm vendi i parë”. Pavarësisht nga ky ndryshim, dhe nga dy humbjet e pësuara në katër ditë, portieri numër 1 në botë është i bindur se lufta për titull është akoma e hapur dhe se gjithçka mund të ndodhë deri në fund të sezonit. “Kampionati nuk ka mbaruar akoma. Ne duhet të kemi besim në forcat tona dhe duhet të luftojmë deri në fund, edhe pse nuk e dimë nëse do të kemi sukses apo jo”. Gjithashtu, sipas Bufonit, momenti negativ që po kalon skuadra e Ranierit nuk varet kryesisht nga dëmtimet e shumta, që kanë goditur ekipin që në fillim të sezonit, por nga faktorë të tjerë.

“Nuk besoj se Juvja vuan nga dëmtimet, më shumë nga lodhja psikologjike dhe fizike për të bërë një rekuperim të madh”. Në fund, ka ardhur edhe një batutë lidhur me shokun e ekipit Amaurin, të cilin Juventusi e ka ndaluar të bashkohet me kombëtaren braziliane, duke i dhënë kështu një tjetër mundësi trajnerit të kombëtares italiane Marçelo Lipi për ta grumbulluar: “Ne nuk na ka thënë asgjë, - ka treguar Bufon. - Janë gjëra personale, këto janë momentet ku shprehja “shko ku të çon zemra” vlen më shumë. Amauri është një lojtar që do t’i bënte punë Italisë ashtu si Brazilit dhe të gjithë kombëtareve të tjera”.

Burimi:Sporti Shqiptare