Zgjedhjet, Laç, vritet simpatizanti i LSI, plagoset kandidati i PD dhe vëllai i tij

Një incident shumë i rëndë është shënuar në një qendër votimi në qytetin e Laçit, konkretisht në QV që është vendosur pranë shkollës ‘At Shtjefën Gjeçovi’ të qytetit.

Sipas informacioneve që vijnë nga qyteti verior, ka pasur të shtëna armësh në këtë QV çka ka rezultuar me një person të vdekur dhe të paktën 3 të plagosur.

Mësohet se nga të shtënat me armë ka mbetur i vrarë shtetasi Gjon Gjoni, 53 vjeç, simpatizant i Lëvizjes Socialiste për Integrim ndërsa nuk dihet ende identiteti i të plagosurve.

Drejt Laçit janë nisur përforcime të forcave RENEA, ndërkohë që sipas deputetit të PS-së, Armando Prenga, pas këtij incidenti komisionerët e PS-së dhe LSI-së janë tërhequr nga qendra e votimit në Kurbin.

Mësohet se drejt Laçit është nisur me urgjencë edhe kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta.

Policia e Lezhës: I plagosur nga ngjarja edhe një kandidat i PD për deputet në këtë zonë

Në lidhje me incidentin e rëndë në Laç, ka dalë në një konferencë për shtyp edhe policia e Lezhës. Drejtori i policisë Arben Hajdarmata bën me dije se në këtë ngjarje viktima është simpatizanti i LSI-së, Gjon Pjetër Gjoni, 53 vjeç dhe një ndër të plagosurit është kandidati i PD-së, Mëhill Fufi, ndërkohë që i plagosuri tjetër është vëllai i kandidatit të PD-së, Kastriot Fufi.

Sipas policisë, në vendngjarje janë gjetur rreth 15 gëzhoja të kalibrit të ndryshëm dhe një armë zjarri. Policia ka indentifikuar autorët dhe është vënë në ndjekje të tyre.

Kryeprokurori Llalla: Autorë e ngjarjes do të vihen para drejtësisë

Kryeprokurori Adriatik Llalla ka reaguar pas ngjarjes së rëndë të ndodhur sot në Laç duke deklaruar se autorët e ngjarjes do të vihen para drejtësisë.
“Prokuror të specializuar dhe nga më të mirët janë nisur drejt Laçit për të realizuar hetim të plotë e të thellë mbi ngjarjen. Do të bëhen të gjitha përpjekjet për të gjetur autorët e ngjarjes në fjalë, për të bërë transparente në një kohë sa më të shpejtë edhe shkaqet e saj. Dua të garantoj se Prokuroria është në gatishmëri të plotë për të realizuar konform ligjit detyrën e saj”, përfundoi Llalla.

Dhunohet ekipi i Top Channel, filmoi teksa pengoheshin zgjedhësit e majtë të votonin

Një ekip i Top Channel në Laç, i cili po punonte për raportimin e procesit elektoral është dhunuar nga një grup njerëzish ende të paidentifikuar.

Gazetarja e Top Channel Arta Berisha raportoi pak minuta më parë se një grup personash kanë sulmuar fizikisht operatorin Lorik Bajrami, ndërsa i kanë thyer kamerën me të cilën po regjistronte.

Sipas Berishës shkak për këtë sulm është bërë sepse ekipi po xhironte, kur ky grup personash iu thoshte zgjedhësve në qendrën e votimit në Sanxhak, se nëse ishin të majtë nuk mund të hynin të votonin e nëse ishin të djathtë, po.

Ky moment është filmuar nga operatori Bajrami, e me ta pikasur këtë gjë, ky grup personash reagoi menjëherë duke sulmuar punonjësin dhe duke shkatërruar tërësisht kamerën.

Gazetarja Berisha dhe operatori Bajrami ndodhen aktualisht në komisariatin e policisë ku po bëjnë edhe një kallëzim për këtë ngjarje, ndërsa Top Channel i bën thirrje Policisë së Shtetit që të gjejë përgjegjësit e këtij akti dhe të reagojë për dhunën e ushtruar ndaj punonjësve të medias.

23 qershor 2013 (gazeta-Shqip.com)

te humbas jeten dikush eshte shume e rende dhe te rrihet gazetarja me operatorin eshte gjithashtu nje turp per ne dihet qe per pushtet njeriu eshte i afte per shume gjera por dreqi ta haje eshte nje jete njeri eshte prindi i disa femijeve eshte djali i 2 prinderve,dhe bashkeshorti i nje gruaje me vjen shume turp per gjestet qe behen nga populli yne dhe qe armet jane sheshit sikur te ishin lodra ka polici ne kete vend ?turp

Vetem 1 mo? Qenkemi per urim jo per zi!

Ngushellime familjes!

:slight_smile:

Urime “qeverisjen” Shqipni (: