Zbulohet fjalori i rrallë i Mustafa Merlikes

LEDI SHAMKU-SHKRELI

Përplasa grushtin për tryezë kur mbarova së lexuari fjalësin e dy germave të vetme që na kanë mbërritë nga Fjalueri Kritik i Mustafa Krujës. “O Zot, - thashë me vete, - ku janë gjithë germat e tjera?”. Kemi sot vetëm ngjërimin e një produkti leksikografik të cilin shqipes i duhej ta kishte këtu e gjashtëdhjetë vjet të shkuara. Mustafa Kruja ja ofroi shì në kohën kur asaj i duhej, por Shqipja nuk e mori kurrë atë fjalor, e as një të ngjashëm me të. Sot, në shek. XXI, për gjuhën tonë po botohet për herë të parë një vepër leksikografike e tipit kritik, nga e cila mjerisht kemi vetëm dy germa. Kaq mundi të rindërtonte hartuesi i atij fjalori të plotë, terratisja e të cilit vijon të jetë mister për shumëkënd.

Europa rrotull nesh i ka sendërgjuar e botuar fjalorët kritikë të gjuhëve përgjatë një procesi dyshekullor që pat mbaruar nga fundi i shekullit XIX. E ata shërbyen si lëndë e parë për politikat gjuhësore dhe didaktike. Në përgjithësi mund të thuhet se ka mbi një shekull që të tillë fjalorë nuk hartohen më. Sot botohen diksionerë kritikë për terminologji fushash të ngushta, siç janë ato të sociologjisë, jurisprudencës dhe teknologjive, dija mbi të cilat përditësohet kohë pas kohe, ndaj lypet edhe përditësimi i saktë i shenjuesve në raport me të shenjuarit që ata mbulojnë.
Kështu, ndodhemi këtu, me një shekull vonesë, kur Shqipja ka nevojë ende për të parin fjalor kritik të saj, dhe kur kjo copëz e veprës që po botojmë është e para në llojin e vet.
Në dashjen për ta thyer disi marrëdhënien e ftohtë që kanë përdoruesit e shqipes me fjalorët që u ofrohen, e që në fakt nuk vjen dhe aq prej indiferencës së tyre sesa prej tëhuajzimit që kanë shkaktuar fjalorët e sotëm, themi pikësëpari se ky punim i Krujës i përket sa gjuhësisë aq edhe letërsisë. Ai paraqitet në daçim edhe si produkt letrar i gjinisë tregimtare, pasi kush do, mund ta lexojë edhe si një përmbledhje dëftojcash mbi ndeshtrashat e fjalëve të Shqipes dhe metamorfozat e tyre.
Sa i takon shkencës mbi gjuhën, ky visar fjalësh, e ç’është më e rëndësishmja, visar arsyetimesh mbi format e fjalëve, moshën, përhapjen gjeografike dhe vendndodhjen kontekstuale të secilës prej tyre, ofron sot atë çka shqipes i mungon më fort: zgjidhjen e binarit të dyfishtë, a për ta thënë me një shprehje të Devotos, u ofron përdoruesve të gjuhës amtare “biletën vajtje-ardhje” nga shqipja tek dialektet, nga dialektet tek shqipja, duke i ushtruar ata të zgjedhin sipas rastit e situatave të komunikimit.

Le të këqyrim për s’afërmi se ç’është ky fjalor sipas konceptimit të hartuesit të tij, pasi na rezulton, veç tjerash, të jetë një pasqyrim i mirëfilltë edhe i historisë së kulturës shqiptare, dëshmuar përmes fjalëve dhe shprehjeve që sendërgjuan këtë kulturë, e që si gjithkund tjetër edhe bashkëjetuan, edhe u ndeshën. Mund të mendojnë se Kruja e ndërmori qoftë hartimin e qoftë rishkrimin e këtij fjalori, ngaqë një punë e tillë duhej, por priremi më fort të besojmë se ai e ndërmori ngaqë deshi. Lakmoi t’i jepte diçka të munguar “gjësë” që më fort ngjan se dashuroi. E paçka se vetiu, me “gjë” nënkuptojmë gjuhën, prapëseprapë është e pamundur të dallohet çfarë deshi më shumë Mustafa Kruja, gjuhën apo kombin e vet. E pamundur, ngaqë për ne shqiptarët gjuha nuk është ndarë kurrë nga kombi qysh në agshan të kohërave.

Në nr e 11/1952 te Shêjzave, Karl Gurakuqi bën me dije se Fjalori që pat hartuar Kruja, e që ai vetë la gati për shtyp para se të mërgonte, kishte rreth 30.000 lema e mbi 2600 fletë të daktilografuara. Ndërsa daktiloshkrimi që trashëgojmë ne sot ka afro 260 fletë të këtilla, pra një të dhjetën e materialit zanafillor. Kemi të bëjmë këtu me një riprodhim me anë të kujtesës, nga ana e studiuesit të madh i cili, në përpjekjen e vet për rinxjerrjen e kësaj vepër monumentale, u gjet pa mjedisin e nevojshëm, pa bibliotekë të specializuar, dhe ç’është më e rënda, pa kohën e domosdoshme për t’ja rihyre edhe njëherë e i vetëm një ndërmarrjeje titanike sikurse ishte Fjalueri Kritik i Gjuhës Shqipe. Kruja e kish mëse të qartë dimensionin e kësaj ndërmarrje. Ai e kish kuptuar se nuk do ta mbaronte dot sërish këtë fjalor e megjithatë ja hyri punës për të bërë sa mundej. Shqipja kish nevojë, e shqiptarët po ashtu. Përpjekja fatale për të risjellë diçka nga puna tij dhjetravjeçare, dëshmon në një farë mënyre bjerrjen e besimit se Fjalori i tij, përfunduar në fillim të viteve të Dyzeta, mund të rigjehej, dhe nga ana tjetër, ngulmi për të dhënë ç’të mundte edhe në kushtet që u krijuan për të nga Paslufta, na shtyn të kuptojmë se Kruja, më fort se kushdo në elitën e diasporës së re arbënore, kish parandjerë se gjuhës shqipe i kanoseshin rreziqe te mëdha; Shqipja, sikurse pesë shekuj më parë, aty në momentin e rënies së Arbënisë në zgjedhën osmane, ndodhej në një kapërcyell të ri por të një natyre tjetër; në atë kapërcyell të cilin George Orwell e përshkroi aq realisht e ngjethshëm në Apendiksin e Tetëdhjetëkatrës së tij. E përshkroi taman kur Kruja vendosi rishkrimin.
Nuk kemi nga Fjalueri, kurrgjë tjetër pos bocave të avancuara të germave A dhe B, por vlera e tij sot shpalohet e plotë, ngado që ta marrësh, si për nga lënda që ofron, e në mënyrë të veçantë për nga kumti shkencor (krejt i ri për ne) dhe njiherit aktual edhe në botë. Te kjo e dyta vlerë do të ndalojmë më imtisht në vijim.
Kësisoj duket se dy germat që po paraqesim këtu, janë testamenti i mbramë i Mustafa Merlikës, burrit nga Kruja që shenjoi historinë e re të Shqipërisë, dhe tek e mbramja u shenjua dhe ai vetë duke u flijuar në naltoren e ndeshtrashave të atmes së tij.

Kjo vepër i takon një rendi krejt të ri të leksikografisë shqipe, asaj të fjalorëve kritikë, ndaj lypej këtu, edhe më fort se gjetiu, konsulta e këshilli mes profesionistësh. Shkalla e lartë e profesionalizmit të Krujës kërkonte doemos njohës të t’njëjtit nivel profesional, porse, i gjendur në izolim të plotë nga komunikimi me dijetarë të këtushëm si Xhuvani, Ashta e Çabej, autorit tonë s’i mbetej tjetër veçse t’u drejtohej albanistëve që gjendeshin tej perdes së hekurt. Norbert Jokli asokohe kish vdekur, kështu pra e gjejmë mëse normale që recensën e këtij fjalori nisi ta bënte dora-dorës njëri ndër albanistët më në zë të kohës, Giuseppe Valentini alias At Zef Valentini, i cili e njihte Shqipërinë dhe zakonet e saj si asnjë i huaj tjetër. Valentini i bën një recensë të hollësishme fjalorit, tue fillue nga lema A, duke qenë i ndërgjegjshëm se ky do të ishte i pari fjalor kritik i gjuhës shqipe. Në fakt, sugjerimet e Valentinit janë kryesisht të natyrës filologjike. Ai jo vetëm që nuk i bën vërejtje të natyrës gjuhësore (e kush e njihte atbotë gjuhën e Shqiptarëve si Kruja!), por përkundrazi skicon një recension për ta nxitur Krujën t’i zgjerojë ende më tej analizat fjalore, e mundësisht në çdo zë të fjalësit.
Pyetja e parë që ia beh në këso rasash është kur e ndërpreu Kruja punën me fjalorin. Kohën e ndërpremjes na e shenjon një letër e Krujës drejtuar Karl Gurakuqit, të cilën ky i fundit e përmend duke e cituar në një shkrim me rastin e motmotit të vdekjes së mikut të tij. Letra daton 20 shtator 1958, vetëm tre muaj para se Kruja të ndërronte jetë. Në të ai rendit plot 15 punime të vetat të pabotuara, dhe në renditjen e katërmbëdhjetë gjejmë “Sprovë për një Fjaluer kritik (vetëm A e B)”. Kjo letër posë tjerash mbyllet me fjalët: “Kaq, e mbas këtyne mos të presë mâ Shqipnija shkrime prej meje! Unë kam dekun tashmâ e asaj Zotynë i lashtë bijt tjerë”. Ndoshta gjendja shëndetsore e ajo shpirtnore bashkë ja kishin mpakë fuqitë këtij Sizifi shqiptar. Por kohën e ripunimit na e jep vetë Kruja kur shtjellon lemën “brishtnuer” e ku thotë se “vjeta e jonë 1953 s’âsht brishtnore, se numri 1953 nuk dahet katërsh”. E me këtë merr fund çdo hamendje lidhur me kohën e ripunimit të veprës.

Parë sot në sintezë me të gjitha filozofitë përfaqësuese të atyre që kontribuan në selitjen e gjuhës së përbashkët, M. Kruja duket se ofron një filozofì tepër të plotë të këtij procesi, qe afërmendsh duhej të ishte edhe subjektiv (i udhëhequar nga politikat gjuhësore) po edhe objektiv (përfundim i vetvetishëm i lavrimit të shqipes). Këtë dualitet Kruja e ka gjithnjë parasysh dhe mundohet qysh së pari të caktojë masën e ndërhyrjeve të individit (gjuhëtarit, shkrimtarit, politikanit etj.) dhe masën që vendon bashkësia e përdoruesve në rrjedhë të kohës. Le ta shqyrtojmë këtë argument në paralelizëm me filozofitë gjuhësore të ligjërimeve simotra me shqipen.
Duke u hedhur një sy përvojave planifikuese që kanë përcaktuar gjuhët e selitura rrotull nesh, vemë re se ato janë disa duarsh: Frengjishtja për shembull është udhëhequr më së shumti nga parimi etimologjik. Kjo vërtet i ka siguruar përmasë kohore dhe motnim frengjishtes, por nga ana tjetër e ka larguar shumë drejtshkrimin e saj nga drejtshqiptimi dhe, në ditët e sotme, kur dija është në stadin social të saj, pra alfabetizimi i popullatës është punë e kryer, një largesë e tillë sistemike rrit shumë koston e nxënies së drejtshkrimit e po ashtu edhe të drejtshqiptimit nga bashkësia frengjishtfolëse. Pesha e ekzagjeruar e etimologjisë në punë të frengjishtes letrare ka mëse një shekull që është përshfaqur si problem (shih Kursin e Saussure-it) dhe sot propozohet të ndërmerren ndërhyrje ekuilibruese me shtysë fonologjike (b.fj. Nathalie Cauche te “L’orthographe”).
Në një tjetër grackë gjendet sot serbishtja, e cila fillimisht e për mjaft kohë iu referua kryekëput parimit fonologjik, vendim ky që buroi edhe për shkak të zgjedhjes grafematike cirilike, pas së cilës çdo tingull përfaqësohej nga një germë. Por varieteti që u konceptua në këtë mënyrë, nisi të japë shenja insufiçence kur asaj iu desh të përballej me nevojën terminologjike për shenjues të rinj në truall të regjistrit formal dhe të mendimit abstrakt. N’atë stad vendimet e pjesshme që u ndërmorën, dolën jashtë nga filozofia fonologjike, duke u bërë kësisoj shkas për teprì vullnetesh individualiste, në të cilat u desh të mbizotëronin vendimet morfo-gramatikëzuese, pasi ato etimologjizuese do t’i binin fort ndesh natyrës së përgjithshme të serbishtes letrare e asaj tradicionale. Një ndeshje e tillë filozofish të panjësuara e ndau këtë gjuhë në dy palë shtresa të larguara nga njera-tjetra: më nj’anë qëndrojnë fjalët e fondit historik, në të cilat ndjehet përditësimi i vijueshëm i kohëve dhe gjurma e përdorimit të folur, e m’anë tjetër qëndrojnë shenjuesit neologjikë të ndërtuar afërmendsh me rrugë individuale, të cilët janë ose thjesht huazime sipërfaqësisht të përshtatura, ose farkime të gramatikëzuara, krijuar si kompozite, mbi të cilat, sikundër vlerëson A. Meillet, parimi fonologjik nuk ka mundur të veprojë.
Mund të vijohej sërish me shestime modelesh gjuhësore, por duke u mjaftuar me analizën e dy paradigmave të mësipërme që u kodifikuan duke ndjekur secila një parim bazë të përkundërt me tjetrin, vihet natyrshëm në përfundimin se fonologjia dhe etimologjia përcaktojnë në fakt edhe natyrën e një varieteti të normalizuar.
Ç’përfaqësojnë në vetvete këto dy parime? Qëndrimi fonologjik ndaj gjuhës së përbashkët don të thotë që varieteti të përfaqësojë vullnetin pak a shumë të lirë të përdoruesve dhe realizimet e ligjërimeve të folura të tyre. Ndërsa qëndrimi etimologjik shpreh vullnetin e historianëve të gjuhës për të konservuar në këtë varietet protoformat gjuhore. Më tej akoma, parimi i parë përfaqëson kolektiven në gjuhësi, i dyti individualen. Kruja i ka mëse të qarta këto dy natyra përfaqësimi, ndaj duket se në hartimin dhe analizat e këtij fjalori ai nuk zgjedh as modelin frëng e as atë serb. Nga sa kemi analizuar, vemë re se Kruja aplikon gati gjithkund analogjinë e cila në gjuhë është faktor i modeluar prej kolektives dhe prej kritereve fonologjike. Porse i vetëdijshëm se analogjia rrezikon të shtyjë në skajet e përdorimit mjaft forma të cilat mandej përdorimi i bjerr, Kruja vendos ta aplikojë pikërisht mbi këto forma kriterin etimologjik duke gjetur mjeshtërisht rrugën e rihedhjes së tyre në qarkullim, pa i rënë ndesh sistemit të formuluar mbi baza fonologjike. Protoformat e etimologjizuara ai zgjedh t’i përdorë ose në fushë të terminologjisë, ose për të çliruar fjalët polisemike nga polivalenca e tyre semantike, që në fakt e tkurr fuqinë emërtuese të një gjuhe dhe ja ul mendimit saktësinë. Sa për një shembull mund të vërehen se si i ofron ai protoformat ndëlgoj dhe bultis (të parën për lat. intelligere dhe të dytën për fr. aprouver). Kësisoj ai mëton t’i çlirojë fjalët semantikisht të ngarkuara duke synuar të nxjerrë hiponime nga hiperonimet.
Shkalla e sotme e dijes mbi gjuhën i jep plotësisht të drejtë kësaj zgjedhje të Krujës, pasi qoftë për terminologjinë, qoftë për hiponimet lypet që shenjuesit që ofrohen të jenë “të pastër”, pra kuptimisht të pangarkuar. Duke qenë protoforma, ato gëzojnë njëkohësisht dy veti: janë të përftuara nga marrëveshja historiko-sociale, pra të fonologjizuara dhe m’anë tjetër, bashkësia e përdoruesve për shkak të vjetërsisë e ka humbur kujtesën mbi to, pra janë semantikisht të pastra sikundër lypet. Ky është raporti që vendos mjeshtërisht Kruja mes kolektives dhe individuales në gjuhë, duke e ushqyer edhe ndërhyrjen individuale, aty ku mundet, me lëndë kolektive.

Gjatë procesit të instalimit të menjëhershëm të diktaturës dhe mandej të totalitarizmit të vijuar, u atrofizuan në mënyrë progresive konceptet abstrakte tok me fjalët që i shenjonin këto koncepte. Madje edhe një burim i rëndësishëm konceptesh abstrakte sikundër filozofia (e cila bëhej si disiplinë studimi ndër shkolla), qe vetëm me natyrë materialiste. Bjerrjen e fjalëve që shenjonin koncepte abstrakte e ka ilustruar mjeshtërisht Orwell në Apendiksin e librit të tij “Tetëdhjetekatër”. Refleks pasues i bjerrjes së fuqisë abstraguese të Shqipes si pasojë e dhunës ideologjike në të, qe në një hap të dytë edhe varfërimi i shenjuesve konkretë. Në këtë fushë ka vërtet shumë punë për të bërë, pasi shqipfolësit sot gjenden ngushtë dhe nga mosnjohja detyrohen të shtijnë në përdorim veç një grusht fjalësh. Do ofruar sot pikërisht ajo saktësi semantike që japin lemat e Krujës, i cili ndoron mirë gjuhën e popullit, atë pandialektore, dhe kjo i jep siguri në klasifikimet hierarkike ose sasiore të shenjuesve të ndryshëm. Kështu ai dallon qartë, dhe mandej rendit sipas rëndësisë rrjedhjet e ujrave në: vijën, përroin, sheun, lumzën dhe lumin; ndërkohë që sot pavarësisht nga të shenjuarit e shumtë, shenjuesit janë reduktuar në dy syresh: përroi dhe lumi. Ky është edhe problemi më i madh i shqipes aktuale. Me fjalë të tjera gjuha shqipe ka në fond të saj vërtet shumë fjalë të moçme që dëshmojnë autenticitet, por repertori i fjalëve të përdorimit të sotëm është tejet i ri. Kjo pasi normalizimi i kësaj gjuhe që sot përdoret, ja ndërpreu asaj lidhjet me traditën. Varieteti që u përcaktua e u nguc si i përbashkët, nuk i ngjan aspak fytyrimit që jep Wittgensteini duke thënë se “gjuha jonë është si një qytet i moçëm: një labirint rrugicash, shtëpish të vjetra e të reja, shtesa pallatesh bërë në epoka të ndryshme, rrethuar nga brezi i lagjeve të reja periferike. Të përshkruash një gjuhë don të thotë të përshkruash një formë jete”. Sot është vërtet problem i ndërlikuar hedhja në përdorim e fondit gjuhor, pasi shumë fjalëve u është bjerrë vlera si pasojë e mosqarkullimit dhe stanjacionit të gjatë. Tek e fundit, kështu cilëson edhe Saussure: “fjalët janë si monedhat; vlera e tyre rritet vetëm nëse qarkullojnë”.
Duke u ndalur te prurjet e reja, themi se çdo neologjizëm i shtënë në punë nga Kruja, është tipik e kudo që ta hasësh, edhe jashtë konteksit të këtij fjalori, mund ta dallosh fill gjurmën e autorit, të pandashme nga gjurma e kohës dhe bashkësisë. Kete mund ta shohim psh tek lema admiruem.

Veç ruajtjes së përmasës kohore, bën përshtypje edhe skrupulltia semantike dhe e drejtpërdrejtë që kanë sugjerime të tilla. Një skrupulltì të tillë, sa i takon shenjimit të një koncepti përmes një fjale, e hasim te Saussure, i cili në shënimet e veta shkruan se “njohja e një fenomeni apo një veprimi të arsyes nënkupton paraprakisht përkufizimin e një termi të çfarëdoshëm; jo përkufizimin e rastësishëm që mund të japim përherë për një term relativ në lidhje me të tjera terma relative, duke u sorollatur përjetësisht në një rreth vicioz”.
Këtij rrethi vicioz që e le gjithnjë të pazgjidhur çështjen gjuhësore, duhet t’i jetë druajtë Kruja, dhe kjo vetëdije ngjan se ka ushqyer dhe saktësinë e tij të vijuar. Përballja e shtetit të ri shqiptar me nevojën e papërmbushur për një mori institutesh e zyrash që do duhej të kishin emërtesa shqipe, shtyn gjithashtu Krujën të mbështetet në modele linguistike të sprovuara të vendeve të tjera, por t’i mbushë këto struktura me lëndë autoktone siç propozon psh kundrejt fjales maternitet qe e gjen te papershtatshme.
Nga kjo pikëpamje, e cila më fort se me larminë e gjuhës, lidhet përsëdrejti me saktësinë saj, pra me saktësinë e mendimit, nuk mund të mos vërehet se sot dija jonë mbi gjuhën është katandisur vërtet mos-më-keq nga didaktët e saj si dhe nga shkrandja e energjive të panumërta për dekada të tëra në vorbulla metagjuhësore, ndërkohë që askush nuk na mësoi ne e nuk po i mëson fëmijët tanë me atë durim e dashuri (deri në fshikullim) me të cilën Kruja spjegon si më poshtë:
bletë -ta: (sh. -të-t) bleta nuk âsht emën i secilës mjalcë (mjalcëz, mizë blete), por i të gjithave bashkë, âsht emën bashkuer si p.sh. bagtija; prandej âsht gabim me thânë: më zûni nji bletë, por nji mizë blete, nji mjalcë; nuk thohet krinë bletësh (si tufë dhênsh, dhishë), por krinë blete; jo zgjue bletësh (si vathë derrash), por zgjue blete; iku, duel bleta nga zgjoi, bleta na ep mjalët (mjaltët, mjaltin, mjaltën);
Prirja e theksuar didaktike gjendet gjithkund në fjalorin e Krujës. Mjaft të vërehen një mori pjesëzash spjegimore që dalin nga konteksti i ngushtë i një fjalori kritik. Por mendojmë se në kushtet e një Shqipërie, në të cilën po formësohej s’parit herë gjuha e një administrate shtetërore me të gjitha efektet moderne, ky qëndrim prej mësuesi ishte i domosdoshëm.

Është tashmë proverbiale revolta e Krujës kur ndesh në barbarizmat a fjalët e sajuara nga administrata edhe kur ekziston gjegjësja shqipe; në kësi rastesh ai shpërthen me shprehjen: “nji ndër sa shëmtime tjera qi i kanë falë gjuhës s’onë administrata kombtare prej thesarit të paditunisë së saj”. Lidhur me barbarizmat do nxjerrë në pah edhe fakti se Kruja është i vetëdijshëm për prirjen europianizuese të gjuhës shqipe si një rikthim në rrënjët e saj paraosmane, ndaj ai jo vetëm mban një qëndrim purist ndaj europianizmave të hyra me portë turke, si në rastin e abanozit, por është kundër krijimit të leksikut të ri me rrënjë turke apo zgjerimit kuptimor të fjalëve të vjetra turke.
Kruja është kritik i rrallë e me një përpikmëri të lartë shkencore ndaj fjalorëve të deriatëhershëm të gjuhës shqipe, veçanësisht ndaj atij të Mannit, të cilin e veçon duke e çmuar si mbledhës të palodhur, por dyshon mbi burimet ushqyese të këtij fjalori, e sidomos kur burimet janë nga autorë të huaj. Kritikë të mirë ka vende-vende edhe ndaj Fjalorit të Bashkimit, saku thuajse aspak ndaj Kristoforidhit, për të cilin ndjehet se ruan një nderim të veçantë. Respekt i heshtur vërehet edhe për humanistin tonë të madh, Buzukun, format gjuhore dhe fjalët e të cilit Kruja duket se nuk i ve kurrë në dyshim.

Sa i takon lëmit të historisë së fjalëve, e shohim të udhës të mos ndalemi gjatë tek shestimet etimologjike që bën Kruja, fort të çmueshme nga kjo pikëpamje, pasi besojmë se në këtë pikë ky Fjaluer mund të jetë objekt i një studimi të mirëfilltë. Por meqë jemi në lëmë të etimologjisë po përmendim se te ky fjalor Kruja hedh një sërë hipotezash, po edhe vërtetimesh për fjalë turke të marruna nga shqipja (psh fj. bunar), e mandej të përhapura me portë turke ndër gjuhë të tjera të Ballkanit. Kjo është një tezë ende e pashtjelluar sa duhet nga shkenca jonë dhe ka lidhje të drejtë me pohimin e E. Hampit se shqipja ka luajtur një rol shumë më të madh, nga sa i njihet, në formimin e gjuhëve ballkanike.

Kruja mund të cilësohet pa droje si ai filozof i gjuhësisë së aplikuar që i kapërceu tutjetëhú sinorët e ngushtë të gjuhësisë shqiptare, duke mbetur përbotnisht pionier edhe i gjuhësisë moderne europiane. Qe vërtet pionieristike të ndërmendej gjenerativizmi thuaj tri dekada para se ai të formulohej si rrymë linguistike, e mandej të synohej aplikimi i tij fill e në simbiozë me strukturalizmin që sapo kish nisur të fitonte terren metodologjik në Europë. Në këtë kuadër vlen të kujtojmë edhe faktin se mendimi gjuhësor europian ka plot tri dekada që po përpiqet të verë në emërues metodologjik të përbashkët Chomskyn gjenerativist e natyror, Saussurin strukturalist e historiko-social dhe Derridánë post-strukturalist e dekonstruksionist.
Selitja e qytetëruar e mendimit shqiptar, pa e larguar këtë mendim nga rrënjët e etnosit e të historisë së vet, besojmë të ketë qenë edhe sfida që Mustafa Kruja, e gjithë të ngjashmit me të, morën përsipër që prej agut të Rizgjimit Kombëtar. Dhe ata zgjodhën drejt ta fitonin sfidën e qytetërimit të mendimit përmes gjuhës, duke i shërbyer mugullimit të gjuhës shqipe, pra përmes plotësimit të mozaikut të shprishur gjuhësor. Përzgjedhja e këtij shtegu besojmë se shpjegon edhe pjerrjen e vetishme të Krujës - politikan e shtetar - për kah lami i gjuhësisë, e veçanërisht nga ai i leksikografisë e gramatologjisë.
Mundime të tilla nuk kanë çmim dhe shpërblesa e tyre shkon në fakt in re ipsa, pra shkon në vetë rendin e filozofisë mbi shqipen e përbashkët. Sot trashëgojmë filozofinë gjuhësore të Krujës jo thjesht si dije, por si dorëzanì, si dritë e si shtysë për t’i kthyer gjuhës aktuale njomshtinë që i mungon. Kjo dorëzanì vlen më shumë se çdo lëvdatë dhe lyp mirënjohjen tonë. Nuk e kam fjalën thjesht për mirënjohjen e një rrethi të ngushtë gjuhëtarësh a letrarësh, por për atë ndjesi të thellë që duhet të ruajë në zemër për Mustafa Krujën çdo individ i bashkësisë shqipfolëse, e madje edhe ata që sot ende s’kanë lindur.